Në Maqedoninë e Veriut, dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje mbeten sfida të mëdha. Problemet kryesore qëndrojnë në zbatimin e ligjit, mungesën e mbështetjes reale për viktimat dhe pabarazitë që përballen gratë nga komunitetet e margjinalizuara. Shumë raste mbeten të pa raportuara ose të pandjekura deri në fund, duke lënë viktimat të ekspozuara ndaj dhunës së përsëritur dhe pasojave të rënda. Për këto dhe shumë të tjera, Mollëkuqja bisedoi me Blerta Ahmedin, profesoreshë e së Drejtës Penale në UEJL.
Nga perspektiva juaj sa përputhet rregullativa aktuale ligjore në Maqedoninë e Veriut me standardet ndërkombëtare për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës me bazë gjinore dhe ku janë boshllëqet më problematike?
“Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të dukshëm në aspektin normativ, veçanërisht pas ratifikimit të Konventës së Stambollit dhe miratimit të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, si dhe përmes harmonizimit të Kodit Penal me kërkesat e kësaj Konvente. Në plan formal, korniza ligjore është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe e trajton dhunën me bazë gjinore si shkelje serioze të të drejtave të njeriut, duke paraparë masa mbrojtëse dhe detyrime të qarta për institucionet shtetërore.
Megjithatë, boshllëqet kryesore shfaqen në aspektin e mbështetjes reale që u ofrohet viktimave. Një nga mangësitë më serioze mbetet mungesa e mbështetjes sociale dhe ekonomike për viktimat e dhunës në familje, të cilat në shumicën dërrmuese të rasteve janë gra. Shumë prej tyre vijnë nga grupe të margjinalizuara ose kanë status të ulët socio-ekonomik dhe janë financiarisht të varura nga dhunuesi, çka e vështirëson ndjeshëm shkëputjen nga marrëdhënia e dhunshme.
Viktimat kanë nevojë për mbështetje konkrete financiare, strehim të sigurt, ndihmë për kujdesin ndaj fëmijëve dhe mundësi reale për pavarësi ekonomike. Mungesa e këtyre mekanizmave bën që shumë raste të dhunës të mos raportohen, jo për mungesë vullneti, por për shkak të pamundësisë për të mbijetuar në mënyrë të pavarur. Si pasojë, krijohet një “numër i errët” i lartë i rasteve të pa evidentuara, si dhe një “numër i përhimët” i rasteve të raportuara, por që nuk ndiqen dhe nuk zbardhen deri në fund nga institucionet kompetente. Në këtë kuptim, përputhshmëria me standardet ndërkombëtare mbetet shpesh formale, nëse nuk shoqërohet me mbështetje sociale dhe ekonomike efektive për viktimat.”
A kemi problem me vetë normën ligjore apo me zbatimin e saj nga policia, prokuroria dhe gjykatat? Kush mban përgjegjësinë kryesore?
“Në përgjithësi, korniza ligjore që rregullon dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore është e ndërtuar gjerësisht dhe parashikon një politikë ndëshkuese të qartë. Megjithatë, problemi kryesor në nivel të normës ligjore konsiston pikërisht te rregullimi i veprës penale të Lëndimit trupor, kur kjo kryhet si dhunë në familje, dhunë në bazë gjinore apo dhunë ndaj grave, për të cilën ndjekja penale varet nga propozimi i viktimës.(KPM, neni 130) Kjo zgjidhje ligjore e zhvendos barrën e inicimit të procedurës penale te vetë viktima dhe përbën një mangësi serioze që kërkon rishikim në Kodin Penal dhe në rregullimin procedural përkatës.
Përveç kësaj mangësie të veçantë, Kodi Penal e inkriminon gjerësisht dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore përmes një spektri të gjerë veprash penale, të sistemuara në kuadër të veprave kundër jetës dhe trupit, kundër lirive dhe të drejtave të njeriut dhe qytetarit, si dhe kundër lirisë dhe moralit gjinor. Këtu përfshihen forma si lëndimi trupor dhe lëndimi i rëndë trupor, përndjekja, krimet seksuale si dhe format më ekstreme të dhunës, përfshirë vrasjen si pasojë e dhunës në familje dhe vrasjen e grave dhe vajzave si pasojë e dhunës me bazë gjinore (femicidin), të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare dhe sanksionohen me dënime të ashpërsuara.
Sipas Ligjit për Procedurën Penale, kur ndjekja për veprën penale varet nga propozimi i të dëmtuarit, prokurori publik nuk mund të iniciojë procedurë penale pa këtë propozim. (LPP, neni 22) (rasti i lëndimit trupor në rastet kur ajo kryhet si dhunë në familje ose dhunë me bazë gjinore). Në praktikë, kur kjo i lihet vullnetit të viktimave, ato në shumicën e rasteve nuk e iniciojnë procedurën ose tërhiqen, për shkak të frikës, pasigurisë, varësisë ekonomike, përgjegjësisë për kujdesin ndaj fëmijëve dhe mungesës së mbështetjes sociale dhe institucionale. Si pasojë, edhe kur policia konstaton dhunë në familje dhe e njofton prokurorinë, shumë raste mbeten vetëm të evidentuara, pa epilog gjyqësor. Në këto rrethana, ndjekja penale për lëndimin trupor të kryer si dhunë në familje ose dhunë në bazë gjinore nuk duhet të varet nga iniciativa e viktimës, por duhet të mundësojë veprim ex officio nga prokuroria, paralelisht me aktivizimin e menjëhershëm të masave mbrojtëse për viktimën.”
Sa seriozisht i trajtojnë institucionet rastet e dhunës me bazë gjinore, veçanërisht kur viktimat janë gra nga komunitete të margjinalizuara? A ka barazi reale para ligjit apo selektivitet institucional?
“Në parim, institucionet janë të obliguara të trajtojnë të gjitha rastet e dhunës me bazë gjinore në mënyrë të barabartë dhe në përputhje me ligjin. Megjithatë, në praktikë, gratë nga komunitete të margjinalizuara shpesh gjenden në një pozitë më të pafavorshme për shkak të faktorëve objektivë që ndikojnë në qasjen e tyre ndaj drejtësisë. Këto gra, në shumë raste, janë më pak të informuara për të drejtat dhe mekanizmat mbrojtës që u ofron sistemi ligjor, kanë varësi më të theksuar ekonomike dhe përballen me presione familjare e shoqërore që e vështirësojnë raportimin e dhunës.
Si pasojë e këtyre rrethanave, shumë raste ose nuk raportohen fare, ose nuk ndiqen deri në fund, çka krijon përshtypjen e pabarazisë në qasjen ndaj drejtësisë. Prandaj, edhe pse barazia para ligjit është e garantuar formalisht, realizimi i saj praktik kërkon politika dhe masa mbështetëse shtesë që marrin parasysh këto dallime objektive dhe synojnë fuqizimin e grave nga komunitete të margjinalizuara, në mënyrë që mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore të jetë realisht e barabartë për të gjitha.”
Në praktikë, sa efektive janë masat mbrojtëse të parashikuara me ligj për viktimat e dhunës, dhe a ka raste kur dështimi institucional i ka ekspozuar ato ndaj dhunës së përsëritur apo edhe më të rëndë, shembull edhe mungesa e strehimoreve?
“Në aspektin normativ, ligji parashikon një sërë masash mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Këto masa janë të rëndësishme dhe përbëjnë bazën e reagimit institucional ndaj dhunës, veçanërisht në fazat e para pas raportimit të rasteve.
Megjithatë, në praktikë, efektiviteti i këtyre masave është i kufizuar nëse ato nuk shoqërohen me mekanizma konkretë mbështetës për viktimat. Mungesa ose kapaciteti i pamjaftueshëm i strehimoreve, si dhe mungesa e programeve të qëndrueshme për mbështetje psikologjike, financiare dhe sociale, shpesh e vështirësojnë largimin real të viktimave nga situatat e dhunës. Pa këto forma mbështetjeje, viktimat mbeten të ekspozuara ndaj dhunës së përsëritur dhe shpesh detyrohen të kthehen në ambiente të pasigurta për shkak të varësisë ekonomike dhe mungesës së alternativave reale për mbijetesë të pavarur.
Fatkeqësisht, praktika gjyqësore në vendin tonë tregon se ekzistojnë raste kur gra vuajnë dënime të rënda me burg për vepra të kryera në rrethana të vetëmbrojtjes ose vetëgjyqësisë, si pasojë e dhunës së vazhdueshme, sistematike dhe të padenoncuar nga partnerët e tyre. Këto raste shpesh lidhen me situata ku viktimat nuk kanë qenë të mbrojtura në mënyrë efektive nga sistemi, nuk kanë pasur qasje në mekanizma mbështetës dhe nuk kanë parë rrugëdalje tjetër për t’i dhënë fund dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre. Kjo përbën një tregues serioz të dështimit institucional për të ofruar mbrojtje në kohë dhe mbështetje reale për viktimat, duke rezultuar në pasoja të rënda penale për vetë ato gra që për një kohë të gjatë kanë qenë viktima të dhunës.”
Duke pasur parasysh rastet kur institucionet reagojnë vetëm pas presionit publik ose mediatik, a mund të flasim një kulturë institucionale që minimizon dhunën me bazë gjinore dhe shpesh fajësimin e viktimave, dhe çfarë ndryshimesh konkrete ligjore apo strukturore do të ishin urgjente?
“Në disa raste krijohet përshtypja se reagimi institucional bëhet më i dukshëm pas vëmendjes publike ose mediatike, gjë që ngre nevojën për një qasje më të qëndrueshme dhe të barabartë në trajtimin e të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore. Institucionet duhet të veprojnë në mënyrë proaktive dhe të njëtrajtshme në çdo rast, pavarësisht nivelit të ekspozimit publik, në mënyrë që të shmangen situata që krijojnë ndjenjë pabarazie ose pasigurie te viktimat.
Ndryshimet urgjente duhet të synojnë forcimin e standardeve të reagimit institucional, përmes qartësimit të detyrimeve ligjore për veprim ex officio, trajnimeve të vazhdueshme për profesionistët dhe mekanizmave më efektivë të monitorimit dhe llogaridhënies. Një qasje e tillë do të kontribuonte jo vetëm në trajtim të barabartë të rasteve, por edhe në parandalimin e “viktimizimit sekondar”, duke siguruar që ndërveprimi i viktimave me institucionet shtetërore të mos kthehet në burim shtesë të stresit apo dekurajimit.”
Ndryshe, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka filluar procedura për ndryshime dhe plotësime në Kodin Penal, mes të cilave parashihen ndryshime edhe për dhunën me bazë gjinore dhe atë në familje si dhe përputhja me Konventën e Stambollit.






