pink-minimalist-gynecologist-logo-(4).png

A e nxit feminizmi urrejtjen ndaj meshkujve?

N'THELB

June 28th, 2023

Kur lexoj reagimet e disa burrave rreth shkrimeve ose artikujve që lidhen me feminizmin natyrshëm më lind pyetja “Pse?” Pse këto reagime negative e shpesh edhe ofenduese, për çështje që janë aq të rëndësishme e në dobi të tërë shoqërisë? A ndihemi ne burrat sikur po sulmohemi prej feminizmit? A e nxit feminizmi urrejtjen ndaj meshkujve? Kësaj pyetjeje do të përpiqem t’i përgjigjem në këtë artikull.

Si fillim, duhet të qartësoj se cilit feminizmi i referohem. Si çdo lëvizje ideologjike, edhe feminizmi i ka rrymat e veta, ca më ekstreme e ca më të moderuara, mirëpo përgjatë këtij artikulli unë do t’i referohem atij feminizmi thelbësor i cili synon drejt barazisë shoqërore dhe ekonomike mes gjinive, që e lufton diskriminimin gjinor dhe që promovon vlera humaniste. Është ky ai feminizëm i cili nxjerr në dritë problemet e thella që lindin nga pikëpamjet patriarkale rreth botës dhe që përpiqet që t’i rregullojë e t’i “pajtojë” raportet mes gjinive, për të shkuar drejt një bote më të emancipuar, të hapur dhe pranuese. A ekzistojnë brenda feminizmit rryma ekstreme? Po, siç ekzistojnë në çdo ideologji, që nga ato fetare, politike, shoqërore e deri tek ato filozofike. Por a mund të gjykohet një lëvizje e tërë vetëm nga një pakicë ekstreme? Jo, ashtu siç s’mund të gjykohet p.sh. një popull i tërë veç nga një grusht kriminelësh brenda tij, ose një fe e tërë veç nga disa ekstremistë. Të thuash të kundërtën do të thotë të jetosh në një botë me paragjykime dhe ndasi, pa mundësinë për ta dëgjuar dhe për ta kuptuar palën tjetër.

A e nxit pra ky lloj feminizmi që përkufizoj unë urrejtjen ndaj meshkujve? Fillimisht të shohim një historik të shkurtër me kërkesat më të mëdha të lëvizjeve feministë e nga aty mund ta kuptojmë më thellësisht rëndësinë e feminizmit edhe sot. Kijeni parasysh që historiku i drejtohet më shumë rrjedhës së feminizmit në botën perëndimore. Në Ballkan shumë prej këtyre zhvillimeve janë vonuar e ndoshta s’kanë arritur fare.
Do të përqendrohem te tri zhvillimet kryesore.

Vala e parë: 1848 – 1920

Vala e parë e feminizmit lindi si pasojë e mohimit të së drejtës së votës së grave dhe pamundësisë për të trashëguar prona. Gjatë kësaj periudhe gratë protestonin dhe luftonin që të kishin të drejtën që të trashëgojnë pronat familjare dhe ta kenë të drejtën për të votuar në zgjedhje. Kjo e drejtë merret e mirëqenë sot apo jo? Mirëpo, përpara 100 vjetësh gratë në Shqipëri nuk e kishin këtë të drejtë. Ata e fituan këtë të drejtë në vitin 1945, në Francë në 1944, në Gjermani në 1918 dhe në shumicën e vendeve perëndimore në gjysmën e parë të shekullit XX.

(Për më shumë detaje, lexoni duke klikuar KËTU.)

Një e drejtë aq themelore për çdo qytetar të në një shteti, përpara njëqind vjetëve nuk ekzistonte. E madje, edhe sot e kësaj dite, edhe pse jo në nivel ligjor, në shoqëritë ballkanike shpesh shihet si e padrejtë që gratë të trashëgojnë pronat familjare. Por, mos të shpërqendrohemi. Gratë e valës së parë të feminizmit luftonin që ta kenë të drejtën ligjore për të votuar dhe për të trashëguar prona e në shumicën e vendeve të botës kjo u arrit. A ishte kjo një kërkesë e padrejtë? Një kërkesë që nxit urrejtje ndaj meshkujve? Mua s’më duket ashtu, por gjykojeni vetë.

Vala e dytë: 1963 – 1980-at

Vala e dytë e feminizmit lindi e frymëzuar edhe nga zhvillimet në Amerikë të lidhura me Lëvizjen e të Drejtave Qytetare dhe protestave kundër Luftës së Vietnamit. Feminizmi i kësaj vale ishte më i përqendruar në thyerjen e tabuve të përgjithshme gjinore. Kërkonte largimin e diskriminimit gjinor dhe thyerjen e roleve tradicionale gjinore që shoqëria historikisht ia ka vendosur gjinive. Jo veç femrave, por edhe meshkujve. Gjatë kësaj vale promovohej nevoja që edhe gratë të kenë mundësitë që të punojnë punë që paguhen mirë, të mos gjykohen veç nga gjinia e tyre, të kenë të drejtën e arsimimit pa diskriminim, por edhe meshkujt, të kenë mundësinë që të jenë më të pranishëm në jetën familjare, të jenë më të hapur dhe të bëjnë hapa më larg maçizmit.

Vala e dytë e feminizmit nxori në pah shumë prej mënyrave se si shoqëritë, në gjithë botën, drejtohen kryesisht nga një pikëpamje patriarkale dhe diskriminuese ndaj femrave: duke i trajtuar si të paafta për të kryer punë profesionale, si me inteligjencë më të ulët, si të paafta për të pasur një jetë të tyren individuale pa mbështetjen e një burri, kur burri perceptohej si “njeriu ideal,” pra një lloj “version perfekt” e racës njerëzore – do t’i kthehem kësaj në fund.

Vala e tretë: 1990-at

Vala e tretë e feminizmit lindi si reagim i grave të pakicave amerikane që nuk ishin të kënaqura me përfaqësimin e tyre në rrymat e mëparshme. Vala e parë dhe e dytë e feminizmit, vazhdoj ta kem fjalën për në Perëndim, u drejtuan kryesisht nga gra të bardha e rrjedhimisht zëri i grave zezake dhe të pakicave të tjera e kishte më të vështirë të dëgjohej. Në frymën e Lëvizjes Qytetare në Amerikë, gratë e pakicave arritën që të dëgjohen më fort dhe të kërkojnë, ashtu siç kishin bërë gratë e grupeve të tjera më herët, të drejta për të votuar, për t’u shkolluar, për mos t’u diskriminuar, për të punuar atë që duan të punojnë, për të pasur jetën që ATO duan të kenë, jo jetën që TË TJERË DUAN PËR ATO.

Në vijim do t’ju sugjeroj dy filma që paraqesin disa prej vështirësive që gratë kanë pasur në periudhat e hershme të feminizmit: Little Women (2019) dhe Suffragette (2015).

Tash që i kam shtruar disa prej kërkesave themelore të feminizmit përgjatë historisë, pyeteni veten: a janë kërkesa të padrejta? A janë kërkesa të rrezikshme? A është e rrezikshme që të kërkohet që mos të ketë diskriminim gjinor? A është e rrezikshme që të kërkohet e drejta e trashëgimisë dhe votës për të gjithë? A është e rrezikshme që të kërkohet e drejta e përfaqësimit për 50% të popullsisë së botës? A është e drejtë që të kërkohet që të dëgjohet zëri i pakicave (siç jemi për shembull ne, shqiptarët e Maqedonisë) dhe zëri i grave të kësaj pakice? Për mua, dhe për shumë vetë në botë JO, por për ata që frikësohen prej të drejtës shoqërore PO. Këto janë ndryshime të frikshme dhe të rrezikshme për ata që mendojnë se e kanë të drejtën të SUNDOJNË mbi njerëz të tjerë dhe të VENDOSIN për jetën e tyre sikur t’i kenë pronë. Veç këtyre njerëzve u duket sikur feminizmi krijon urrejtje ndaj meshkujve – u duket kështu sepse u rrezikohet “rehatia” që e kanë si pasojë e shtypjes së njerëzve të tjerë. Ta kemi të qartë këtë gjë.

Por, përse u duhet feminizmi të gjithëve – meshkujve dhe grave? U duhet sepse parimi fillestar i feminizmit është barazia për të gjithë – jo veç për gratë, por PËR TË GJITHË. Feminizmi në thelb është mekanizëm shoqëror që i mbron si femrat, ashtu edhe meshkujt. Kërkon nga të dyja palët barazi, komunikim, vlerësim dhe respektim. Kërkon ndarjen e monopoleve shoqërore që janë në dëm të njërës a tjetrës palë.

Le mos të kemi ngatërresa – bota moderne i bën shtypje të jashtëzakonshme meshkujve.

Meshkujt duhet të jenë të fortë me çdolloj kushti, duhet të jenë mbajtësit e shtëpisë, duhet të bëjnë shumë para, duhet të mbajnë çdolloj pune, duhet të përballen me çdo problem, duhet të jenë të ftohtë, duhet të jenë të egër, duhet të jenë të aftë në çdo gjë, nuk duhet kurrë të jenë të qetë, duhet të jemi “njerëzit idealë,” kurrë nuk duhet të jenë të hapur, kurrë nuk duhet të ndihen mirë, nuk duhet, duhet, nuk duhet...

Kjo “duhet” shpesh na lë të pafuqishëm. Na lë të paaftë të bëjmë atë që duam, atë që ëndërrojmë, atë që na shtyn përpara. Kjo është një nga arsyet kryesore përse meshkujt kanë 3 herë më shumë gjasa që të bëjnë vetëvrasje sesa gratë, ose përse varësia ndaj drogave dhe alkoolit është 2 herë më e madhe te meshkujt sesa te femrat.

Që fëmijë, rritemi me idenë se “nuk duhet të qajmë asnjëherë,” “nuk duhet të tregojmë dobësi,” “duhet të jemi të paprekshëm, të pathyeshëm.” Këto shprehje ndoshta na japin një lloj “fuqie” të përkohshme, por në fund, të gjithë jemi njerëz – të gjithë kemi probleme që na duken të pazgjidhshme, të gjithë kemi vështirësi që na duken të pakalueshme, të gjithë kemi emocione dhe ndjenja që s’dimë si t’i kuptojmë, dhe kur na godasin fatkeqësi, kur ndihemi të pafuqishëm, kur mendojmë se veç ne duhet të zgjidhim çdo problem, ca herë mund të na duket sikur zgjidhja e vetme është thjesht t’i japim fund...

Nuk po bëj thirrje për viktimizim. Viktimizimi nuk sjell përparim. Ajo që them unë është që si meshkuj, duhet t’i shohim problemet tona në sy, t’i pranojmë dhe të bëjmë hapa për t’i zgjidhur duke u përpjekur që të bashkëpunojmë dhe të ndajmë përgjegjësi me partnerët, të dashurat, familjen, shoqërinë. Nëse ti që e lexon këtë artikull je burrë, kur është hera e fundit që ke qenë në psikolog për të diskutuar problematika tuajat?

Këto të dhëna nuk janë rastësi – janë produkt i një shoqërie patriarkale që ia vesh çdo përgjegjësi meshkujve. I një shoqërie që i vesh pritshmëri diskriminuese meshkujve, ashtu siç i vesh femrave. Prandaj është i rëndësishëm feminizmi.

Feminizmi nuk sjell urrejtje ndaj meshkujve. Në thelb, feminizmi kërkon një shoqëri të drejtë, të hapur dhe pa paragjykime dhe diskriminime. Feminizmi kërkon një shoqëri NJERËZORE – ku të gjithë kanë të drejtë t’i meritojnë gjërat që i meritojnë, t’i arrijnë gjërat të cilat janë të aftë t’i arrijnë, të mbajnë përgjegjësi në mënyrë të barabartë, ta drejtojnë jetën ashtu siç ata duan ta drejtojnë, jo nga pritshmëritë e shoqërisë, por nga pritshmëritë që secili ia vë vetes.

Feminizmi kërkon një shoqëri për TË GJITHË – a është kjo shumë për t’u kërkuar?

KY SHKRIM ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.    

Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është demonstrator në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" e njëkohësisht është edhe profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në nivelin e mesëm arsimor. Në të njëjtin universitet ndjek edhe studimet post-diplomike në drejtimin: Letërsi shqiptare dhe studime kulturologjike. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit "Ditë e Re" në Televizionin "Alsat" dhe merr pjesë aktivisht në organizime të karakterit kulturor dhe shoqëror.


donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia