Kur shkenca bëhet armë e fortë kundër patriarkatit: Përse gratë duhet ta kuptojnë kiminë?

*spoiler alert

Është viti 1961 dhe Elizabeth Zott po jeton një jetë jashtë kallëpit që shoqëria ka për gratë. Ajo është një kimiste, nënë e vetme, e cila po bën luftën e saj me botën për t’u marrë seriozisht. Partneri i saj, Calvin Evans, i cili humb jetën shumë i ri, i lë një “dhuratë” asaj: vajzën e tyre Mad Zott. Njësoj si Zott, edhe Evans ishte një kimist, shumë më i famshëm normalisht, sepse ishte burrë.

Elizabeth është një grua që refuzon normat shoqërore. Nëna e saj i kishte rritur me idenë që vlera e një gruaje varet nga fakti se sa mirë martohet ajo. Pikërisht kjo është arsyeja se përse Zott refuzon ofertën e Evans për martesë. Ajo nuk do që në asnjë moment arritjet e saj akademike të lidhen me emrin e partnerit të saj, apo t’i llogariten atij në llogarinë e sukseseve. Sepse ashtu ndodhte asokohe, gratë nuk shiheshin si të afta dhe intelegjente, andaj gjithçka ju faturohej burrave të tyre si sukses.

Sipas Zott, kur gratë do të kuptonin kiminë, ato do të kuptonin se si bota funksiononte dhe do të thyenin kështu limitet e padukshme që të tjerët i kishin krijuar për to. Ajo e sheh religjionin si një mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë, dhe për të menduar që njerëzit janë të gabueshëm dhe kjo ju falet. Nuk ngurron ta thotë këtë as në televizor, në një program gatimi ku ajo është udhëheqësja e emisionit.

Zott bëhet shumë e dashur për të gjitha gratë sepse pranon punën pikërisht në atë emision gatimi të quajtur “Darkë në gjashtë”. Përveç gatimit ajo ju mëson grave kiminë: çdo ditë në ora gjashtë gratë ulen përpara ekranit me nga një fletore dhe laps në dorë. Ajo nuk ju mëson vetëm formulat kimike, por edhe leksione jete për të cilat asokohe gratë kishin nevojë.

Romani “Leksione Kimie” është një thirrje feministe edhe në kohën e sodit, ku gjërat pak kanë ndryshuar. Autorja flet për tema të cilat për shoqërinë janë ende tabu dhe të papranueshme: vëllai i Zott kryen vetëvrasje pikërisht sepse është gej dhe nuk pranohet nga familja. Zott jeton me fajin që nuk ka mundur ta shpëtojë të vëllaun nga “kthetrat” e një shoqërie që e di saktë se si duhet të jetojë dikush.

Në roman diskutohet edhe diskriminimi i grave në vendin e punës, sidomos për shkak të shtatzanisë dhe lejes së lehonisë. Elizabeth përjashtohet nga puna në momentin kur kuptohet se ajo është shtatzënë, sidomos për shkak të rrethanave: nuk ishte e martuar. Bota akademike asokohe ishte e rezervuar vetëm për burrat.

“Leksione Kimie” është një thirrje zgjimi për të gjitha gratë të cilat sot e kësaj dite vazhdojnë të bëjnë pyetjen: “Pse, çfarë ju mungon grave?”. Diskriminimi sistematik, normat kulturore dhe shtypja nga patriarkati kanë lënë gratë në një pozitë jo të favorshme si në karrierë ashtu edhe në jetën personale. Mospërshtatja në kallëp “i ka bërë” ato ose shtriga ose kurva, dhe ua ka mveshur moralin si njësi matëse dinjiteti.

Zott është e pandalshme, ajo lë gjurmë në jetët e njerëzve rreth saj, sfidon normat dhe nuk heq dorë. Përveç të tjerash, ajo është edhe një nënë shumë e përkushtuar. Ndonëse e vetme, Mad bëhet vajzë shembull për rrethin e saj, shumë intelegjente, jashtëzakonisht kritikuese ndaj gjërave që nuk kanë logjikë për të.

Bonnie Garmus, autorja e librit, ka ditur definitivisht të përmbledhë sfidat e grave ndër vite në një histori shumë të bukur fiktive. Romani ka arritur sukses duke u përkthyer në dhjetëra gjuhë të ndryshme në botë, dhe tashmë është një bestseller ndërkombëtar.

Të tjera