-Brown-Bakery-Store-Facebook-Post-(1440--550-px).png

Edukimi për mënyrat e mbrojtjes nga shtatzanitë e paplanifikuara parandalon abortin, këto janë metodat më të sigurta

MARRE

September 18th, 2022

Në Maqedoninë e Veriut çdo vit ndodhin më shumë se 150 aborte nga vajzat nën moshën 20 vjeçe, pjesa më e madhe e tyre fëmijë. Në vitin 2016 gjithsej 161 vajza të moshës nën 20 vjeçe kanë abortuar, në vitin 2017 numri i aborteve të kësaj grupmoshe është 142. Një vit më vonë kanë abortuar 144 vajza kurse në vitin 2019 gjithsej 127 vajza të reja kanë ndërprerë shtatzëninë e padëshiruar, gjegjësisht kanë abortuar.

Mbrojtja nga shtatzënia dhe kontracepsioni janë çështje të cilat lidhen ngushtë me shëndetin seksual dhe riprodhues jo vetëm të grave, por edhe të burrave. Shpesh herë mungesa e informacionit për këto çështje çon në shtatzëni të paplanifikuara dhe rrjedhimisht në abort.

Mënyrat për t’u mbrojtur nga shtatzënitë dhe rrjedhimisht edhe aborti, janë të shumta, duke filluar nga metodat natyrale, metodat e pengimit, metodat hormonale – ku bëjnë pjesë pilulat anti-bebe, implantet kontraceptivë, injeksionet kontraceptive, si dhe metodat kirurgjikale të cilat paraqesin mbrojtje të përhershme nga shtatzënia, për dallim nga të lartpërmendurat që janë mënyra të përkohshme për mbrojtje.

LEXO EDHE KËTË: Dhjetëra vajza të mitura abortojnë çdo vit në RMV, edukimi mund të parandalojë shtatzanitë e paplanifikuara

Meral Rexhepi, gjinekologe me përvojë, bën një analizë të kësaj problematike për nga përvoja me pacientet e reja. Ajo bën thirrje për informimin e djemve dhe vajzave rreth mbrojtjes nga shtatzënia, që në adoleshencë, duke u futur kjo lëndë në programet mësimore.

“Do të kisha apeluar në instancat më të larta të cilat merren me arsim që një lëndë të vendoset në shkollat e mesme që të rejat dhe të rinjtë të jenë të njoftuar me të dhënat elementare rreth kontracepsionit, pasi që qëllimi i një shoqërie, e veçanërisht i mjekësisë dhe gjinekologut është që të mos vjen deri te aborti. Përdorimi i kontracepsionit nuk është ndalimi i lindjes së fëmijëve, por të mos kemi shtatzëni të padëshiruara”

Meral Rexhepi, gjinekologe

Rexhepi shton që aborti nuk ndikon vetëm te vajza e cila e ndërpret shtatzëninë, dhe se kjo metodë lë pasoja. Sipas saj, nuk është mirë as për vet personin, familjen, prindërit, por as për mjekun që një adoleshente të abortojë në moshën 15 apo 16 vjeçare. Ajo thekson se aborti është metoda e fundit e ndërprerjes së shtatzënisë dhe planifikimit familjar, pasi që është metodë invazive e që lë shumë pasoja.

(MOS)ANGAZHIMI I INSTITUCIONEVE NË VEND

Por sa angazhohen institucionet për ta ndryshuar këtë pasqyrë shqetësuese?

Edukimi Seksual Gjithëpërfshirës filloi të mësohet si lëndë në vitin 2021 si pilot projekt paralel me konceptin e ri arsimor në tre shkolla të vendit. Ideja e Ministrisë së Arsimit është që së pari të shihen rezultatet e fazës pilot, dhe nëse është e nevojshme – të bëhen ndryshime në programe dhe vetëm atëherë, si opsion, të futet lënda në mësimdhënie. Kjo ide ka hasur në kundërshtime edhe nga një pjesë e mirë e prindërve, madje në disa raste të organizuar në grupe joformale për të ngritur zërin kundër tij.

LEXO EDHE KËTË: Kush dhe pse ka frikë nga Edukimi Gjithpërfshirës Seksual në shkolla?

Aborti tek vajzat e reja të cilat kanë pak ose aspak njohuri për trupin, shëndetin e tyre seksual dhe mjetet kontraceptive do të vazhdojë të jetë shqetësim.

Përveç përgjegjësisë që bie mbi Ministrinë e Arsimit, kontaktuam edhe Ministrinë e Shëndetësisë për t’u njoftuar rreth asaj se a planifikohet që pilulat kontraceptive të përfshihen në Listën Pozitive të barërave. Nga atje njoftuan se po punohet në një listë të re. Asgjë konkrete për pyetjen që drejtuam.

Aktualisht po punohet për ndryshime të rregulloreve të caktuara në fushën e farmacisë dhe në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë është formuar një grup pune me detyrë hartimin e një akti nënligjor që do të përshkruajë mënyrën dhe metodologjinë e përcaktimin dhe miratimin e Listës së barnave që bien në barrën e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Maqedonisë së Veriut. Teksti i propozuar i rregullores është në fazën përfundimtare të zhvillimit dhe do të jetë i disponueshëm për opinione dhe sugjerime nga publiku profesional sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ministria e Shëndetësisë

PLANIFIKIMI FAMILJAR

Planifikimi familjar dhe njoftimi me mundësitë që partnerët kanë, bën që ata të jenë të vetëdijshëm dhe të gatshëm për atë që i pret pas lindjes së fëmijës. Shumë studime kanë treguar se gratë që planifikojnë amësinë përmes përdorimit të kontracepsionit janë përgjithësisht më të shëndetshme, më të arsimuara, statusi i tyre është më i mirë brenda familjes si dhe brenda komunitetit dhe janë ekonomikisht më produktive.

Arta Selmani Bakiu, profesoreshë në fakultetin juridik në UEJL, shprehet se planifikimi familjar daton që moti dhe se tani më nuk është vetëm çështje familjare por edhe shoqërore, por gjithsesi se e drejta për të vendosur i takon vetëm çiftit.

“Çështja e planifikimit familjar është jo vetëm e drejtë por edhe filozofi në vete, e konceptuar që nga koha e Aristotelit i cili flet për zgjerimin e shoqërisë përmes familjes dhe kjo mënyrë e zgjerimit të shoqërisë përmes lindjes së fëmijëve është edhe pjesë e politikave shtetërore dhe rregullimit sa më të avancuar dhe vendosjes së theksit sa më të madh në atë se si personi do ta shpreh lirinë e tij reproduktive dhe këtu nuk guxojmë të kemi cenime”

Arta Selmani Bakiu

Sipas Selmani Bakiu, kur flasim për planifikimin familjar, flasim për më shumë vendime të cilat i merr çifti kur bëhet fjalë për krijimin e familjes. Ajo thekson se çështja e planifikimit familjar në vete ngërthen disa aspekte. Sipas saj, kjo i mveshet më shumë lirisë së çifteve që të vendosin kur do të bëhen prindër, si do të bëhen prindër (në martesë apo bashkësi jashtëmartesore), kur do të bëhen prindër (pas moshës mesatare, apo pas arritjes së moshës madhore), cili do të jetë numri i fëmijëve, në çfarë mënyre do të lindin (në formë biologjike apo do të zgjedhin njërën nga mënyrat nga reprodukimit artificial)”.

Sipas profesoreshës Arta Selmani Bakiu, me anë të planifikimit familjar shoqëria drejtohet kah përcaktimi i çështjeve që kanë të bëjnë me krijimin e familjes, kurse distancohemi nga rastësia.

“Kjo do të thotë që çështja e lindjes së fëmijëve më nuk është e rastësishme, por është e planifikuar nga vet çifti që vendosin se kur duan të bëhen prindër. Më tepër i mvishet jo asaj që është produkt i rastësishëm dhe i natyrshëm, por një produkt i planifikuar i vetë çifteve për të krijuar familjen e tyre. Andaj Andaj konsideroj që çdo individ dhe çdo çift kanë të drejtë dhe liri absolute të vendosin se në çfarë forme do të bëhen prindër”

Arta Selmani Bakiu

MËNYRAT E MBROJTJES NGA SHTATZËNIA E PAPLANFIKUAR 

“Si metodë më e shpeshtë për mbrojtje nga shtatzënia, është metoda natyrale e cila është shumë jo e sigurt dhe vajzat duhet të jenë shumë të informuara për organizmin e tyre që të dinë kur janë ditët e pjellshme, pra ditët kur mund të mbeten shtatzënë, dhe kur janë ditët e ovulacionit, apo ditët kur krijohet dhe pëlcet qeliza vezë dhe kur duhet të abstenohet nga marrëdhëniet seksuale. Këtë metodë e përdorin gratl të cilat kanë cikël shumë të rregullt menstrual. Si mënyrë tjetër e mbrojtjes natyrale është ndërprerja e aktit para kohe gjatë marrëdhënies seksuale, dhe si metodë e fundit është edhe metoda e laktacionit, apo metoda e gjidhënies së nënës në lehoni. Këto të tre metoda janë jo të sigurta dhe nuk mundet të mbështetemi në to”, sqaron Rexhepi.

Gjinekologia Rexhepi sqaron se grupi i dytë i metodave të mbrojtjes nga shtatzënia përfshin metodat mekanike të cilat janë metoda të barrierës, apo të pengimit të takimit të qelizës vezë dhe spermatozoidit; prezervativi, diafragma dhe kapelat cervikale.

“Prezervativi mashkullor quhet kondom, kurse ai femëror quhet femidom. Kondomi është prej një materie lateksi dhe është për një përdorim të vetëm. Kondomi është metodë relativisht e sigurt. Vetëm 1% e grave mbeten me barrë me përdorim të rregullt të kondomëve. Por përveç mbrojtjes nga shtatzënia, prezervativët gjithashtu mundësojnë mosbartjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, bakteret, parazitët dhe viruset, e sidomos nga HPV viruset cilët janë shkaktarët kryesor të karcinomeve të qafës së mitrës”

Meral Rexhepi, gjinekologe

Sipas gjinekologes Rexhepi, si metoda shpesh të përdorura janë edhe pilulat kontraceptive. Ajo sqaron se pilulat kontraceprive kanë anët e tyre pozitive dhe negative si edhe çdo mjet tjetër kontraceptive. Ato përbëhen nga hormonet të cilat mund të jenë një fazike apo dy fazike, siç janë: estrogjeni dhe progresteroni. Për t’u përcaktuar për pilulat anti bebe, fillimisht duhet biseduar me pacientin rreth sëmundjeve të mëparshme apo të tashme si dhe rreth asaj se a ka lindur apo jo pacientja. Kontracepsioni pos që ofron mbrojtje nga shtatzënia, përfitimet nga i njëjti janë të shumta si: ulja e rrezikut të kancerit endometrial, kancerit të vezoreve, anemia nga mungesa e hekurit, reduktimi i dhimbjeve menstruale dhe problemet me gjakderdhjen menstruale, dhimbje ovulacioni e shume benefite mjekësore, por kontracepsioni gjithashtu parandalon edhe shtatzëninë e paplanifikuar.

Mund të ndodh që nuk mund të përcaktohemi për pilula orale për shkaqe shëndetësore prandaj kalohet në lloj tjetër të mbrojtjes, thotë Meral Rexhepi.

“Pasi që ato janë në bazë hormonale, të njëjtat nuk mund t’i përdorin vajzat/gratë të cilat kanë sëmundje kardiovaskulare, sëmundje të mëlçisë së zezë, të cilat kanë problem me koagulimin e gjakut, kanë problem me venat apo kanë sëmundje metabolike. Në këto raste preferohet ndonjë lloj tjetër i kontraceptivëve, prandaj te gratë shumë të shpeshta janë aparatet intrakavitale, pra spiralet të cilat vendosen brenda në mitër”

Meral Rexhepi, gjinekologe

Metoda e fundit e mbrojtjes nga shtatzënia është ajo e përhershme, nga e cila nuk ka kthim mbrapa. Këtë kjo metodë mund të zbatohet si nga vajzat/gratë ashtu edhe nga djemtë/burrat.

Rexhepi sqaron se metodat e përhershme janë metodat kirurgjikale të cilat përfshijnë sterilizimin i cili bëhet edhe te gratë dhe te burrat. Te gratë bëhet përmes prerjes dhe mbylljes së tubave Uterine, pra kanaleve përmes të cilave lëvizin qelizat vezë dhe spermatozoidet. Kur të mbyllen këto tuba, nuk mund të vjen deri te takimi i qelizës vezë dhe spermatozoidi. Gjithashtu kemi edhe sterilizimin te burrit i cili bëhet përmes ndërprerjes së kanalit Vas deferens përmes së cilës pengohet dalja e spermatozoideve jashtë në ejakulat. Kjo ndërhyrje bëhet nga ana e urologut.

Meral Rexhepi na këshillon që është e rëndësishme të konsultohemi me gjinekologun dhe të vendoset për metodat e përshtatshme për secilin pacient për mbrojtje nga shtatzënia. Për derisa adoleshentëve nuk u mundësohet që të marrin njohuri formale rreth mbrojtjes nga shtatzënia e paplanifikuar, numri i vajzave të reja të cilat përcaktohen për abortin, si zgjidhje të vetme, do të vazhdojë të jetë i lartë.

Era Gjakova

Era Gjakova

Era Gjakova është studente e ciklit të dytë të studimeve në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore. Aktualisht punon si moderatore e emisionit të mëngjesit "Ditë e Re" në televizionin Alsat M. Ajo është aktive në shoqërinë civile në fushën e të drejtave të barabarta mes gjinive, dhunës në familje dhe medias.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia