Rritja e dhunës seksuale tek minorenët – mungesa e parandalimit, edukimit dhe mbështetjes psikologjike krijon një rrezik real

Shkruajnë: Fatos Grubi dhe Marta Stevkovska

Muajt e fundit jemi dëshmitarë të një rritjeje të numrit të rasteve të dhunës ndaj të miturve, sidomos dhunës digjitale me bazë gjinore dhe sextortion-it, ku gjithnjë e më shpesh të miturit shantazhohen për të kryer marrëdhënie seksuale ose për para, nën kërcënimin se në rrjetet sociale do të ndahet material eksplicit për ato. Sipas ekspertëve që i konsultuam për këtë temë, dhuna seksuale të cilën e përjetojnë të miturit është një alarm për lëshimet sistemike, mosnjohjen e dhunës, mungesën e parandalimit, mungesën e rregullimit në hapësirën digjitale dhe ekspozimin ndaj përmbajtjeve mizogjine dhe dezinformatave, por edhe edukimin e dobët, gjegjësisht mungesën e ESGj-së në shkolla.

Rastet në Manastir, Veles, Tetovë, Gostivar dhe qytete të tjera në të gjithë vendin kërkojnë një përgjigje të koordinuar nga më shumë institucione, si dhe ndërhyrje psikologjike dhe përgjegjësi sociale.

Rasti në Veles  

Disa të mitur nga Velesi, të cilët ende nuk i kanë mbushur 15 vjet, kanë regjistruar një video me përmbajtje seksuale eksplicite në telefonat e tyre celularë me një fëmijë tjetër, që gjithashtu nuk i ka mbushur 15 vjet. Ata e kanë përdorur videon për ta shantazhuar fëmijën dhe në këtë mënyrë kanë kryer vepër penale shantazhim dhe sulm seksual ndaj një fëmije që ende nuk i ka mbushur 15 vjet. Videoja po qarkullon mes nxënësve të shkollave fillore. Është regjistruar në rrugën “Vëllezërit Kapçevi”. Të gjithë fëmijët janë nga shkolla të ndryshme fillore në qytet. Një nga fëmijët në muajt e fundit është shfaqur si autor i veprës penale dhunë dhe rrahje në disa raste.

Rasti në Manastir 

Dy të mitur nga Manastiri disa herë me kërcënime i kanë detyruar dy të mitura të kryejnë marrëdhënie seksuale me forcë, duke i kërcënuar se posedojnë videomateriale të tyre, njoftuan nga SPB Manastir. Rastin në polici e ka paraqitur një banore 37-vjeçare e Manastirit, nëna e njërës prej vajzave.

Rasti në Gostivar

Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit deri tek Gjykatësi i Fëmijëve në Gjykatën e Gostivarit dorëzoi kërkesë për fillimin e procedurës përgatitore dhe propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për një fëmijë 15-vjeçar në konflikt me ligjin, i cili dyshohet se ka kryer një vepër penale të vazhdueshme – përdhunim të një fëmije nën moshën 15 vjeçare nga neni 188, paragrafi 1 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal. I dyshuari, në disa raste, duke përfituar nga mungesa e prindërve, ka joshur një vajzë pesëvjeçare në shtëpi dhe e ka përdhunuar atë. Gjykatësi i Fëmijëve e pranoi propozimin dhe caktoi paraburgim për fëmijën në konflikt me ligjin.

Rasti në Tetovë

Nëpunësit policorë të SPB Tetovë dhe stacionit policor së Kamjan në fshatin Sedlarcë i Epërm dhe në Tetovë kanë arrestuar një 18-vjeçar dhe një të mitur, të dy nga Tetova, duke vepruar në bazë të një kallëzimi nga një 37-vjeçare nga Tetova se në disa raste ata i kishin përdhunuar dy vajzat e saj të mitura, ndërsa në ndërkohë i kishin filmuar me telefon celular dhe njërën prej të miturave e kishin detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me persona të tjerë.

Numri i rasteve nga viti në vit po rritet

Përveç këtyre rasteve shqetësuese për rritjen e numrit të rasteve të dhunës midis të miturve flasin edhe të dhënat e Prokurorisë Publike, ku sipas Raportit për punën e prokurorive themelore në nivel të shtetit në vitin 2024 pranë PThP-së janë ngritur kallëzime penale kundër 1.260 fëmijëve, që përfaqëson 5,9% të vëllimit të përgjithshëm të punës lidhur me kallëzimet penale kundër autorëve të njohur të veprave penale. Sipas të njëjtit raport, është regjistruar edhe një rritje e numrit të personave që kanë kryer sulm seksual ndaj një fëmije nën moshën 14 vjeçare, nga 35 persona në vitin 2023 në 39 persona në vitin 2024.

Sipas analizës kumulative të MPB-së për kriminalitetin në përgjithësi numri i rasteve të përdhunimit të një fëmije që nuk ka mbushur 15 vjet nga viti 2022 deri në vitin 2024 është rritur për pothuajse 32 përqind, gjegjësisht nga 25 në 33 raste.

Këtë rritje të numrit  e vërtetojnë edhe të dhënat sipas Raportit Vjetor mbi punën e Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe për Gjendjen në Fushën e të Drejtave të Fëmijëve dhe Delikuencës së Fëmijëve në vitin 2023, raporti më i fundit në dispozicion. Në vitin 2023 940 fëmijë kanë kryer një kundërvajtje, ndërsa numri më i madh i kundërvajtjeve janë kryer në Tetovë (302), ndërsa më pak janë kryer në Strumicë (30). Numri më i madh i autorëve – 909 fëmijë ose 97% janë fëmijë të gjinisë mashkullore, ndërsa 31 fëmijë ose 3% janë të gjinisë femërore. Gjithashtu për herë të parë vihet re një rritje në numrin e fëmijëve të gjinisë femërore në rrezik, numri i të cilave në vitin 2023 është rritur për 52% krahasuar me vitin 2022.

Menosfera online paraqet rrezik për djemtë e rinj 

Gjithnjë e më shumë djem të rinj po bëhen shënjestra të përmbajtjeve toksike online që promovojnë mizogjini dhe dhunë. Në mungesë të edukimit dhe mbështetjes sistematike, këto hapësira – të njohura si “menosfera” – bëhen një kurth i rrezikshëm në të cilin të rinjtë përvetësojnë lehtësisht modele të gabuara dhe të dëmshme të maskulinitetit. Rastet e dhunës seksuale tek të miturit, në të cilën shumica e autorëve janë djem të rinj, janë një pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre përmbajtjeve toksike.

Sipas Ljupka Trajanovska, studiuese e çështjeve gjinore, arsyeja kryesore se pse ka një rritje të dhunës seksuale tek të miturit është mungesa e parandalimit.

“Në shkolla ne ende nuk kemi një program të përshtatshëm me të cilin fëmijët do të mësojnë si t’i njohin format e ndryshme të dhunës me bazë gjinore në botën reale, por edhe në hapësirën online, përfshirë këtu edhe dhunën seksuale. Mungesa e kapaciteteve, vullnetit dhe/ose motivimit tek mësimdhënësit për të folur me fëmijët rreth këtyre temave, si dhe paaftësia e prindërve për t’u përballur vetë me këto fenomene, çon në një rritje gjithnjë e më të madhe të dhunës midis dhe ndaj të rinjve. Përveç kësaj, aplikacionet e komunikimit në botën digjitale krijojnë mundësi që autorët e veprave penale të krijojnë kontakt anonim dhe të shpejtë me të miturit, të ndërtojnë besim dhe më pas të ushtrojnë presion, shantazh ose zhvatje. Shumë të rinj nuk janë plotësisht të vetëdijshëm se si një përmbajtje përhapet në mënyrë të përhershme dhe të pakontrolluar pasi ajo të ndahet online. Mungesa e edukimit sistematik gjithëpërfshirës seksual dhe diskutimeve rreth privatësisë digjitale, si dhe sanksionimi joadekuat, lënë hapësirë ​​për krijimin e abuzuesve dhe grabitqarëve seksualë”, shpjegon Trajanovska.

Sipas saj, mizogjinia dhe menosfera online gjithashtu kontribuojnë që të rinjtë të marrin informacione të rrejshme dhe të rrezikshme, veçanërisht në vitet kur formohet identiteti dhe vlerat e tyre.

“Hapësirat online, veçanërisht ato që fshihen pas vellos të patriotizmit dhe vlerave patriarkale ku gratë portretizohen si armike, manipuluese ose si “të pavlera” për respekt, e minojnë empatinë dhe e inkurajojnë shikimin e grave si objekte, jo si partnere të barabarta. Disa segmente ekstreme të menosferës e romantizojnë ose justifikojnë dhunën seksuale dhe fizike si një mënyrë për ta “rimarrë pushtetin” ose për t’i “disiplinuar” gratë, gjë që mund të ndikojë në gatishmërinë e të rinjve për ta pranuar sjelljen e dhunshme si legjitime. Në arsim dhe debat publik shpesh mungojnë modelet pozitive dhe të shëndetshme të maskulinitetit, kështu që pa mendim kritik dhe edukim mediatik të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj pranimit të mesazheve toksike online si “të vërteta”, thotë Trajanovska.

Sipas Vesna Matevska, udhëheqëse e programit në HERA dhe psikologe, hapësira online sot është plot me përmbajtje që promovojnë modele toksike të maskulinitetit, mizogjinisë dhe agresionit ndaj grave.

“Kultura Incel dhe “maskuliniteti toksik” shpesh nxisin ndjenjë frustrimi, urrejtjeje dhe izolimi tek të rinjtë meshkuj, sidomos tek ata që tashmë përballen me vetëbesim të ulët ose vështirësi sociale. Këto komunitete krijojnë një imazh të rremë për marrëdhëniet dhe gratë, e normalizojnë agresionin dhe i largojnë djemtë nga mënyrat konstruktive për përballje me sfidat personale. Pasojat për shëndetin mendor mund të jenë të rënda – nga depresioni dhe ankthi deri te zhvillimi i qëndrimeve të dhunshme. Ata mund t’i jepen përdorimit të alkoolit dhe drogës për ta kapërcyer krizën, situatën e pakëndshme ose për t’i zgjidhur problemet që i kanë”, thotë Matevska.

Ajo shton se arsyet janë një kombinim i papjekurisë, moskuptimit të mjaftueshëm të pasojave dhe ndikimit të fortë të bashkëmoshatarëve.

“Disa të rinj këto ‘shaka’ ose ‘sfida’ i shohin si një mënyrë për të fituar status, ndonjëherë hakmarrje për dashuri të pakthyer. Fatkeqësisht, kjo ndodh gjithmonë pa e kuptuar se është një vepër penale me pasoja afatgjata si për viktimën ashtu edhe për ata. Mungesa e edukimit formal seksual e rrit këtë rrezik, sepse të rinjtë nuk i kanë mjetet për t’i dalluar kufijtë, pëlqimin dhe sigurinë digjitale”, shpjegon Matevska.

HERA hapi edhe Qendrën e parë për Mbështetje dhe Këshillimi për Meshkuj, qëllimi kryesor i së cilës është t’i mbështesë meshkujt në zhvillimin e tyre personal dhe kështu të rriten në persona të përgjegjshëm që marrin përgjegjësi për veten dhe sjelljen e tyre. Shërbimet janë falas, konfidenciale dhe mund të përdoren nga të gjithë djemtë dhe burrat që përballen me një sfidë të caktuar në jetën e tyre.

Sipas Matevskës, ky është një hap i rëndësishëm, sepse tradicionalisht djemtë dhe burrat përballen me presion të fuqishëm shoqëror për të qenë “të fortë” dhe për të mos treguar vulnerabilitet.

“‘Mos qaj, ti je burrë’ është një mesazh që dërgohet shpesh. Ky stereotip krijon pengon kërkimin e ndihmës. Përvoja jonë tregon se djemtë e rinj që drejtohen pranë Qendrës zakonisht vijnë për shkak të ndonjë krize konkrete – probleme në marrëdhënie, konflikte familjare, probleme në shkollë, ankth ose pasoja nga presioni nga bashkëmoshatarët. Numri i tyre rritet në veçanti kur e zbulojnë se shërbimi është konfidencial, pa pagesë dhe pa paragjykime. Këshillimi mund të bëhet me prani fizike ose online”, shton Matevska.

Dimensioni psikologjik: njohja, parandalimi dhe shërimi nga trauma

E përderisa është e rëndësishme që t’i dimë arsyet strukturore dhe kulturore që qëndrojnë pas rritjes së dhunës seksuale tek të rinjtë, perspektiva psikologjike e zbulon rëndësinë e ndërhyrjes së hershme dhe mbështetjes profesionale. Psikologia Sumea Ramadani thekson se njohja e shenjave të abuzimit seksual tek fëmijët është çelësi, si për parandalimin ashtu edhe për shërimin. Këto shenja shpesh janë suptile, por kur injorohen, ato mund të kalojnë në traumë afatgjatë me pasoja të thella.

Kultura jonë, si shumë të tjera, kultivon norma që e idealizojnë heshtjen, durimin dhe sakrifikimin, duke i minimizuar përvojat reale të dhunës”, thotë Ramadani. “Ky sistem prodhon simptoma që ndonjëherë nuk lidhen menjëherë me dhunën, por që janë shenja klasike të traumës: simptomat më të shpeshta universale të dhunës seksuale janë: çrregullimi i gjumit (makthe, pagjumësi, neveri ndaj prekjes); problemet në marrëdhëniet emocionale: mosbesimi, frika nga intimiteti; çrregullimet e të ushqyerit (anoreksia, bulimia); vetëlëndimi (prerje, tentativa për vetëvrasje); faji, turpi, depresioni i fshehur pas sjelljes agresive ose tërheqjes; zhvillimi i identiteteve të dyfishta si një mekanizëm shpëtimi nga trauma (siç përshkruhet nga Alisa Miller në “Drama e fëmijës së talentuar”).”

Shkollat, si mjediset primare ku fëmijët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre, luajnë një rol qenësor. Mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale në shkolla shpesh herë janë të rriturit e parë jashtë familjes që e vënë re ndryshime në sjellje, por shumë prej tyre nuk e kanë trajnim ose burime për të kuptuar se ndryshime të tilla mund të tregojnë për abuzim. Ramadani e thekson rëndësinë e pajisjes së këtyre profesionistëve me njohuri dhe mjete për të reaguar në kohën e duhur.

“Psikologët dhe edukatorët nuk mund të veprojnë vetëm si informues, por edhe si ndërmjetës të ndryshimit të mentalitetit familjar, duke e çuar temën e pëlqimit dhe kufijve personalë nga një “temë tabu” në një temë edukative dhe shpëtimtare për të ardhmen e fëmijëve. Psikologët dhe edukatorët kanë një rol vital në ndërmjetësimin midis njohurive profesionale dhe realitetit kulturor të familjeve shqiptare, ku tema shumë të ndjeshme, siç janë trupi, seksualiteti ose kufijtë personalë, shpesh përfundohen me heshtje, turp ose ndalesë. Për të inkurajuar biseda të hapura dhe edukative rreth pëlqimit dhe parandalimit të dhunës seksuale, qenësore është që qasja e tyre të mos jetë vetëm informuese ose didaktike, por edhe thellësisht humane, empatike dhe sensitive ndaj traditës dhe mentalitetit të komunitetit në të cilin punojnë.”

Në të njëjtën kohë edhe familjet duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Konceptet e tilla si kufijtë – çfarë janë ato, si respektohen dhe si t’u shpjegohen fëmijëve në mënyrë që të mund t’i mbrojnë ata – ende nuk kuptohen mirë, e madje janë ende tabu në shumë familje. Pa këtë ndërgjegjësim fëmijët mbeten të cenueshëm, ndërsa sjelljet e dëmshme normalizohen ose injorohen. 

Si përfundim, stigma që i rrethon vizitat te psikologët ose këshilltarët vazhdon të pengojë shumë viktima dhe familjet e tyre të kërkojnë ndihmë. Ramadani thekson se mbështetja psikologjike profesionale nuk është vetëm për momentet e krizës, por gjithashtu është edhe një hap vendimtar drejt shërimit, qëndrueshmërisë dhe ndërprerjes së cikleve të abuzimit.

Fjalia “shko te psikologu” ende mbart barrën e një stigme që përkthehet si “ti je i çmendur”. Për këtë arsye shumë viktima të dhunës seksuale heshtin – jo vetëm për shkak të traumës, por edhe nga frika se mund të fajësohen, nënçmohen ose injorohen. Këtu qëndron një nga problemet më qenësore dhe të padukshme në komunitetet tona: mungesa e edukimit emocionale dhe seksuale në familje. Shumë prindër, madje edhe edukatorë ose anëtarë të komunitetit, nuk e dinë me saktësi se çfarë është dhuna seksuale. Ata e perceptojnë dhunën vetëm në format e saj më të rënda, siç është përdhunimi fizik, duke i injoruar format më të shpeshta dhe po aq traumatike: prekjet e papërshtatshme, komentet për pamjen fizike, shikimet kërcënuese, ngacmimet verbale dhe madje edhe shkeljet e privatësisë trupore të një fëmije në emër të edukimit ose disiplinës. Kjo mungesë e njohurive shpesh bën që prindërit, në mënyrë të pavetëdijshme, t’i minimizojnë, justifikojnë ose normalizojnë sjelljet që realisht janë abuzive. Një shembull konkret është kur një i afërm e ngacmon verbalisht një vajzë të vogël për trupin e saj në zhvillim, ndërsa familja e kalon këtë me një buzëqeshje duke thënë “nuk është asgjë, po bën shaka”. Ose kur një vajzë nuk ndihet rehat me përqafimet e një të rrituri, por detyrohet të sillet “kulturalisht” dhe ta pranojë kontaktin fizik në mënyrë që të mos e “turpërojë familjen”. Në një realitet të tillë, ku vetë koncepti i kufijve personalë nuk ekziston në edukimin e hershëm familjar, fëmija rritet pa ndjeshmëri për trupin e tij dhe pa të drejtën për të thënë “jo”. Dhe kur kjo ndodh, edhe sikur të përjetojë një abuzim të qartë, ai ose ajo në fjalor nuk i ka fjalët për të përshkruar përvojën, nuk e kupton se çfarë ka ndodhur dhe, më e rëndësishmja, nuk ndjen se ka liri për të treguar për atë përvojë.

Duke i bashkuar këto hallka, ndikimin e menosferës, mungesën e edukimit gjithëpërfshirës seksual dhe mungesën e strukturave për mbështetje psikologjike, zbulohet një ekosistem shqetësues në të cilin dhuna ndaj fëmijëve edhe prodhohet dhe mbetet e pa adresuar. Përballja me këtë problem kërkon si reformë sistemike, ashtu edhe një ndryshim kulturor drejt njohjes së të drejtave të fëmijëve, mirëqenies së tyre psikologjike dhe nevojës emergjente që zëri i tyre të merret seriozisht.

Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”,dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Të tjera