Shpresa nuk njeh kancer: Beteja e Trëndelinës me kancerin e gjirit

Trëndelina Deari është më shumë se një paciente me kancer gjiri ajo është një shembull i qëndrueshmërisë, guximit dhe dashurisë për jetën. Historia e saj frymëzon çdo grua të kuptojë se nuk është vetëm dhe se forca e brendshme mund të jetë më e madhe se çdo diagnozë.

Historia e Trendelina Dearit, sociologes nga Gostivari, është  një rrëfim i tillë. Një grua që ka kaluar nëpër shumë sprova të dhimbshme brenda një periudhe të shkurtër kohore, humbjen e nënës, një operacion të rëndë dhe tragjedinë e një aksidenti ku humbi vajzën, ndërsa sikur këto të mos ishin mjaft, sot përballet me një sfidë tjetër: kancerin e gjirit.

Megjithatë, ajo nuk e sheh veten si viktimë, por si luftëtare. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Trendelina ka zgjedhur të mos fshihet, të flasë hapur, të shkruajë poezi dhe të jetë një shembull i forcës  së brendshme. Forca e saj qëndron mbi çdo frikë, mbi çdo dhimbje. Ajo është një dëshmi e gjallë se shpresa nuk shuhet, edhe në ditët më të errëta.

Më poshtë është rrëfimi i saj i sinqertë për jetën, sëmundjen dhe dashurinë për vajzën, që është burimi i saj më i madh i forcës.

  • Si e përjetuat momentin kur mësuat diagnozën tuaj?

Momenti kur e mësova diagnozën nuk ishte aspak i lehtë. Ndodhesha në një gjendje 

të rëndë emocionale, sapo kisha humbur nënën, mbështetjen më të madhe të jetës sime dhe nuk ishte bërë as një vit nga një operacion i rëndë në krah. Ishte një tronditje e dyfishtë.

  • Çfarë ishte mendimi i parë që ju erdhi në atë çast?

Mendimi i parë ishte: edhe nëse vdes, më pret Andina (vajza ime) dhe nëna, por duhet të mbledh forcat dhe të jetoj për Rinën (vajzën tjetër). Ishte një moment i thellë i përplasjes mes dhimbjes dhe vendosmërisë.

  • Si po e përballoni procesin e  kimioterapisë, fizikisht dhe emocionalisht?

Kimioterapia është një luftë më vete. Gjatë gjithë kohës je si në delirium, në agoni. Në një poezi time e kam quajtur “vakum kohor” — mes kësaj bote dhe asaj tjetër. Ka kriza emocionale, luhatje disponimi, halucinacione, por pas 4-5 ditësh trupi dhe mendja fillojnë të qetësohen… derisa afron me ankth terapia e radhës.

  • Çfarë mbështetje ka qenë më e rëndësishmja për ju gjatë kësaj rruge?

Mbështetja më e madhe ka qenë familja ime: vajza dhe babai, për të cilët duhet të luftoj. Më kanë ndihmuar shumë bisedat e hapura, fakti që nuk e kam fshehur sëmundjen, shkrimi i poezive ku shpreh ndjenjat e mia dhe mbështetja e shoqeve të afërta që janë çdo moment pranë meje.

  • A ka pasur momente kur jeni ndjerë shumë e fortë dhe momente kur jeni ndjerë e thyer?

Po, në këtë sëmundje nuk ka mesatare. O je e thyer për tokë, e dëshpëruar, o merr forcën e një bishe për të mos u dorëzuar. Çdo ditë është një betejë dhe fiton ajo pjesë e jona që ne e ushqejmë më shumë.

  • Si ka ndryshuar mënyra juaj e të menduarit për jetën pas kësaj përvoje?

Pas aksidentit tragjik para dy vitesh, ku humba vajzën dhe unë me vajzën tjetër pësuam lëndime të rënda, këndvështrimi im për jetën ndryshoi. Aty kuptova se asgjë nuk është në dorën tonë. Kjo sëmundje më dha edhe një të dridhur tjetër dhe më kujtoi se jemi shumë të vegjël para fatit  tonë. Tani jetoj çdo ditë sikur të jetë e fundit. Një herë e sfidova vdekjen në aksident , kjo është hera e dytë. E pres të tretën, të vërtetën… (qesh).

  • Çfarë ju jep forcë çdo ditë për të vazhduar?

Forcën më të madhe e gjej te vajza ime që më sheh si shembull, si heroinë. Guximi i grave që e kanë kaluar këtë sfidë më frymëzon po ashtu, dhe kujtimet e nënës sime që luftoi me karcinomën në mitër dhe doli fitimtare.

  • A mendoni se shoqëria e kupton mjaftueshëm çfarë kalon një grua me kancer gjiri?

Mendoj se vetëdijesimi është më i madh se dikur, por fatkeqësisht ende mendojmë “derisa zjarri është në shtëpinë e huaj, jemi mirë”. Shoqëria duhet të angazhohet më shumë me kontrolle falas, mbështetje psikologjike, ndihmë financiare. Kjo sëmundje nuk është vetëm fizike, por edhe shumë e kushtueshme dhe rraskapitëse shpirtërisht.

  • Çfarë mesazhi do t’u jepnit grave të tjera që sapo kanë marrë këtë diagnozë?

Zoti i sfidon gratë e forta. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ju jeni më të forta se një diagnozë, më të forta se kanceri. Për çdo arsye për t’u rrëzuar, ekzistojnë njëqind arsye për të luftuar. Jeta është ende e bukur.

  • Si e shihni të ardhmen tuaj pas trajtimit?

Kam shumë plane. Dua të shkoj në Umre një dëshirë e kahershme. Pastaj dua të hap një shoqatë për gratë e prekura nga kanceri dhe të vazhdoj doktoraturën. Dhe mbi të gjitha, 

dua të jem gjallë për të parë diplomimin e vajzës time. Ajo ishte 3 vjeç kur u ndava nga bashkëshorti, dhe unë jam përpjekur të mos i mungojë asgjë. I lutem Zotit çdo ditë të më japë jetë për ta parë atë të ecë në rrugën e saj.

  • Ju keni pasur edhe një shembull të fortë nga nëna juaj…

Po. Nëna ime kishte karcinom në mitër. Mjekët nuk i dhanë shpresë, por ajo tha: “Do operohem dhe do jetoj, më presin tre fëmijë.” Ishte pozitive, e fortë, e palëkundur. Jetoi 24 vite pas diagnozës dhe vdiq nga zemra, jo nga kanceri. Ajo ishte shembull i fuqisë femërore. Shpresoj të kem edhe unë fatin dhe forcën e saj.

  • Po regjimi ushqimor, mënyra e jetesës a kanë ndryshuar?

Nuk jam shumë paciente e disiplinuar (qesh). Mundohem të ha shëndetshëm, me fruta e perime. Nuk kam pirë kurrë duhan, as alkool. Kam qenë valltare për 8 vite, kam bërë jetë të shëndetshme dhe sëmundja prapë më goditi. Prandaj dua të jetoj si dua vetë, pa menduar çdo 

ditë se jam e sëmurë. Sipas meje, armiku më i madh është stresi dhe mendimet negative.

  • Si ta kthejmë frikën në guxim?

Frika është gjithmonë aty si një mekanizëm mbrojtës. Por kur përballesh me humbjen më të madhe në jetë, siç është humbja e një fëmije, frika humb fuqinë. Ajo që mbetet është guximi për të vazhduar. Frikën nuk e zhduk dot, por mund ta kthesh në helmetë për të luftuar. Jeta është luftë dhe këtë luftë nuk e fitojnë më të fortët, por ata që guxojnë.

  • Shpresa nuk e njeh kancerin ?

Po. Shpresa është pjesë e jetës. Edhe në ditët më të errëta, ajo paraqitet si një dritë në fund të tunelit. Sidomos kur kanceri zbulohet në faza të hershme, shanset për shërim janë shumë të mëdha. Mos mendoni se “te unë nuk vjen”. Ai troket kur nuk e pret. Por me forcë, guxim, besim në vete dhe në Zot çdo grua mund të fitojë.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera