November 4th, 2021
Barazia gjinore për sa i përket përfaqësimit të grave në vendim-marrje po ec me hapa të breshkës, rezultatet e fundit të zgjedhjeve lokale janë argumenti më i madh që nuk kemi bërë përparim në këtë fushë. Nga gjithsej 81 komuna në vend, vetëm dy prej tyre do të udhëhiqen nga gra. Danella Arsovska është gruaja e parë pas 30 viteve që do të udhëheq me Qytetin e Shkupit, kurse Zhaklina Jovanocska do të udhëheq Komunën e Staro Nagoriçanit,.
Numër jashtëzakonisht i vogël u pa fillimisht te gratë e kandiduara për kryetare komune, ku nga gjithsej 299 kandidatë për kryetarë në 81 komuna, vetëm 25 ishin gra. Me këtë përfaqësim kaq të ulët të grave kandidate, nuk pritej që numri i tyre të ishte më i lartë në rezultate, bazuar në historinë “e zezë” të shtetin tonë për sa u përket grave në krye të komunës.
Për Pranvera Kasamin, drejtuesen e Institutit për Lidership dhe Politika Publike përfaqësimi i grave në garën për të parën e komunës nuk pritej të jetë më i mirë seç në fakt rezultoi.
"Një shoqëri kaq komplekse e me kaq komplekse nuk mund të pritet që të jetë natyrshëm reformuese, por reformat duhet patjetër të jenë të diktuara nga ligjet pozitivisht-diskriminuese", thekson Pranvera Kasami.
Në të njëjtën vijë është edhe drejtori i Democracy Lab, Sefer Selimi, i cili vlerëson se përfaqësimi i grave në politikë/vendim-marrje përfshirë këtu edhe postin e kryetarit të komunës është refleksion i zhvillimit të një shoqërie dhe pjekurisë së saj politike.
Ky rezultat sfidues është pasojë e faktit se në vend nuk ka kuota për përfaqësim të balancuar gjinor të posteve të kryetarëve të komunave.
"Mendoj se mjaftueshëm të kënaqur do të ishim me imponim ligjor prej të paktën 30% përfaqësim të gruas në pozitat më të larta vendim-marrëse në nivel vetëqeverisje lokale, si kryetare komunash, që pse jo pas një kohe kjo kuotë të rritet në 50%, që do të ishte në harmoni me raportet demografike të gjinive në shoqëri prej afërsisht 50-50. Për t’i kontribuar kësaj, rol kyç duhet të luajnë OJQ-të që i shërbejnë kauzave të barazisë gjinore, përmes avokimit në ndryshimin e politikave shtetërore të këtilla", thekson Pranvera Kasami.
Situata qëndron ndryshe aty ku ka kuota për përfaqësim të gjinive të nën-përfaqësuara, në këtë rast të grave. Në bazë të ligjeve pozitive, të paktën 40 për qind e listave për këshilltarë në këshillat komunal duhet të jenë gra. Në këto zgjedhje lokale, 55% e kandidatëve për këshilltarë ishin burra dhe 45% gra.
"Fatkeqësisht, te ne, ndryshe nga shumica e vendeve me demokraci të zhvilluar, duhet të imponohen mekanizma që detyrojnë një përfaqësi minimale të grave ne politikë, siç janë kuotat për përfaqësim në listat për deputet dhe këshilltar komunal. Ne duhet të lëvizim drejt inkuadrimit autentik dhe normal të grave në politikë dhe kjo nuk mund të arrihet vetëm përmes mekanizmave imponues por nëpërmjet krijimit të ambientit inkurajues, fillimisht në shoqërinë tonë dhe partitë politike", u shpreh Selimi.
Rezultati i të dy rundeve të zgjedhjeve lokale të këtij viti është më i keq se katër vite më parë, kur në krye të komunave u zgjodhën gjashtë kandidate për kryetare komunash. Me vetëm dy kryetare komunash të zgjedhura këtë vit, Maqedonia e Veriut arriti rezultatin e dytë më të keq pas zgjedhjeve lokale të vitit 2009, në të cilat asnjë grua nuk u zgjodh kryetare komune.
Sfidë në vete mbetet barazia gjinore në Maqedoninë e Veriut, vetëm për krahasim situata nuk qëndron më mirë as në ekzekutiv, ku nga 20 pozicione në Qeveri, vetëm 4 mbahen nga gratë. Ndërsa që nga pavarësia, asnjëherë funksioni i presidentit, kryeministrit apo kryetarit të kuvendit nuk i ka takuar një gruaje.
Ndryshe, pjesëmarrja e grave në politikë është e njohur si një e drejtë njerëzore e nevojshme për përparim global. Në nivel global, ajo u njoh për herë të parë në 1956 dhe u garantua me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Vjollcë Berisha në "Llafe Grash": Nuk kam pasur pengesa që të mos jem në një ...
Rita Behadini
11/01/2024
Анализа: Хистеријата на медиумите за полот на Имани Кхелиф има корени во Руси...
Ardit Ramadani
19/08/2024
Udhëzues: Kur dhe si të flisni me fëmijët tuaj mbi miratimin, cilat janë vija...
Fisnik Xhelili
18/06/2024
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia