Safety-(7).png

Varfëria menstruale, gratë në RMV me „alternativa" në mungesë të produkteve menstruale

MARRE

May 28th, 2022

Në ditën ndërkombëtare të higjienës menstruale, gratë ngrenë zërin edhe për një shqetësim tjetër jetik, varfërinë menstruale. Ky nocion, si i tillë, njihet shumë pak nga vajzat, gratë dhe të tjerët që kanë menstruacione, por një numër i konsiderueshëm i tyre e kanë përjetuar atë të paktën një herë në jetë. Produktet për higjienë dhe rehati gjatë menstruacioneve janë relativisht të kushtueshme edhe pse janë të domosdoshme. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut i tatimon si të mira luksi dhe jo si produkte ekzistenciale.

Shembull, nëse produktet si ushqimet, ilaçet dhe kompjuterët kanë vetëm 5% TVSH; shtrojat (pecetat menstruale), tamponët, filxhani menstrual dhe të ngjashme, kanë 18% TVSH, duke u futur kështu në grupin e të mirave luksoze.  

E sa është luks mbajtja e higjienës gjatë një procesi kaq natyror dhe të pashmangshëm dhe sa personat që kanë menstruacione arrijnë t’i mbulojnë këto shpenzime, flasin analizat dhe aktivistët që ngrenë zërin për këtë shqetësim.

SEKTORI CIVIL U JEP ZË GRAVE PËR VARFËRINË MENSTUALE

Në bazë ditore në botë mbi 800 milion njerëz kanë menstruacione. Prej tyre 500 milion nuk kanë qasje në resurse adekuate për kujdes gjatë ditëve të menstruacioneve dhe nuk janë të informuar për t’u marrë me sfidat që vinë me ciklin menstrual.

Gjendja në vend nuk është aspak më e favorshme. Për shumë prej personave që kanë menstruacione, mbajtja e higjienës, kujdesi dhe rehatia janë vështirë të arritshme, në të shumtën e rasteve, për shkak të disbalancit gjinor në punësim, dallimit në rroga, varësisë ekonomike nga dikush tjetër, etj. Shpesh mungesa e qasjes te këto produkte, është arsyeja e mungesës së vajzave në shkollë, kurse, përdorimi i gjërave të papërshtatshme si zëvendësim, jo rrallë paraqet rrezik për pasoja shëndetësore.

Secila grua e varur ekonomikisht ka dy mundësi: të varet financiarisht nga prindërit dhe/ose partneri gjatë blerjes së shtrojave ose tamponëve, ose të përdorë produkte të papërshtatshme për ta mbajtur higjienën menstruale siç janë peshqirët ose pëlhura, letër tualeti madje edhe gazeta. Vajzat në moshë shkollimi të cilat nuk mund t’i lejojnë vetes të blejnë produkte menstruale në ditët kur kanë menstruacione, janë të detyruara të mungojnë nga shkolla, mesatarisht 3-4 në muaj. Kjo, në masë të madhe është e rrezikshme për shëndetin seksual dhe riprodhues por gjithashtu ndikon negativisht në pozicionin social dhe ekonomik të grave dhe vajzave në shoqëri

Lupka Trajanovska nga Qendra për kërkim dhe krijimin e politikave (anëtare e Rrjetit rajonal për buxhetim të përgjegjshëm gjinor).

Një studim i “Tiiiit Ink” i vitit 2021, mbi qasjen deri te higjiena menstruale në Maqedoninë e Veriut, mbi vlerësimin gjendjes me varfërinë menstruale dhe rekomandimet për avancimin e politikave, tregon se produktet më të njohura sanitare për higjienë menstruale janë shtrojat (91%) kurse më pak se çereku përdorin tamponë. Rreth 8% përdorin produkte sanitare shumëpërdorimshe (filxhanë menstrualë ose shtroja të ripërdorueshme).

Gratë dhe vajzat e anketuara kanë konfirmuar barrën që ua imponon ky proces biologjik secilin muaj.

  • 77% e grave dhe vajzave të anketuara harxhojnë nga 101 deri më 400 denarë në muaj për produkte të higjienës menstruale.

  • Për marrjen e udhëzimit mjekësor 64% harxhojnë 300 denarë në muaj.

  • 39% ndonjëherë blejnë produkte më të lira se ata që i konsiderojnë më të mira për to.

  • Pothuajse çdo e treta grua ose vajzë të paktën një herë në jetë nuk ka pasur para të blejë shtroja dhe ka qenë e detyruara të improvizojnë me pëlhura, peshqirë, letër tualeti (kurse gjysma e grave dhe vajzave këtë e kanë bërë më shumë herë).

Studimi i “Tiiit Ink”; A jeni gjendur të paktën një herë në jetë në situatë kur s'keni pasur para të pleni peceta dhe keni qenë të detyruara të improvizoni me pëlhurë, letër tualeti, etj.?

SITUATA NË TERREN

Në kuadër të analizës vizituam dyqane në Shkup. Çmimi i shtrojave, për një cikël menstrual lëviz nga 80 deri 180 denarë. Shembull nëse marrim çmimin e njërit prej këtyre produkteve, 159 denarë, 29 denarë prej tyre janë 18%-shi i TVSH-së. Nëse ky produkt do të shitej me TVSH 5%, do të kushtonte rreth 20 denarë më pak.

Çmimet e filxhanëve menstrual sillen nga 1950 deri 2050 denarë.

ÇMIMET E FILXHANËVE MENSTRUAL SILLEN NGA 1950 DERI 2050 DENARË.

Çmimet e tamponëve fillojnë nga 65 denarë deri 200 denarë.

ÇMIMET E TAMPONËVE FILLOJNË NGA 65 DENARË DERI 200 DENARË.

Çmimet, foto: Mollekuqja.

ÇMIMET, FOTO: MOLLEKUQJA.

Çmimet, foto: Mollekuqja.

ÇMIMET, FOTO: MOLLEKUQJA.

PRODUKTET MENSTRUALE NUK JANË LUKS

Aktivistët për të drejtat e grave thonë se është koha që Maqedonia e Veriut të ndryshojë ligjet dhe “rregullat e lojës”.

Produktet menstruale nuk janë luks. Me qëllim që të mundësohet qasje te produktet menstruale për të gjithë gratë pavarësisht të ardhurave financiare dhe përkatësisë sociale, kërkojmë që produktet menstruale të tatimohen me normë preferenciale 5%

Lupka Trajanovska nga Qendra për kërkim dhe krijimin e politikave.

Kur bëhet fjalë për shëndetin, higjienën dhe mirëqenien e grave dhe vajzave që kanë menstruacione, ata kërkojnë përfshirjen e më shumë aktorëve, institucioneve qendrore dhe atyre lokale; produkte pa pagesë në shkolla.

“Absolutisht është i nevojshëm subvencioni i një pjese të harxhimeve të higjienës menstruale siç është filxhani menstrual, por edhe edukimin dhe promovimin e përfitimeve nga përdorimi i tij. Përdorimi i filxhanit menstrual është i sigurt, është shumëpërdorimësh dhe e ndot më pak mjedisin jetësor. Nga ana tjetër, nxënëset e shkollave fillore dhe të mesme të cilat kanë menstruacione duhet të lirohen plotësisht nga shpenzimet e mbajtjes së higjienës menstruale. Çdo komunë duhet të ndajë mjete nga buxheti i saj me të cilat në nivel mujor do të sigurohen produkte për mbajtjen e higjienës menstruale”, shtoi Trajanovska.

Analiza e bërë (Reaktor dhe Tiiit Ink) tregon se në vit në Maqedoninë e Veriut duhet të ndahet vetëm 0.08294% e buxhetit për t’u siguruar produkte menstruale pa pagesë për nxënëset e shkollave fillore dhe të mesme.

Qyteti i Shkupit pak kohë më parë ka marrë përsipër të sigurojë produkte për mbajtjen e higjienës menstruale për të gjitha nxënëset e shkollave të mesme por mbetet të shihet zbatimi.

Gratë dhe vajzat e anketuara në studimin e lartpërmendur janë deklaruar për ndryshime.

  • 90% janë pajtuar se duhet të ketë produkte pa pagesë për higjienë menstruale në objektet publike.

  • 98% do të mbështesnin lirimin e tërësishëm nga TVSH-ja ose uljen e tatimit nga 18% në 5% për t’u ulur çmimi final i tyre.

INSTITUCIONET HESHTIN, NUK PËRGJIGJEN PËR KËRKESAT E SEKTORIT CIVIL

Për të reduktuar varfërinë menstruale është i nevojshëm veprimi i institucioneve. Nga sektori civil pranojnë se deri tani, institucionet e vendit nuk kanë qenë shumë të preokupuar më këtë temë. Në drejtuam pyetje në Ministrinë e Financave por nuk morëm përgjigje. Pyetjet në adresë të këtij dikasteri ishin:

  • Cili është qëndrimi i Ministrisë së Financave për kërkesat e sektorit civil? A është e mundur ulja e TVSH-së për produktet e higjienës menstruale?

  • A planifikon Qeveria subvencionimin e produkteve të higjienës menstruale, veçanërisht për kategoritë sociale si dhe për shkollat fillore dhe të mesme?

Pyetje të ngjashme dërguam edhe në Ministrisë e Punës dhe Politikës Sociale e cila ka kompetenca në përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri.

  • Çfarë roli ka Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në përmirësimin e kësaj situate (varfërisë menstruale)?

  • A keni propozime konkrete ose plane se si të veproni në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente?

As nga ky institucion nuk morëm përgjigje.

LIGJI PËR TATIMIN E VLERËS SË SHTUAR

Sipas sistemit tatimor të vendit, ekzistojnë disa lloje të përllogaritjes së tatimeve.

  • 18% - Zbatohet për të gjithë prodhimin dhe importin, përveç për prodhimin dhe importin i cili tatimohet me normën tatimore preferenciale (ku hynë produktet dhe shërbimet që kanë 5% TVSH)

  • 5% - Në normën tatimore preferenciale përfshihen:

  • Produkte ushqimore dhe uji i pijshëm nga sistemet publike të ujësjellësit

  • Publikime

  • Produkte për kultivime bujqësore

  • Kompjuterë

  • Barëra

  • Pajisje mjekësore për invalidë

  • Produkte për foshnjë

  • Pajisje për shkollë, libra, lapsa, etj.

Ka dhe kategori të shërbimeve dhe produkteve që tërësisht lirohen nga tatimi.

PROTESTË, PËR HIGJIENË DHE SHËNDET MENSTRUAL

Rrjeti për buxhetim të përgjegjshëm gjinor, Gazetarë për të drejtat e njeriut, Platforma për barazi gjinore dhe Period Movement Skopje, të hënën para Ministrisë së Financave do të protestojnë për të shpalosur kërkesat e tyre. Ata do të dorëzojnë propozimin për uljen e tatimit për produktet menstruale.

Skocia është vendi i parë dhe i vetëm në botë i cili që nga viti 2020 detyron të gjithë institucionet publike, shkollat, universitetet, të mundësojnë produkte menstruale pa pagesë në ambientet e punës. Ulja e tatimit për produktet menstruale mes 5-6% është bërë tashmë në Belgjikë, Holandë, Portugali, Francë, Qipro.

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi

Fatlume Dervishi është gazetare e diplomuar dhe redaktore në televizionin Alsat M. Ajo ka kryer studimet master për Marrëdhënie me Publikun. Fatlumja shkruan më tepër për tema politike, të edukimit dhe të diplomacisë. Ajo ka marrë pjesë në shumë projekte tjera për verifikim të fakteve.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia