Foto: Danella Arsovska (faqja zyrtare në Facebook)
Foto: Danella Arsovska (faqja zyrtare në Facebook)

“Mollëkuqja” e shqetësuar për formën si po trajtohet dhuna ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska

Mollëkuqja është e shqetësuar me mënyrën se si shteti dhe një pjesë e qytetarëve e trajtojnë sulmin ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Tentimi për të fajësuar viktimën nuk do të kalojë. Institucionet të fillojnë të marrin seriozisht dhunën ndaj grave në politikë dhe të veprojnë me përgjegjësi për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e tyre në çdo nivel, si dhe të përmbahen nga gjuhë seksiste që minon besimin në institucionet publike dhe dënon avancimin e barazisë gjinore.

Zyrtarë të papërgjegjshëm dhe seksistë

Për të shfajësuar veten dhe institucionin që përfaqëson, por pa marrë parasysh pasojat, ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, dha deklarata të papërgjegjshme. Pak orë pas ngjarjes, në vend që të dënonte sulmin, ai e relativizoi atë.

Kujtojmë se Arsovska kishte denoncuar më parë në rrjetet sociale kërcënime për jetën e saj. Nëse ministria, e udhëhequr nga Toshkovski, do të kishte reaguar në kohë ndaj këtyre paralajmërimeve, ky sulm mund të ishte parandaluar.

Internalizimi i seksizmit

Saranda Imeri-Stafai është deputete e koalicionit VLEN. Si grua në politikë, e cila në të kaluarën është deklaruar se ka qenë pre e komenteve seksiste, në një postim në ‘Facebook’ përdori të njëjtën logjikë për të justifikuar dhunën ndaj një gruaje tjetër.

Në vend që të fokusohej te përgjegjësia e dhunuesit, Imeri-Stafai publikoi një video-incizim në të cilin shihet kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, duke u vetëmbrojtur. Në video, një person që paraprakisht e kishte kërcënuar verbalisht i afrohet, ndërsa ajo bën disa hapa mbrapa dhe më pas reagimi i saj përfundon me goditje me këmbë.

Deputetja Imeri-Stafai shfrytëzoi këto dy shqelma në këmbë për të fajësuar viktimën. “Mollëkuqja” kundërshton ashpër këtë retorikë, e cila i jep justifikim sjelljes së dhunuesit dhe krejt vëmendjen e zhvendos te “sjellja e viktimës”.

Kur gratë sulmohen seksualisht, pyeten: “Çka kishe veshur?”; kur e raportojnë dhunën, pyeten: “Pse tani?”; kur reagojnë, gjykohen për mënyrën si reagojnë; dhe kur heshtin, gjykohen pse nuk folën më herët. Kur një grua vetëmbrohet, si në rastin e kryetares së Shkupit, pyetet “çka bëre që e nxitë dhunën?”, duke zhvendosur vazhdimisht përgjegjësinë nga dhunuesi te viktima.

Papërgjegjshmëria e zyrtarëve dhe mungesa e një qëndrimi të qartë ndaj dhunës ndaj kryetares Arsovska u dhanë zemër qytetarëve që të ndjekin të njëjtën logjikë fajësimi dhe të bëjnë komente seksiste në rrjetet sociale. Kjo sjellje jo vetëm që legjitimon dhunën dhe ngacmimet ndaj grave në politikë, por edhe ushqen një klimë ku sulmet dhe paragjykimet ndaj grave bëhen normale dhe të papërballueshme për këdo që guxon të jetë në skenën publike.

Për dhunën e ushtruar ka reaguar Ambasada e Francës në Shkup.

“Dhuna drejtuar drejt përfaqësuesve të zgjedhur të popullit është e papranueshme,dhe e pajustifikuar. Respekti për të tjerët dhe për përfaqësuesit e popullit është një vlerë thelbësore demokratike. Ambasada e Francës dënon ashpër këtë akt të dhunës fizike si dhe sulmet verbale të sotshme ndaj kryetares së qytetit të Shkupit, znj. Danella Arsovska. Dënimi i këtij agresioni parandalon minimizimin e tij.” reagojnë nga kjo ambasadë.
Mollëkuqja është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadat e huaja në vend dhe me institucionet ndërkombëtare, ku kemi shprehur shqetësimin tonë për mënyrën se si politika dhe shteti po e trajtojnë një rast të dhunës ndaj një gruaje në politikë.
Për më shumë, klikoni KËTU.

Të tjera