Sheruze Osmani Ballazhi, foto e edituar nga Mollëkuqja.mk (fotoja e saj e marrë nga ueb-faqja e Universitetit të Tetovës)
Sheruze Osmani Ballazhi, foto e edituar nga Mollëkuqja.mk (fotoja e saj e marrë nga ueb-faqja e Universitetit të Tetovës)

INTERVISTË | Heshtje në shkolla, zhurmë në rrjete: si rriten adoleshentët pa edukim seksual?

Shumë pikëpyetje, ankth, turp dhe informata të gabuara nga rrjetet sociale, ky është realiteti për adoleshentët në Maqedoninë e Veriut që buron nga mungesa e edukimit seksual në shkolla. Sheruze Osmani Ballazhi, psikologe dhe ligjëruese, në një bisedë për Mollëkuqja.mk theksoi se zgjidhja qëndron edukimi seksual i strukturuar, që u jep të rinjve njohuri për trupin, marrëdhëniet dhe kufijtë personalë. Mes tjerash, ajo foli për pasojat e mungesës së edukimi dhe rolin vendimtar të prindërve dhe mësuesve. 

Si ndikon mungesa e edukimit seksual në zhvillimin psikologjik të adoleshentëve dhe marrëdhëniet e tyre ndërpersonale? 

“Adoleshenca paraqet një periudhë të zhvillimit të vrullshëm fizik, emocional, kognitiv dhe seksual. Gjatë kësaj faze, të rinjtë fillojnë të përjetojnë tërheqje romantike, nevoja për afërsi, intimitet (jo domosdoshmërisht seksual) dhe dëshirën për t’u pranuar nga të tjerët. Këto ndjenja shpesh shfaqen në mënyrë të paqartë, duke i shtyrë adoleshentët të kërkojnë përgjigje. Kur të rinjtë nuk kanë qasje në informacione të sakta, që i ofron edukimi seksual, rreth ndryshimeve natyrore trupore që ndodhin gjatë pubertetit, ndikimit të mediave në krijimin e idealeve të rreme të pamjes trupore, kuptimit të dhunës seksuale, rëndësisë së miqësisë së shëndetshme, pasojave të aktivitetit të hershëm seksual dhe mënyrave të transmetimit të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, ata bëhen më të pambrojtur emocionalisht por edhe në aspektin social.”

Ajo shtoi se pasojat e mungesës së këtyre informacioneve janë të mëdha.

Mungesa e këtyre njohurive çon në konfuzion, ankth, turp dhe vetëvlerësim të ulët. Për më tepër, mungesa e edukimit seksual çon në vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme ndërpersonale, për shkak se të rinjtë nuk zhvillojnë aftësi për të komunikuar ndjenjat, për të vendosur kufij personalë dhe për të njohur marrëdhëniet abuzive. Të dhënat nga studimi Health and behavior of school aged children (HBSC) – 2022 në tregojnë se 30% e të rinjve 15 vjeçar në Maqedoninë e Veriut janë seksualisht aktiv. Kjo përqindje është më e lartë krahasuar me shtete të Evropës perëndimore si p.sh. Danimarka (22%) e Gjermania (19%) – të cilat në kurikulat e tyre kanë të përfshirë edukimin seksual.” 

Çfarë pasojash emocionale dhe psikologjike shfaqen te të rinjtë kur informacionin e marrin nga burime të pasakta, si rrjetet sociale? 

“Natyra njerëzore është e orientuar drejt kërkimit të kuptimit dhe shpjegimit të përjetimeve, veçanërisht gjatë adoleshencës. Kur të rinjtë nuk kanë qasje në të dhëna të sakta, relevante dhe të bazuara shkencërisht, boshllëku informativ shpesh plotësohet me dezinformata të marra nga rrjetet sociale, grupet dhe forumet e mbyllura online, interpretimet e ashpra tradicionale, si dhe nga bashkëmoshatarët që transmetojnë mite dhe thashetheme. Marrja e informacionit të pasaktë krijon pasiguri të thellë emocionale dhe i bën adoleshentët më të pambrojtur ndaj vendimeve impulsive dhe situatave të padëshiruara. Kjo mund të çojë në përfshirje në sjellje të rrezikshme, si aktivitet seksual i hershëm, rënie pre e manipulimit apo dhunës seksuale, dhe marrje vendimesh pa e kuptuar plotësisht rrezikun. Pasojat emocionale dhe psikologjike janë të konsiderueshme: frikë, ankth, konfuzion, vetëvlerësim i ulët, ndjenjë fajësimi dhe lëndim emocional. Në raste, ekspozimi ndaj dezinformatave mund të kontribuojë në zhvillimin e simptomave depresive dhe ideve suicidale. Për ilustrim, referuar të njëjtit studim, të rinjtë të cilët janë seksualisht aktiv, përjetojnë shumë më shumë vështirësi psikosomatike se të rinjtë 15 vjç që nuk janë të përfshirë në aktivitete seksuale, dhe sipas gjinisë këto simptoma përjetohen dyfish më shumë te vajzat se te djemtë.” 

Sa janë të gatshëm nxënësit të flasin për tema të seksualitetit në ambiente shkollore dhe sa ndikojnë tabutë në “heshtjen” e tyre? 

“Gatishmëria e nxënësve për të marrë përgjigje mbi kureshtjen e tyre në lidhje ndryshimet seksuale por dhe shëndetin seksual është larg më e madhe se sa supozojnë të rriturit. Zëri i ulët i tyre është rezultat i inhibimit të artikuluar nëpërmjet heshtjes nga të rriturit të cilët kanë paketuar temën e seksualitetit si të turpshme, të ndaluar, ose të rrezikshme për ta diskutuar Fakt për gatishmërinë e nxënësve të flasin mbi këtë temë është interesi i madh i nxënësve të marrin pjesë në pilot programin e lëndës edukim seksual.” 

Si mund të ndihmojë edukimi seksual i strukturuar në uljen e frikës, stigmat dhe tabuave që lidhen me trupin dhe seksualitetin? 

“Natyra njerëzore shpesh zhvillon frikë ndaj gjërave të panjohura, dhe në këtë kuptim edukimi seksual i strukturuar luan rol thelbësor në uljen e frikës, stigmës dhe tabuve që lidhen me trupin dhe seksualitetin. Kur të rinjtë marrin informacion të saktë, të qartë dhe të bazuar shkencërisht, ata fitojnë siguri, kuptim dhe aftësi për të parashikuar situata që lidhen me zhvillimin e tyre fizik dhe emocional. Kjo njohuri jo vetëm që i çliron nga pasiguritë, por edhe dobëson ndikimin e miteve dhe interpretimeve tradicionale, të cilat shpesh përbëjnë themelin e stigmatizimit. Edukimi seksual i organizuar krijon një mjedis ku trupit dhe seksualitetit nuk u qaset me turp, por me normalitet dhe respekt, duke u dhënë nxënësve hapësirë të sigurt për të bërë pyetje dhe për të shprehur shqetësimet e tyre. Në këtë mënyrë, ai jo vetëm informon, por edhe transformon qasjen kulturore ndaj këtyre temave, duke kontribuar në ndërtimin e një gjenerate më të hapur, më të vetëdijshme dhe më të sigurt.” 

Pavarësisht mungesës së edukimit seksual në kurikulat shkollore, a mendoni se mësuesit dhe prindërit duhet të diskutojnë më hapur për këto çështje? 

“Jo vetëm që duhet, por është edhe detyrë, obligim moral, prindëror dhe shoqëror i të rriturve, si prindërve edhe mësimdhënësve për të diskutuar hapur mbi zhvillimin dhe sjelljen seksuale të adoleshentëve. Mësuesit kanë përgjegjësi profesionale për të edukuar të rinjtë mbi temat që lidhen me seksualitetin, duke përdorur informacion të bazuar mbi fakte shkencore dhe duke krijuar një mjedis të sigurt për pyetje dhe diskutime. Nga ana tjetër, prindërit përballen me sfidën e tejkalimit të tabuve dhe stereotipave me të cilat janë rritur vetë, duke gjetur mënyra të përshtatshme për të ndihmuar fëmijët e tyre të kuptojnë trupin, ndjenjat dhe shëndetin seksual në mënyrë të përgjegjshme.”

A mendoni se futja e edukimit seksual në kurikulë do të ndikonte në reduktimin e dhunës me bazë gjinore dhe sjelljeve të rrezikshme te të rinjtë? Në ç’mënyrë do të ndodhte kjo? 

“Gjithsesi. Edukimi seksual i strukturuar u jep adoleshentëve njohuri të sakta mbi trupin, marrëdhëniet e shëndetshme dhe kufijtë personalë, duke i ndihmuar të identifikojnë dhe të shmangin situatat abuzive. Kjo kurikulë iu mëson të rinjve aftësi të komunikimit dhe respektit reciprok, si dhe zhvillon vetëdijesim mbi pasojat e sjelljeve të rrezikshme, por edhe aftësi për vendosje të kufijve të qartë, marrje të vendimeve të informuara që prevenon dhe ul dhunën në bazë gjinore.” 

Ndryshe, në shkollat e Maqedonisë së Veriut nuk ka lëndë të veçantë mbi edukimin seksual. Në të kaluarën ka pasur përpjekje për të futur edukimin gjithëpërfshirës seksual si lëndë zgjedhore, madje janë realizuar edhe pilot programe në disa shkolla. Megjithatë, kjo lëndë ende nuk është futur në kurikulat shkollore, pavarësisht synimeve që e njëjta të jetë e disponueshme për nxënësit.

Të tjera