Martesa: Një nga të drejtat themelore të njeriut, të garantuara me dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe me Kushtetutat dhe Ligjet nacionale të çdo shteti, është e drejta për të lidhur martesë. Në legjislacionin tonë familjar, martesa definohet si “bashkësi jetësore e burrit dhe gruas e rregulluar me ligj, në të cilën realizohen interesat e bashkëshortëve, familjes dhe shoqërisë”. Ligji për Familjen gjithashtu normon pengesat martesore të cilat nuk guxojnë të ekzistojnë në momentin e lidhjes së martesës, si: mituria; martesa ekzistuese; forma e manifestuar e sëmundjes shpirtërore, paaftësia për gjykim dhe zhvillimi i metë mendor; të metat e vullnetit dhe gjinia. Bazuar në legjislacionin familjar të RMV-së, veçojmë disa karakteristika të bashkësisë martesore: martesa është institucion shoqëror dhe jurudik kjo për arsye se martesa paraqet bashkësi jetësore të rregulluar me ligj, duke shprehur interesin shoqëror për martesën, si kategori shoqërore dhe juridike. Karakteristikë tjetër e martesës është se ajo mund të lidhet vetëm midis një buri dhe një gruaje, pra pranohet modeli i monogamisë dhe modeli i martesave heteroseksuale. Ligji për Familjen parasheh pengesë martesore martesat e të njëjtës gjini. Gjithashtu, martesa është bazë kryesore për themelimin e familjes, ku realizohen interesat e bashkëshortëve, familjes dhe shoqërisë. Gjatë realizimit të interesave të bashkëshortëve në bashkësinë martesore krijohen marrëdhënie të ndryshme, parasëgjithash marrëdhënie të natyrës personale, por, që janë të gërshetuara edhe me marrëdhënie të natyrës pasurore. Ky element pasuror i martesës duke e trajtuar atë jo vetëm si bashkësi jetësore por, njëkohësisht edhe bashkësie ekonomike, sepse bashkëshortët kontribuojnë në krijimin e të mirave materiale, e që në gjuhën juridike njihet si pasuri e përbashkët (pasuria e fituar me punë të përbashkët në martesë). Përveç lirisë së lidhjes së saj, parim i veçantë që e karakterizon martesën është edhe e drejta e shkëputjes së martesës, pra bashkëshortët martesorë kanë të drejtë për shkurorëzim të martesës, nën kushtet dhe në mënyrën e përcaktuar me ligj. Dua të theksoj gjithashtu që bashkësia martesore është edhe bazë juridike për trashëgiminë ligjore, pra bashkëshortët martesorë e trashëgojnë në mënyrë reciproke njëri tjetrin në rendin e parë dhe rendin e dytë të trashëgimisë ligjore. Bashkëshorti pasjetues, pra ka të drejtë që të kërkojë që gjysma e pasurisë së fituar në martesë të ndahet dhe mos të llogaritet si masë trashëgimore, si dhe të merr pjesë në ndarjen e barabartë të masës trashëgimore në rendin e parë të trashëgimisë dhe trashëgimtarë i gjysmës së pasurisë në rendin e dytë të trashëgimis. Ilustrativisht: Nëse pas vdekjes së tij trashëgimlënësi ka lënë bashkëshorten dhe dy fëmijë, masa trashëgimore e cila do të mbetet pas ndarjes së pjesës së pasurisë së përbashkët të fituar në martesë, do të ndahet: ⅓ nga masa trashëgimore i takon bashkoshortes, dhe nga ⅓ të dy fëmijëve.
Nëse trashëgimlënësi pas vdekjes ka lënë bashkëshorten pa fëmijë, nënë dhe babain, masa trashëgimore do të ndahet në këtë mënyrë: ½ (gjysmën e pasurisë) bashkëshortja, ¼ nëna dhe ¼ babai.
Bashkësia jashtëmartesore ose bashkëjetesa faktike: Sipas Ligjit për Familjen: ”Bashkësia jashtëmartesore, si bashkësi jetësore e një burri dhe një gruaje, e cila nuk është themeluar në bazë të rregullave ligjore, dhe e cila ka zgjatur së paku 1 vit është barazuar me bashkësinë martesore, sa i përket të drejtës reciproke të mbajtjes dhe pasurisë së fituar gjatë kohëzgjatjes së kësaj bashkësie”. Nisur nga nocioni që na jep Ligji për Familjen, mund të konstatojmë që pengesë e vetme ligjore për bashkësinë jashtëmartesore është gjinitë e kundërta, dhe se në mënyrë shprehimore ligjvënësi nuk ka paraparë ndonjë pengesë martesore ligjore tjetër për bashkëshortët jashtëmartesorë. Meqë bashkësia jashtëmartesore mund të prodhojë pasoja juridike edhe përkundër faktit që njëri ose të dy bashkëshortët jashtëmartesorë janë në martesë civile tjetër, ose njëri apo të dy janë të mitur, ose janë në afërsi gjinore me njëri-tjetrin, po ky lëshim i ligjvënësit shkakton probleme evidente në praktikën gjyqësore gjatë përcaktimit të pjesës nga pasuria e përbashkët e bashkëshortëve, kur te njëri nga ata martesa nuk ka pushuar sipas njërës nga mënyrat e parashikuara me ligj (vdekja, shpallja e personit të zhdukur për të vdekur, anulimi dhe shkurorëzimi i martesës), dhe njëkohësisht është në bashkësi jashtëmartesore. Gjithashtu, fëmijët e lindur në bashkësi jashtëmartesore, do të llogariten legjitim nëse ju pranohet atësia në njërën nga mënyrat e parashikaura ligjore për vërtetimin e atësisë jashtëmartesore. Ndërkaq, sa iu përket të drejtave trashëgimore, sipas Ligjit për Trashëgiminë, bashkëshortët jashtëmartesorë nuk gëzojnë të drejtat e trashëgimisë ligjore, pra bashkëshorti jashtëmartesor nuk llogaritet në kategorinë e trashëgimtarëve ligjor, eventualisht mund të trashëgojë vetëm në bazë të testamentit ose mund të bëhen pronarë të pasurisë së partnerit jashtëmartesor përmes kontratës për mbajtje të përjetshme. Pushimi i bashkësisë jashtëmartesore nuk iu nënshtrohet rregullave ligjore dhe procedurave gjyqësore të shkurorëzimit të martesës, por bashkëshortët jashtëmartesorë mund ta shkëpusin atë, qoftë me marrëveshje, qoftë në rastin kur njëri prej tyre largohet nga bashkësia jashtëmartesore.
Meqë trendi i rritjes dhe preferencës ndaj bashkëjetesës në shoqëritë bashkëkohore, ka filluar të jetë prezent edhe në shoqërinë tonë, veçanërisht tek gjeneratat e reja, të cilët i qasen shumë më lehtë bashkësisë jashtëmartesore sesa procedurave burokratike që kërkon martesa civile, andaj njëra nga tendencat e ligjvënësit duhet të jetë serioziteti në njohjen dhe rregullimin juridik të kësaj bashkësie faktike. Meqë koncepti i bashkësisë jashtëmartesore të paregjistruar (që aktualisht parashikohet në Ligjin për Familjen) sjell problemet konkrete të cekura më lartë, veçanërisht me verifikimin e pjesëve nga pasuria e përbashkët, duhet ndjekur zgjedhjet e legjislacioneve bashkëkohore përmes ofrimit të alternativave të regjistrimit të bashkësive jashtëmartesore tek noteri ose gjykatësi. Pra kjo do të thotë, mundësinë që partnerët të kenë lirinë e vendosjes se bashkësinë e tyre jashtëmartesore a do ta regjistrojnë tek noteri me anë te deklaratës së përbashkët, për ta dëshmuar vërtetimin e ekzistimit të bashkësisë jashtëmartesore me qëllim të realizimit të të drejtave nga kjo bashkësi. Ky regjistrim, bashkëshortëve jashtëmartesorë do t’ua lehtësonte procedurat e vërtetimit të ekzistimit të bashkësisë jashtëmartesore në situatat e realizimit të të drejtave tjera civile.