Në filmin artistik “Burri i Shtëpisë” (Man of the House), aktorja e mirënjohur nga Maqedonia e Veriut, Drita Kaba Karaga vjen me rolin kryesor të një burrneshe, Franin, një grua që jeton si burrë për të mbrojtur familjen dhe për të ruajtur nderin e saj. Ky rol i kërkoi përgatitje intensive emocionale dhe fizike, si dhe një reflektim të thellë mbi realitetin e grave që sakrifikojnë veten për të tjerët.
Tema e burrneshës në kinematografinë shqiptare, ka qenë një ndër elementët që ka tërhequr interesin edhe të kinemasë botërore. Përmes këtij filmi, historia e grave që sfidojnë normat dhe rolet tradicionale gjinore zgjerohet përtej kufijve lokalë, duke kontribuar në diskutimin global mbi forcën, guximin dhe sakrificën e grave. Në këtë intervistë, Drita flet për sfidat më të mëdha gjatë ndërtimit të personazhit, për mënyrën se si e ka ndjerë dhe interpretuar historinë e Franit.
- Si e pranuat rolin e Franit dhe çfarë ju tërhoqi më shumë në këtë histori?
Sapo lexova skenarin, Frani më la përshtypje për mënyrën se si ka zgjedhur ta përballojë jetën duke e vetmohuar veten. Ajo sakrifikon jo vetëm për vete, por edhe për të afërmit e saj. Kjo ndjesi e sakrificës, e fortësisë që fsheh brenda një butësi të madhe, më tërhoqi menjëherë.
- Si u përgatitët emocionalisht dhe fizikisht për ta portretizuar një burrneshë?
Frani përpiqet të jetë e ashpër, të shajë si “burrat”, të pijë raki, të shtyhet për radhën dhe të bëhet arrogante. Por në brendësi është një zemër gruaje që dikur ka dashuruar gjë që e shpreh përmes raportit me shoqen e saj, pas aksidentit. Për t’u futur në këtë rol, më duhej të balancoja forcat e jashtme me emocionet e fshehta, që ndonjëherë Frani as vetë nuk i pranon.
- Cilat ishin sfidat më të mëdha në ndërtimin e këtij personazhi?
Raporti i ashpër i Franit me fëmijët, sidomos me Zanën, ka qenë një sfidë më vete. Ishte e vështirë të qëndroja në atë ashpërsi që kërkonte roli, sepse unë vetë nuk do ta bëja kurrë. Megjithatë, përmes këtij raporti shfaqet edhe naiviteti i Franit, që mendon se ashpërsia është mënyra më e mirë për të rritur një vajzë.
- Si është të luash një rol që mbart një histori të rëndë jetësore?
Është një përvojë që të përpin emocionalisht. Frani më la gjurmë, sepse ajo bart barrën e një jete të rëndë, por pa u ankuar kurrë. Ajo përballon gjithçka me punë të ndershme, edhe pse lodhet shumë e fiton pak.
- A patët kontakte ose referenca me gra që kanë jetuar në të njëjtin realitet si Frani?
Jo drejtpërdrejt, por përmes rrëfimeve të grave të forta që kam njohur gjatë jetës sime, ndjeva shumë nga shpirti i burrneshave. Atë ndjenjën e sakrificës që e shndërron dhimbjen në forcë.
- Çfarë përfaqëson Frani për ju personalisht?
Frani përfaqëson një grua që zgjedh të shpëtojë duke u fshehur pas një petku mashkullor, por pa e humbur kurrë thelbin e saj njerëzor. Ajo është simbol i mbijetesës, i dashurisë që nuk shprehet me fjalë, por me vepra.
- Si e shihni figurën e burrneshës në shoqërinë shqiptare?
Figura e burrneshës është e ngarkuar me mit, por edhe me tragjedi. Ajo është grua që ka sakrifikuar feminitetin për nderin, familjen, mbijetesën. E admiroj, por edhe më dhemb.
- Çfarë mesazhi doni që publiku të marrë nga ky personazh?
Që forca nuk është gjithmonë britmë apo ashpërsi. Forca e vërtetë është të mbetesh njeri, edhe kur jeta të detyron të jesh diçka tjetër.
- A ndikon barra familjare në jetën dhe zgjedhjet e Franit?
Shumë. Frani e ndërton gjithë ekzistencën e saj mbi përgjegjësinë. Ajo e vë familjen mbi çdo gjë dhe shpesh harron veten. Kjo e bën të fortë, por edhe të vetmuar.
- A mendoni se roli i Franit është një formë rezistence apo sakrifice?
Të dyja. Ajo reziston përmes sakrificës. Është një figurë që nuk dorëzohet, por as nuk jeton plotësisht për veten e saj.
- Si ju ka ndryshuar juve si aktore ky rol?
Ky rol më ka bërë të kuptoj më thellë se sa shumë shtresa ka brenda një gruaje. Më mësoi që pas çdo ashpërsie fshihet një dhimbje, dhe pas çdo dhimbjeje një dashuri e madhe e pashprehur.
- A ka ndikuar kjo përvojë në mënyrën si e shihni gruan dhe rolin e saj në familje?
Po, padyshim. Më ka bërë të reflektoj mbi sakrificat që gratë bëjnë shpesh në heshtje. Shpesh janë ato që mbajnë peshën më të rëndë, pa e kërkuar kurrë mirënjohjen.
- Cili ishte momenti më prekës gjatë xhirimeve?
Me fëmijët kam kujtime shumë të bukura. Jashtë xhirimeve qeshnim e kënaqeshim, por gjatë skenave isha e detyruar të sillem si Frani. Ditën e parë njëri nga fëmijët më pyeti: “O xha Fran, ti je çun apo gocë?” Nuk u përgjigja, dhe nga komentet e tyre kuptova se dukesha bindshëm në rolin tim. Ishte momenti kur e ndjeva se Frani po merrte jetë brenda meje.
- Dilemat e Franit rreth përcaktimit gjinor ishin të mëdha, por më shumë ngjante me një grua që kishte zgjedhur të shpëtojë nën petkun e një burri. A pajtoheni me këtë?
Po, pikërisht kështu e shoh edhe unë. Frani nuk donte të ishte burrë, ajo donte të mbijetonte. Ishte një mënyrë për t’i shpëtuar vetes dhe familjes në një botë ku gruaja kishte pak hapësirë.
- Nëse do ta takonit Franin jashtë filmit, çfarë do t’i thoshit?
Do t’i thosha: “Tani mund të pushosh. Ke bërë mjaft. Nuk ke pse të jesh më e fortë gjithë kohën.”
“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”





