Drita Memedi, foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)
Drita Memedi, foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)

Intervistë | “Burrat nuk qajnë”: pse shumë burra kanë frikë të kërkojnë ndihmë psikologjike

Shëndeti mendor mbetet temë e ndjeshme në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit, ndërsa stigma vazhdon të jetë e theksuar, sidomos ndaj burrave. Në një shoqëri ku burrëria lidhet me forcën, qëndrueshmërinë dhe heshtjen emocionale, pranimi i vështirësive psikologjike shpesh perceptohet si dobësi. Shprehjet si “burrat nuk qajnë” krijojnë presion të vazhdueshëm, duke i shtyrë shumë burra t’i mbajnë brenda shqetësimet dhe të hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale.

Për të kuptuar më thellë ndikimin e normave patriarkale, faktorëve socio-ekonomikë dhe rolit të familjes, shkollës dhe vendit të punës në këtë fenomen, biseduam me sociologen Drita Memedi.

Në këtë bisedë për Mollëkuqja, ajo foli për rrënjët e stigmës dhe nevojën për ndryshime kulturore e strukturore që do të mundësonin një qasje më të hapur ndaj mirëqenies mendore të burrave.

Memedi thotë se normat kulturore në shoqërinë tonë luaj një rol shumë të rëndësishëm në orientimin e shoqërisë duke konceptuare edhe mënyrën se si manifestohen sjelljet shoqërore.

“Pikërisht këto norma dhe fryma patriarkale pamundësojnë që burrat të shprehen lirshëm për shëndetin e tyre mendor sepse si të tillë edhe do të ishin paragjykuar. Këto situata bëjnë që shqetësimet e tyre të mbahen brenda për brenda dhe të mbesin të pa trajtuara, duke qenë si të pa trajtuara shqetësimet e brendshme të burrave në të shumtën e rasteve shpërthejnë me agresivitet ndaj gjinisë së kundërt”, thekson Memedi.

Sipas saj, familja është faktori kryesor i socializimit të individit, aty fëmija merr mësimet e para në jetë, në familje për herë të parë djali mësohet se duhet të jetë i fortë, se nuk ka gjë që e tund një burrë, aty i thuhet djalit se “burrat nuk qajnë”.

“Pikërisht aty vijnë familjarët që në derë trokasin duke thirrur “o i Zoti i shpisë” dhe aty përherë të parë fëmija njihet me konceptin “shpi pa burrë”. Mjaftojnë përdorimi i këtyre nocioneve për të orientuar sjelljen e një burri i cili edhe për skaj stresit të madh, frustrimit dhe ngarkesës psikike që mund ta ketë frikësohet të drejtohet për të kërkuar ndihmë psikologjike sepse nga familja, shkolla dhe vendi i punës do të konceptohej si i dobët dhe do të stigmatizohet”, sqaroi sociologja.

Drita Memedi, foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)
Drita Memedi, foto nga arkivi i saj privat (e përdorur me leje)

Më tej ajo sqaroi edhe rolin e faktorëve socio-ekonomikë me rrezikun për probleme të shëndetit mendor te burrat.

Drita Memedi thotë se në shoqëritë tona burri është zakonisht kryefamiljari, dhe si i tillë ai ngarkohet me përkujdesje të plotë ndaj familjes së tij sepse barra e familjes bije mbi të.

“Perceptimi i këtillë i ka rrënjët thellë në traditën tonë sa edhe sot ekzistojnë burra që nuk ju lejojnë grave të tyre të punojnë punë me pagesë jashtë shtëpisë sepse në sytë e shoqërisë ato burra do të dukeshin si të dobët ose sikur janë dorëzuar nga roli i kryefamiljarit i cili siguron familje. Një përgjegjësi kaq e madhe që u është dhënë burrave dëmton edhe shëndetin e tyre mendor sepse ato frikësohen të mbesin të pa punë, dhe në rast se kjo do të ndodh ato domosdoshmërish duhet të marrin rrugën e migrimit për të siguruar më të mirën për familjet e tyre”, theksoi Memedi.

Ajo sqaroni se faktorët socio-ekonomikë mbajnë në presion të vazhdueshëm burrat të cilëve u është ngjeshur roli i kryefamiljarit dhe shoqëria ka krijuar pritshmëri të shumta për ata.

Cilat ndërhyrje strukturore dhe ndryshime kulturore do të ishin të nevojshme për të transformuar qasjen shoqërore ndaj mirëqenies mendore të burrave?

Sociologia thotë se ndryshimet kulturore kërkojnë kohë, përkushtim dhe ndryshim të vazhdueshëm të elementeve kulturo-shoqërore.

“Nuk mund të presim që shoqëria jonë të ndryshojnë në një moment të caktuar dhe në mënyrë të menjëhershme. Ndryshimi i konceptimi dhe interpretimit të normave kulturore duhet të filloj; që në familje për të vazhduar kështu në shkollë dhe në institucionet tjera të rëndësishme shoqërore. Familja nuk guxon që të krijojë pritshmëri të mëdha nga djali i tyre, me vet faktin që ai ka lindur djalë”, tha Memedi.

Për fund ajo porositi që shoqëria jonë duhet të mësohet të pranojë se edhe burrat ka raste kur nuk munden të ja dalin, ka raste kur duan të qajnë dhe ka raste kur kanë janë të dobët.

Друго