Leja prindërore për baballarët, mes ligjit dhe paragjykimeve

Në Maqedoninë e Veriut, përfshirja e baballarëve në rritjen e fëmijëve është një temë që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Megjithatë, sfidat mbeten, veçanërisht në lidhje me shfrytëzimin e lejes prindërore nga ana e tyre.​

Ligji për Marrëdhëniet e Punës në Maqedoninë e Veriut parashikon mundësinë që baballarët të marrin pushim prindëror. Megjithatë, statistikat tregojnë se pak burra e shfrytëzojnë këtë mundësi. Sipas të dhënave të disponueshme, vetëm një përqindje e vogël e baballarëve zgjedhin të marrin pushim prindëror, shpesh për shkak të normave kulturore dhe mungesës së ndërgjegjësimit për këtë të drejtë.​

Kur logjika triumfon mbi traditën

Gëzimi dhe Rudina janë ndër pak çiftet shembull në shoqërinë tonë për mënyrën se si keni vendosur ta rrisni fëmijën. Një çift që më të mirën e familjes së tyre e shikojnë duke i bërë gjërat sipas mënyrës së tyre dhe jo sipas normave tradicionale shoqërore.

“Vendimi lindi nga realiteti ynë i përditshëm. Gjatë shtatzënisë së gruas sime, nisëm të mendojmë me përgjegjësi se si do ta menaxhonim realisht jetën pas lindjes. Ajo do të ishte 11 orë në ditë e vetme në shtëpi, pa ndihmë praktike, ndërsa unë, si bankier që udhëtoj çdo ditë nga Tetova në Shkup, nuk do të isha fizikisht i pranishëm për ta mbështetur. Me pak fjalë, një grua që sapo kishte lindur, që i duhej të ushqente beben çdo dy orë dhe njëkohësisht të gatuante, të mbante shtëpinë, ishte një barrë e rëndë, dhe mbi të gjitha, jo humane. Nga ana tjeter prindërit e mi kanë ndërruar jetë, ndërsa prindërit e saj jetojnë në Strugë, kështu që nuk kishim askënd afër për ndihmë. Kjo na shtyu të mendojmë ndryshe. Kur lexuam ligjin dhe pamë që ligjërisht ekzistonte mundësia që pas 45 ditëve të para të pushimit të lindjes, unë të merrja pjesën e mbetur, vendimi erdhi natyrshëm. E pamë si zgjidhjen më të logjikshme, më të drejtë dhe më njerëzore për familjen tonë. Ishte një zgjedhje e bazuar në logjikë, jo në zakone”, shprehet Gëzimi.

Dhe një stil i tillë jetë nuk mundet të kalojë pa paragjykime në shoqërinë tonë.

“Po, ka pasur komente, shikime me habi, e herë-herë edhe ngacmime të fshehta. Fatkeqësisht, jetojmë në një shoqëri ku babai që merr pushim lindjeje shihet si diçka “e pazakontë” – ndonëse në thelb është akti më i përgjegjshëm e më burrëror që mund të bësh për familjen. Megjithatë, nuk jemi lëkundur asnjëherë nga vendimi ynë. Nuk kemi pasur pritshmëri që të gjithë do ta kuptojnë situatën tonë, sepse çdo familje ka realitetin e vet. Ka pasur edhe nga ata që na kanë përgëzuar, që na kanë thënë: “Kjo që bëni ju është rruga që do ndjekim edhe ne kur të vijë koha.” Kjo është më shumë se shpërblim moral për ne”, shton më tej Gëzimi.

Sikur çdo rrethanë në jetë dhe kjo vjen me të mirat dhe të këqijat e saj, megjithatë për Gëzimin anët pozitive peshojnë shumë më tepër se ato negative.

“E mira më e madhe është që e kemi bërë jetën tonë më të lehtë dhe më të balancuar, e kemi rritur beben me më shumë dashuri, qetësi dhe kujdes të përbashkët. Unë si baba kam krijuar një lidhje shumë të fortë me fëmijën, një përvojë që shumë baballarë nuk e përjetojnë dot nga afër. Gruaja ime ka pasur kohë reale për t’u rikuperuar pas lindjes. E vetmja “e keqe”, nëse mund ta quajmë kështu, është paragjykimi i rrethit – por kjo është më shumë problem i të tjerëve sesa i yni. Problemi lind kur njerëzit gjykojnë pa ditur realitetin konkret të një familjeje. Ata që kanë ndihmë nga prindërit ndoshta nuk do na kuptojnë dot kurrë plotësisht”, thotë Gëzimi.

“Mollëkuqja” pyet Gëzimin: Bazuar në eksperiencën tuaj, a do t’ua kishit rekomanduar edhe çifteve të tjera që ta shfrytëzojnë një të drejtë ligjore që ua mundëson shteti, por ua mohon mentaliteti?

“Po, me gjithë zemër. Këtë e themi si çift që jemi tani në pritje të fëmijës së dytë dhe planifikojmë të ndjekim sërish të njëjtën rrugë. Kjo për ne nuk është thjesht një vendim i dobishëm, por një mënyrë jetese që i jep prioritet familjes përpara opinionit të rrugës. Do ua rekomandonim të gjithëve: bëjeni jetën tuaj më të lehtë, mos u ndalni tek “çfarë do thonë të tjerët. Në fund të fundit, është familja juaj, është foshnja juaj, dhe askush tjetër nuk do të jetojë ditët dhe netët që ju kaloni. Mentaliteti ndryshon vetëm kur dikush guxon të bëjë hapin e parë – dhe ne jemi të lumtur që e kemi bërë”, përfundojnë bisedën me Mollëkuqja.mk Gëzimi dhe Rudina.

Prindër të barabartë, fëmijë më të lumtur – Reforma radikale në politikat prindërore që bëri Norvegjia

Në nivel global, disa vende kanë implementuar politika të avancuara për të inkurajuar përfshirjen e baballarëve në kujdesin për fëmijët. Norvegjia është sheti i parë në botë që ka thyer normat shoqërore kur vin në pyetje leja prindërore.

Në vitin 1993, Norvegjia bëri diçka radikale. Ata shqyrtuan mënyrën se si baballarët po merrnin (ose më saktë, nuk po merrnin) lejen prindërore – dhe e ndryshuan lojën tërësisht. Në atë kohë, leja prindërore ishte një fond i përbashkët, që do të thotë se baballarët duhej të kërkonin pjesën e tyre. Dhe siç pritej, shumica nuk e bënin. Vetëm 3% e baballarëve e shfrytëzonin këtë të drejtë.

Rregulli i pathënë?

Pushimi ishte për nënat.

Për ta ndryshuar këtë mendësi, Norvegjia shpiku “kuotën e baballarëve”. Që domethënë 4 javë pushim prindëror duhet të merret vetëm nga baballarët, pa të drejtë që të mundet të transferohet apo të ndahet me nënën. Ndikimi ishte i menjëhershëm. Brenda një viti, numri i baballarëve që merrnin leje atërore u dhjetëfishua.

Dhe Norvegjia nuk u ndal me kaq.

Në vitin 2005, ata e rritën atë në 5 javë ndërsa një vit më vonë në 6 javë. Deri në vitin 2009, baballarët kishin 10 javë ndërsa nga viti 2018 baballarët norvegjezë marrin 15 javë – me pagë të plotë.

Sot, 95% e baballarëve norvegjezë marrin lejen e tyre të plotë ose më shumë.

Të tjera