“Drejtësia e cila më është mohuar”
Ky ishte një ndër momentet ku historia e Vasfije Krasniqit, e mbijetuar e dhunës seksuale, mori jehonë jo vetëm si rrëfim personal, por si akt rezistence dhe thyerje e një heshtjeje të gjatë shoqërore.
Për Mollëkuqja, Vasfija ndau copëza nga kjo histori e saj.
Ajo ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçare kur përjetoi dhunë seksuale nga regjimi serb gjatë luftës së Kosovës. Një krim i rëndë, i mbetur për vite me radhë pa përgjigje institucionale, pa drejtësi dhe pa ndëshkim për autorët.
Për një kohë të gjatë, heshtja ishte e vetmja mënyrë mbijetese. Por ajo heshtje nuk ishte zgjedhje, ishte pasojë e mungesës së sigurisë, mbështetjes dhe drejtësisë.
“Janë një sërë momentesh të cilat kanë ndikuar që unë të vendos të flas publikisht. Fillimisht është drejtësia e cila më është mohuar, ajo e cila më ka shtyrë gjithmonë që unë të flas, pastaj, ishin vajzat e mia ato të cilat më ofronin sigurinë që më mungonte që unë të flas”, tha Krasniqi.
Vendimi për të folur publikisht nuk erdhi papritur. Ai u formësua nga vite padrejtësie, nga dhimbja e pashëruar dhe nga zëri i brendshëm që nuk pranonte më të heshtte.
Në vitin 2017, ajo iu drejtua përmes rrjeteve sociale Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e udhëhequr nga Feride Rushiti, duke deklaruar hapur identitetin e saj dhe duke shprehur vendosmërinë për të folur publikisht.
“Me ç’rast, kam shprehur se jam Vasfije Krasniqi, jam e mbijetuar e dhunës seksuale dhe dua të flas publikisht për përvojën time traumatike. Dhe kjo ka ndodhur në vitin 2017, ndërsa kam folur publikisht në tetor 2018”, tha Krasniqi.
Sot, ajo është një nga zërat më të fuqishëm dhe më luftarakë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore. Angazhimi i saj buron nga përvoja personale, por ushqehet nga përgjegjësia ndaj shoqërisë se heshtja vetëm sa i mbron kriminelët dhe e thellon traumën e viktimave.
Vasfije Krasniqi flet hapur edhe për dështimet institucionale, vendore dhe ndërkombëtare, ku ndonëse kornizat ligjore ekzistojnë, efikasiteti i ndjekjes penale mbetet zhgënjyes.
“Krimet e dhunës seksuale kanë një zhvillim mjaft “interesant” mjaft zhgënjyes për viktimat. Tani mund të supozojmë se sa i madh ka qenë numri i viktimave të cilat në të kaluarën kanë përjetuar diçka të tillë por që, veprimit ndaj tyre nuk është njohur si vepër penale”, tha Krasniqi.
Ajo thotë se fillimisht është dashur që të inkriminohet veprimit në mënyrën që ketë edhe ndjekje penale. Krasniqi kujton se ,edhe në aspektin ndërkombëtar, ky krim i shëmtuar vonë ka filluar të ndiqet penalisht.
“Qoftë në situata të gjendjeve të luftës apo edhe në rastet e tjera. Por tani, aspektet juridiko janë të rregulluara në secilin sistem dhe ndjekja nuk mungon. Shqetësues është efikasiteti i ndjekjes i cili lë për të dëshiruar ose thënë më ndryshe është mjaftë zhgënjyes”, thotë Krasniqi.
Sipas saj, edhe në rastet e dhunës në bazë gjinore është situata pothuajse e njëjtë.
“Ka ndërmarrje të veprimeve por jo në masën e duhur. Dhe nëse i referohemi shifrave zyrtare në aspekt global e shohim se kemi rritje të rasteve qoftë të dhunës seksuale, qoftë edhe të dhunës në baza gjinore”, thotë Krasniqi.
Krasniqi potencoi se ngecjet janë me shumë të karakterit procedural, por edhe si rezultat i mungesës së vetëdijesimit të viktimave për të raportuar rastet.
“Gjithsesi, raportimi është i ndërlidhur kryekëput me mungesën e sigurisë dhe mbështetjes së viktimave për të raportuar”, thekson Krasniqi.
Duke qenë e mbijetuar që fëmijë e njërës nga format më të tmerrshme ta dhunës seksuale, dhe viktimë e qëllimeve politike dhe gjenocidale të Serbisë, ajo ka përjetuar trauma të shumta, dhe nga vuajtja mësoi të jetë e fortë, të mos dorëzohet kurrë dhe asnjëherë, edhe pse thotë se dorëzimi ishte opsioni më i lehtë.
“Por në momentin që unë kam krijuar familje jam bërë nënë e dy vajzave, atëherë gjërat kanë ndryshuar, më është dashur të mendoj shumë më shumë për vajzat e mia se sa për vetën time. Dhe, pikërisht janë vajzat e mia ato që më japin më së shumti motiv, pastaj familja dhe rrethana apo aspekte të tjera të cilat më bëjnë që në të veprojë në këtë drejtim”, tha Krasniqi.
Ajo thotë se jo vetëm shoqëria e jonë, por asnjë shoqëri nuk është e gatshme të përmbushë nevojat apo krijimin e një mjedisi që kërkohet qoftë për të mbështetur rehabilitimin e viktimave, apo edhe mbrojtjen e tyre.
“Kjo lidhet me pasojat shumëdimensionale që paraqiten te viktimat si rezultat i përjetimit të traumës. Përveç traumave si rezultat i drejtpërdrejtë i krimit, viktima ballafaqohet me paragjykime, stigamtizim, segregim mungesë të kujdesit etj. Pra, pasojat janë të shumta e të rënda, qoftë për t’i trajtuar viktimat qoftë për të krijuar një mjedis”, tha Krasniqi.
Vasfija sot është shndërruar në frymëzim dhe model për shumë gra dhe vajza e cila flet hapur, ajo porositi që gratë dhe vajzat duhet që të gjejnë forcën dhe guximin për të paraqitur secilin rast.
“Mos paraqitja-raportimi i rasteve të tilla kontribuon në shtimin e rasteve, kontribuon në mbrojtjen e kriminelëve, kontribuon në përkeqësimin e gjendjes jo vetëm emocionale e traumatike, por edhe në aspektet e tyre sociale, sepse, një viktimë nuk mund të ndihet mirë në rrethin e saj nëse ajo nuk ka besim që të raportoj për përvojën e saj traumatike. Mbroni të drejtat tuaja dhe veproni me kohë. Mos lejoni që përvoja juaj t’u shkatërrojë jetën”, tha Krasniqi.
Rrëfimi i Vasfije Krasniqit nxjerr në pah mungesën e drejtësisë dhe sfidat e vazhdueshme institucionale në trajtimin e dhunës seksuale dhe asaj me bazë gjinore. Zëri i saj shërben si thirrje për përgjegjësi, mbështetje reale për viktimat dhe veprim konkret për të thyer ciklin e heshtjes.





