Maqedonia e Veriut: 91 përqind e kryerësve të veprave penale janë burra, 9 përqind gra

Gratë janë të përfshira shumë herë më pak se burrat në vepra penale në Maqedoninë e Veriut, këtë e tregojnë të dhënat Entit Shtetëror të Statistikave. 

Megjithatë, gratë mbeten më pak të përfaqësuara në sistemin e drejtësisë penale krahasuar me burrat. 

Sipas Entit të Statistikave, në vitin 2023, 91 përqind e të dënuarve për vepra penale ishin burra kurse 9 përqind ishin gra. 

Drejtori i Entit të Statistikave, Dejan Stankov thotë se me ndihmën e statistikave gjinore duhet të ndihmohet në procesin e marrjes së vendimeve dhe çështjeve që lidhen me barazinë gjinore. 

“Njëkohësisht ato shfrytëzohen për matjen e efikasitetit të politikave kombëtare dhe të tjerave në domenin e barazisë gjinore”, tha Stankov. 

Të dhënat tregojnë se edhe pse nëpër universitete regjistrohen më shumë vajza, ata përsëri në tregun e punës janë më pak të përfaqësuara.

Vesna Ivanoviq nga UNDP theksoi se një shoqëri mund të arrijë përparim, vetëm nëse si një zog fluturon me të dy krahët, njëri krah janë gratë e tjetri burrat. 

“Nëse ky krah ku janë gratë është shfrytëzuar pjesërisht ose i thyer, zogu do të fluturojë vetëm me një krah”, tha Ivanoviq. 

Për presidenten aktuale të vendit e cila është edhe e para grua presidente, Gordana Siljanovska Davkovën mbledhja dhe sistematizimi i të dhënave gjinore, si dhe përdorimi i tyre në funksion të zgjidhjes së problemeve urgjente, duhet të jetë më i shpejtë, më i drejtpërdrejtë dhe më efikas. 

“Nëse duam të krijojmë zgjidhje të përshtatshme për çdo sfidë dhe problem, i cili prek grupe të ndryshme shoqërore ndryshe, nëse duam të eliminojmë diskriminimin”, tha Siljanovska Davkova. 

Këto komente u bënë me rastin e shënimit të 25 vjetorit të mbledhjes së të dhënave gjinore.

Ndryshe, pjesëmarrja në përqindje e grave dhe burrave në popullsinë e përgjithshme është pothuajse e barabartë, megjithatë, në Regjistrimin e vitit 2021, për herë të parë, pjesëmarrja e grave me 50.4% është më e lartë se pjesëmarrja e burrave (49.6%). 

Të tjera