Foto: UN Women North Macedonia
Foto: UN Women North Macedonia

Pullë e re postare në RMV për nder të rolit të grave në ndërtimin e paqes 

Me rastin e 25-vjetorit të Rezolutës historike 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Zyra e UN Women në Maqedoninë e Veriut dhe Posta e Maqedonisë së Veriut promovuan pullën dhe vulën postare përkujtimore kushtuar udhëheqjes së grave në ndërtimin e paqes dhe sigurisë. 

Rezoluta 1325, e miratuar më 31 tetor të vitit 2000, njeh rolin thelbësor të grave në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, në bisedimet paqësore, ndërtimin e paqes, misionet paqeruajtëse, reagimin humanitar dhe rindërtimin pas konflikteve. 

Pulla dhe vula postare përkujtimore janë dizajnuar nga Nita Haxhihamza Gashi, dizajnere dhe feministe e talentuar, e njohur për shprehjen e saj të guximshme vizuale. Dizajni paraqet një grua që qëndron krenare dhe e palëkundur, simbol i qëndrueshmërisë dhe forcës, duke lëshuar një pëllumb të bardhë që fluturon lirshëm drejt qiellit.  

Pëllumbi përfaqëson thirrjen universale për paqe, duke jehuar shpresën që çdo grua dhe vajzë mbartin brenda vetes për një botë më të sigurt, më të drejtë dhe më të barabartë. Ngjyrat e ndezura blu dhe të verdha, si dhe vijat e pastra të dizajnit, shprehin njëkohësisht butësi dhe vendosmëri, duke përfaqësuar fuqinë e qëndrueshme të grave që udhëheqin, mbrojnë dhe ndërtojnë komunitete edhe në kohë pasigurie. 

“Kjo pullë përkujtimore është një kujtesë e bukur e guximit, këmbënguljes dhe përkushtimit të palëkundur të grave ndaj paqes – dhe se paqja nuk ndërtohet vetëm në tryezat e bisedimeve, por edhe në shtëpi, në komunitete dhe në zemrat ku gratë qëndrojnë çdo ditë në vijën e parë,” tha Vesna Ivanoviç-Castarede, udhëheqëse e Zyrës së UN Women në Maqedoninë e Veriut. 

“Ajo dërgon një mesazh të fuqishëm për brezat e ardhshëm se paqja dhe siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihen pa pjesëmarrjen, lidershipin dhe zërin e barabartë të grave. Paqja është shpresë dhe harmoni, dhe është shumë më tepër sesa mungesa e konfliktit. Paqja fillon me secilin prej nesh.” 

Kjo nismë përfaqëson një partneritet midis UN Women dhe institucioneve vendore për avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Gjatë 25 viteve të fundit, kjo agjendë është bërë shtyllë e përpjekjeve globale për të siguruar pjesëmarrje më të madhe të grave në proceset vendimmarrëse në sektorët e mbrojtjes dhe sigurisë. 

“Një pullë postare është më shumë se një simbol – ajo udhëton, bart mesazhe, lidh njerëzit dhe rrëfen histori. Kjo pullë tregon historinë e grave që ndërtojnë ura aty ku dikur qëndronin mure, dhe për forcën e tyre që mban gjallë paqen,” theksoi Dimitar Dimitrovski, analist i komunikimit në UN Women Maqedonia e Veriut.  

“Çdo letër që do ta mbajë këtë pullë do të bartë një simbol dhe një dëshirë që paqja të arrijë në çdo shtëpi dhe në çdo zemër.” 

Përmes kësaj nisme, Maqedonia e Veriut u bashkohet përpjekjeve globale në nder të trashëgimisë së Rezolutës 1325, dhe për të riafirmuar angazhimin për fuqizimin e grave si krijuese të paqes dhe sigurisë në komunitetet e tyre dhe në botë.   

Pulla dhe vula postare përkujtimore janë të disponueshme në Postën e Maqedonisë së Veriut që nga data 30 tetor 2025. 

Të tjera