Rreth 36% e grave në RMV heqin dorë nga vendi i punës ose qëndrojnë jashtë tregut të punës për t’u përkujdesur për fëmijët e tyre. Arsye kryesore për këtë është mungesa e kushteve nga ana institucionale për kujdes për fëmijët të cilët ende nuk kanë mbushur moshën gjashtë vjeçare, të cilët në total janë mbi 75 mijë fëmijë në nivel shtetëror. Kjo sipas ekspertëve shkakton pasoja afatgjate jo vetëm personale për familjet, por edhe shoqërore.
Në hulumtimin e bërë nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi (QBD) online janë anketuar 646 persona dhe janë realizuar 4 fokus grupe me prindër, nga ku është vërtetuar se mungesa e një sistemi për kujdesin e fëmijëve është arsyeja kryesore se përse gratë tërhiqen nga tregu i punës.
“Një total prej 36% e nënave krahasuar me 2% të baballarëve u përgjigjën se kujdesen për fëmijët deri në 2 vjeç gjatë orarit të punës. Mungesa e kopshteve që do të kujdeseshin për fëmijët nën 6 vjeç ndikon drejtpërdrejt në pasivitetin e grave në tregun e punës dhe fuqizimin e tyre ekonomik.”
Kujdesi për fëmijët të cilët ende nuk kanë mbushur moshën gjashtë vjeçare nga ana institucionale nuk përmbush nevojën e secilit fëmijë. Mbi 75 mijë fëmijë nuk përfshihen në sistem para moshës gjashtë vjeçare.
“Të dhënat zyrtare tregojnë se vendi ka mbulim të kufizuar të kujdesit të fëmijëve deri në moshën gjashtë vjeç, me një total prej 36,291 fëmijësh të cilët janë në përkujdesje, ose 34.5% të fëmijëve të moshës 0 deri në 6 vjeç dhe 45.5% të fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç. Kjo do të thotë se 75,874 fëmijë në vend mbeten të papërfshirë në arsimin parashkollor në vend.”
Eksperti i ekonomisë, Abil Baush, sqaron se ky fenomen që lë jashtë tregut të punës gratë, e që vjen si nga normat shoqërore por edhe nga pamjaftueshmëria e shërbimeve publike, sjell deri te penaliteti gjinor i kujdesit (care penalty).
“Kjo situatë përforcon pabarazinë gjinore strukturore, ku gratë “penalizohen” ekonomikisht për rolin e tyre riprodhues dhe të kujdesit. Në terma ekonomikë, kjo njihet si “penaliteti gjinor i kujdesit” (care penalty), i cili shfaqet në paga më të ulëta, pjesëmarrje më të dobët në tregun e punës dhe pabarazi të thella në sigurinë ekonomike afatgjatë.”
Edhe pse ky fenomen duket se tangon vetëm prindërt dhe familjen e ngushtë, Abil Baush numëron humbjen e produktivitetit dhe BPV-së, mungesën e fuqisë punëtore, të ardhura më të ulta tatimore dhe presion në buxhetin e shtetit si pasoja ekonomike me të cilat Maqedonia e Veriut përballet.
“Kur 36% e grave largohen nga tregu i punës për arsye kujdesi, pasojat për ekonominë e RMV janë të shumëfishta dhe serioze:
- Ekonomia humb një pjesë të konsiderueshme të kapitalit njerëzor. Gratë janë gjithnjë e më të arsimuara, por mosaktivizimi i tyre në tregun e punës ul: produktivitetin total, potencialin për rritje të BPV-së dhe kthimin nga investimet publike në arsim.
- RMV tash më përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe përjashtimi i grave për arsye kujdesi e përkeqëson këtë deficit dhe e bën ekonominë më pak konkurruese.
- Më pak gra të punësuara do të thotë: më pak tatime mbi të ardhurat, më pak kontribute sociale dhe varësi më e madhe nga transfertat sociale.”
PAPUNËSIA, ZGJEDHJE E OBLIGUESHME PËR GRATË
Qëndrimi i grave në shtëpi nuk është zgjidhje ekonomike, por simptomë e dështimit të politikave publike për kujdesin ndaj fëmijëve dhe barazinë gjinore. Gratë duhet të kenë mundësinë të bëhen nëna dhe të mos heqin dorë nga epitetet të cilat ato kanë mbajtur paraprakisht, e sidomos nga karriera dhe puna e tyre.
Viktimë e një sistemi që ka dështuar për ta bërë këtë është edhe M.Ç. Ajo për “Mollëkuqja” tregon se mos ofrimi i i kushteve që në mënyrë paralele të jetë nënë por edhe të punojë, e shtyu atë që të largohet nga tregu i punës.
“Vendosa ta lë punën sepse nuk kishte kush të kujdesej për fëmijët e mi ndërsa unë isha në punë. Mungesa e një kopshti ka një ndikim të madh sepse detyrohesh të qëndrosh në shtëpi dhe të mos punosh. Nuk ka alternativë tjetër, përveçse nëse ke ndihmë nga familja. Ndihesha e padobishme pavarësisht se kujdesesha për të dy fëmijët dhe kryeja obligimet tjera. Kjo situatë pati efekt shumë të keq te unë dhe në shëndetin tim mendor.” ”
E pyetur nëse do punonte nëse do kishte mbështetje për përkujdesje të fëmijëve, ajo përgjigjet me vendoshmëri se po.
“Po, për sa kohë që do të kisha mundësi, patjetër që do të punoja.”
Edhe Mirvete Alili, nënë e katër vajzave, ka zgjedhur të largohet nga vendi i punës për tu përkujdesur për fëmijës pasi që nuk ka pasur besim në kujdesin institucional.
“Gjithmonë e kam pasur të rëndësishme ti përkushtohem 100% familjes dhe vajzave të mia, të isha prezente si në rritje ashtu edhe në edukim. Nuk kam pasur besim të plotë në sigurinë dhe kujdesin që mund ti ofrohej fëmijëve të mi në Maqedoni andaj vendimi im ka qenë i prerë që kujdesin ndaj tyre ta marr vetë përsipër.”
PAPUNËSIA E NËNAVE RRIT SHKALLËN E VARFËRISË
Pavarësisht se a bëhet fjalë për zona urbane apo rurale, gratë janë ato që kujdesen për fëmijët dhe nuk punojnë, por dallimi thellohet në kohëzgjatjen e papunësisë dhe ndikimit të tij në kushtet ekonomike, shprehet Dimovska.
“Dallimi është se papunësia tek gratë nga zonat rurale është më afatgjatë, duke pasur parasysh se në zonat urbane një përqindje më e lartë e fëmijëve fillojnë të ndjekin kopshtin, ndërsa në zonat rurale ato nuk e kanë këtë mundësi. Kjo ndikon veçanërisht në gjendjen financiare të familjes, si dhe në mbështetjen që familja mund t’i ofrojë fëmijës për të arritur potencialin e tij më të madh.”
Rritja e numrit të fëmijëve është në proporcion të drejtë me thellimin e varfërisë në familje. Dimovska këtë e lidh me papunësinë e grave.
“Statistikisht, ndërsa numri i fëmijëve në familje rritet, rritet edhe shkalla e varfërisë. Kjo situatë ndikohet drejtpërdrejt nga papunësia e nënave që duhet të kujdesen për fëmijët parashkollorë. Kjo sigurisht që ndikon në karrierën e grave dhe në fuqinë e tyre ekonomike dhe pavarësinë financiare.”
Por largimi nga tregu i punës nuk ndikon vetëm në pavarësinë financiare, Abil Baush thekson se gratë në këtë rast përballen me humbje afatgjate.
“Nga këndvështrimi ekonomik, largimi i grave nga tregu i punës për shkak të mungesës së çerdheve dhe kostove të larta të kujdesit për fëmijët krijon humbje strukturore dhe afatgjata, jovetëm personale, por edhe shoqërore. Ato përballen me:
- Humbje kumulative të të ardhurave gjatë gjithë ciklit jetësor të punës;
- Ndërprerje të karrierës, humbje të përvojës dhe aftësive profesionale;
- Pensione më të ulëta, për shkak të viteve të humbura të kontributeve;
- Varësi ekonomike më të lartë, sidomos në rast divorci, papunësie të partnerit apo dhune ekonomike.”
Rrymat konzervatore arsyetojnë se kur gratë qëndrojnë në shtëpi dhe kujdesen për fëmijët, familjet në fakt kursejnë nga harxhimet, si harxhimet për çerdhe apo forma të tjera për kujdesjen e fëmijëve. Por Baush kundërshton këto qëndrime. Ai arsyeton se në periudhë afatgjatë, humbja që pëson familja nga mospunësimi i gruas është më e madhe se kursimet nga përkujdesja institucionale.
“Në afatshkurtër, disa familje mund të krijojnë perceptimin se janë “më mirë” financiarisht duke shmangur pagesën e çerdheve ose kopshteve private. Por analiza ekonomike tregon se humbjet afatgjata tejkalojnë dukshëm kursimet afatshkurtra. Humbjet reale përfshijnë: humbjen e një rroge të plotë ose të pjesshme, humbjen e progresit në karrierë dhe rrezik më të lartë nga varfëria.”
Duke u larguar nga tregu i punës, gratë jo vetëm që humbin pavarësin financiare dhe avansimin e mëtutjeshëm, ato predispozohen të jenë edhe viktima të dhunës në familje.





