Selfixhe Ciu, e para grua që botoi vjershë shqip dhe sugjeronte divorcin

“Komunizmi dhe fashizmi nuk kanë asnjë ndryshim midis tyre, përderisa vendosin diktaturë dhe vrasin njeriun.” Kështu mendonte Musine Kokalari, mikja e ngushtë e Selfixhe Ciut, të dyja gjirokastrite dhe të dyja gra të cilat do të thenin tabu. Selfixhja do të botonte poezinë e parë në një gazetë dhe kështu do të futej në histori si gruaja e parë shqiptare e poezisë, ndërsa Musineja do të botonte romanin e parë, pra gruja e parë e prozës shqiptare. Sigurisht, mund të ketë pasur të tjera që kanë shkruar më herët fshehurazi, por ne flasim për letërsi të botuar. Me një kthjelltësi që i paraprinte kohës, Selfixhja e shihte rrezikun aty ku të tjerët shpresonin shpëtim. Selfixhes Musineja i fliste pa ekuivok: “Ti je iluministe. Si shkrimtare nuk duhet të pranosh kurrë që njeriu shqiptar të vritet e të shkelet. Musineja ishte antifashiste e vendosur. Ne të tjerët nuk e imagjinonim dot se çfarë fati e priste Shqipërinë tonë. Ajo po. “Vetëm sytë e Musinesë shihnin tepër larg.”( Nga kujtimet e Selfixhe Ciut (Broja)

Ishte barazia gjinore që e bëri Selfixhen në fillim të ishte një komuniste e përbetuar. Shpresonte si ai sistem njerëzit do t’i trajtonte si të barabartë, por a ishte gruaja njeri, a kategorizohej si e tillë në atë sistem dhe krejt tjerët që kemi njohur, është çështje mesjetare që duhet diskutuar.

“Vala gënjeshtare” quhej poezia që u botua më 28 nëntor 1935 në gazetën Populli dhe u nënshkrua me pseudonimin Kolombja. Botimi i saj u kthye menjëherë në ngjarje: u pëlqye, u diskutua dhe u vu në dyshim. “Nuk besohej se ishte shkruar nga një vajzë,” shkruhej se pas saj fshihej dora e një burri.” Dikush e quajti Kolomben “lule e vetme që sjell pranverë në shtypin tonë” dhe i bëri thirrje publike: “Dil në shesh, moj motër, dhe shpallu fare.” Dikush do ta përkufizonte si “flamurtaren e evolucionit tonë”, që synonte “me rrëxue një shkamb me tabelën e veseve të këqija shqiptare.”

Pas Kolombes fshihej një vajzë 17-vjeçare nga Gjirokastra: Selfixhe Ciu. Që prej asaj dite, ajo u bë një zë që nuk kërkonte leje. Një zë që fliste për gruan, për dinjitetin, për lirinë. “Kjo kënga ime,” shkruante ajo, “do të këndojë hovet e lirisë, do të derdhet nëpër brenga njerëzie.” Sipas Musine Kokalarit, Selfixhe Ciu ishte komuniste romantike dhe shkrimtarja e parë që u shfaq në shtypin e kohës me pseudonimin Kolomba,(ndërsa vetë ajo do shkruaj më pas me pseudonimin Muza) një vajzë me ëndrra të mëdha, pasion të thellë për shkollën dhe letërsinë, por e penguar nga rrethanat, nga familja dhe nga vetë idealizmi i saj. Mikja e saj Musineja, në memoaret pëmend se ajo e dashuroi marrëzisht Petron Markon duke qenë se ishin të dy gazetarë dhe u lidhën me komunizmin si me një ideal shpëtimi, por kjo dashuri dhe ky besim u ftohën me kalimin e kohës, duke e lënë të zhgënjyer e të pambrojtur, një shpirt të pastër që nuk e mendoi kurrë se idealet mund të shndërroheshin në dhunë.

Selfixheja artikulon një feminizëm të hershëm qytetar, ku emancipimi i gruas lidhet drejtpërdrejt me progresin shoqëror dhe kombëtar. Gruaja për të është e shtypur nga struktura patriarkale që e mban në përbuzje dhe nënshtrim. Në shkrimet e saj në “Bota e re”, gruaja shfaqet si e burgosur e një rendi mashkullor që e mohon zërin, por edhe si forcë që pret çlirimin përmes solidaritetit dhe veprimit kolektiv. 

Feminizmi i Selfixhesë nuk është individualist, por ajo beson në një aleancë mes grave dhe të rinjve përparimtarë, duke e parë barazinë gjinore si pjesë të një revolucioni më të gjerë shoqëror. Miqësia dhe bashkëpunimi me Musine Kokalarin e forcon këtë dimension, sepse shkrimi për to nuk është strehë intime, por mjet luftimi, një formë angazhimi politik dhe moral për çlirimin e gruas. Edhe pas internimit dhe zhgënjimit historik, figura e Selfixhesë mbetet feministe në thelb, sepse ajo nuk u tërhoq nga bindja se gruaja ka të drejtë të mendojë, të shkruajë dhe të shohë përtej kufijve që i imponohen. Feminizmi i saj nuk është i zhurmshëm, por këmbëngulës, i ndërtuar mbi fjalën e shkruar si akt kundërshtie dhe mbi idenë se liria e gruas nuk është dhuratë, por e drejtë që fitohet. Bazuar në fatet e grave që kishte njohur, ajo thotë: “Unë u ndërgjegjësova se të jesh grua nuk është fatkeqësi. Dhe kjo gjë duhet shpërndarë në familje dhe shoqëri.”

Kjo ishte, gruaja e parë shqiptare e cila botoi literaturë në Shqipëri, ideatore e divorcit të gruas nëse nëpërkëmbet, zhgënjehet ose keqtrajtohet. Quhet “ideatore e divorcit” jo sepse e shpiku ligjërisht divorcin, por sepse e artikuloi, e mbrojti dhe e legjitimoi publikisht si të drejtë të gruas shqiptare, në një kohë kur kjo ishte pothuajse e paimagjinueshme, pasi në shtetin modern vonë u pranua ligjërisht çështja e divorcit.  Fati i Selfixhes qe i tillë që u martua dhe vuajti shumë internime së bashku me burrin Xhemal Brojën, por idetë e saja ende rrojnë më shumë në formë legjendash se sa dokumetimesh dhe vetë figura e saj është frymëzim për shumë gra të reja që dëgjojnë për vajzën me nofkën e një Pëllumbeshe që qe aktiviste e madhe e lirisë.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera