Foto: Griselda Geci (profili në Facebook)
Foto: Griselda Geci (profili në Facebook)

Intervistë | Kush kujdeset për ata që kujdesen? – Griselda Geci për çmimin që paguajnë prindërit e fëmijëve me autizëm

Shëndeti mendor është një pjesë thelbësore e mirëqenies së individit dhe familjes, por shpesh mbetet një temë për të cilën flitet pak. Kur në familje rritet një fëmijë me autizëm, prindërimi shoqërohet me sfida të veçanta emocionale, sociale dhe praktike.

Përveç përkushtimit ndaj zhvillimit të fëmijës, prindërit përballen edhe me pasiguri, stres dhe mungesë të mbështetjes së mjaftueshme institucionale.

Për të kuptuar më mirë këto sfida dhe ndikimin e tyre në mirëqenien psikike të prindërve, Mollëkuqja bisedoi me edukatoren speciale Griselda Geci, e cila prej vitesh punon me fëmijë me autizëm dhe familjet e tyre.

Si ndikon rritja e një fëmije me autizëm në shëndetin mendor të prindërve, veçanërisht në aspektin emocional dhe social?

Rritja e një fëmije me autizëm është një sfidë e përditshme që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe shpesh asistencë profesionale, në mënyrë që procesi i zhvillimit të fëmijës të jetë sa më i qëndrueshëm dhe efektiv. Për prindërit, kjo përvojë ndryshon thellësisht botëkuptimin dhe mënyrën si e perceptojnë jetën, marrëdhëniet dhe prioritetet.

Ata rishikojnë pritshmëritë e tyre, mësojnë forma të reja komunikimi dhe përballen me emocione të forta si ankthi, frika dhe pasiguria për të ardhmen e fëmijës. Në aspektin social, shpesh ndihen të izoluar, pasi rutina e tyre përqendrohet kryesisht tek nevojat e fëmijës.

A vëreni dallime në mënyrën si përjetojnë dhe përballen me stresin nënat krahasuar me baballarët e fëmijëve me autizëm?

Nga përvoja shumëvjeçare, vihet re se nënat zakonisht janë më të përfshira emocionalisht dhe praktikisht në përkujdesjen ndaj fëmijës. Ato kalojnë më shumë kohë me fëmijën dhe shpesh krijojnë një lidhje shumë të thellë emocionale, deri në pikën që rrezikojnë të “përfshihen në diagnozë”, duke e jetuar sfidën e fëmijës si pjesë të identitetit të tyre personal. Kjo mund të rrisë ndjeshëm ngarkesën emocionale dhe lodhjen psikologjike.

Nga ana tjetër, baballarët zakonisht mbajnë barrën kryesore të sigurimit material për familjen, duke qenë më të angazhuar jashtë shtëpisë. Edhe pse kjo nuk e zvogëlon përfshirjen e tyre emocionale, mënyra e përballimit të stresit shpesh është më e rezervuar dhe më pak e shprehur hapur.

Cilët janë faktorët kryesorë që e rrisin ngarkesën psikologjike te prindërit?

Një nga faktorët kryesorë është përballja fillestare me diagnozën, e cila shpesh shoqërohet me traumë, dilema dhe frikë për të ardhmen e fëmijës. Prindërit përballen me shumë pyetje dhe pasiguri për aftësinë e fëmijës për t’u integruar dhe për të qenë i pavarur në jetë.

Përveç faktorëve personalë, ndikojnë edhe ata të jashtëm, si mungesa e mbështetjes institucionale, boshllëqet në mekanizmat ligjorë për këtë kategori, vështirësitë financiare dhe stigmatizimi shoqëror. Paragjykimet dhe mungesa e mirëkuptimit nga rrethi shoqëror mund ta thellojnë ndjenjën e izolimit dhe të rëndojnë më tej shëndetin mendor të prindërve.

Si ndikon dinamika familjare dhe ndarja e roleve prindërore në mirëqenien mendore të nënës dhe babait?

Mirëqenia mendore e prindërve ndikohet drejtpërdrejt nga mënyra si funksionon familja dhe si ndahen përgjegjësitë. Bashkëpunimi mes partnerëve është faktor kyç për ta përballuar këtë rrugëtim sfidues. Kur përgjegjësitë ndahen në mënyrë të balancuar dhe ekziston komunikim i hapur, ngarkesa emocionale bëhet më e përballueshme.

Përkrahja nga familja e gjerë, shoqëria dhe institucionet ndihmon në lehtësimin e stresit dhe në ruajtjen e stabilitetit emocional. Në mungesë të kësaj mbështetjeje, tensionet familjare mund të shtohen dhe të ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të të dy prindërve.

Çfarë forme mbështetjeje profesionale dhe komunitare është më e nevojshme për shëndetin e fëmijëve me autizëm?

Prindërit kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme psikologjike, përmes këshillimit individual ose në grup, e cila duhet të ecë paralelisht me terapinë e fëmijës. Terapitë specifike për prindërit i ndihmojnë ata të përballen me stresin, të menaxhojnë emocionet dhe të ndërtojnë strategji të shëndetshme përballuese.

Gjithashtu, janë të domosdoshme politika lehtësuese në vendin e punës dhe mbështetje financiare, sidomos për nënat që shpesh detyrohen të heqin dorë nga puna për t’iu përkushtuar fëmijës. Mbështetja komunitare dhe institucionale jo vetëm që ndikon në mirëqenien e prindërve, por përmirëson në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe cilësinë e jetës së fëmijës.

Të tjera