Teuta Ajdini Jegeni: Jepi gruas dhembje, ajo e shndërron në fuqi!

Teuta Ajdini Jegeni është aktore në Teatrin Shqiptar të Shkupit, fituese e shumë çmimeve dhe e shumë roleve të veçanta. Suksesi i saj më i madh krahas teatrit erdhi me filmin “Vera andrron detin”. Filmi i parë artistik i regjisores Kaltrina Krasniqi nga Kosova, tregon historinë e Verës, një përkthyese e gjuhës së shenjave, e cila pas vetëvrasjes së bashkëshortit të saj, një gjykatës i njohur, e gjen veten në një situatë për të negociuar për të ardhmen e vajzës së saj. Në film luan Vera, e luajtur nga aktorja Teuta Ajdini Jegeni e Teatrit Shqiptar në Shkup e cila me këtë film preku dhe ëndrrën e saj, Venedikun. Filmi me protagoniste kryesore Verën që e luan Teuta  është shfaqur me sukses në mbi 20 festivale në mbarë botën dhe ka fituar tetë shpërblime të rëndësishme, nga të cilat edhe çmimin “Filmi më i mirë” në festivalin prestigjioz të Tokios dhe dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Venedikut. Por si ndikoi ky rol në jetën e saj dhe çka mendon për hisen e mohuar të vajzave, kuptoni përmes kësaj bisede në vazhdim.

Si e zgjodhët aktrimin ?

Nuk e di saktë a e zgjodha unë aktrimin apo aktrimi më zgjodhi mua, pasi që kur di për veten, para se të mësojë shkrim- leximin, unë aktroja. Si duket qe fati që më ra në hise të trashëgoja talentin e babait ndërsa ai ma ushqeu këtë dashuri për teatrin duke më angazhuar kudo ku duheshin fëmijë në shfaqje. Kjo dashuri erdhi duke u rritur sa s’më la asnjë dilemë kur erdhi puna të përcaktohem për profesionin.

Kishte paragjykime në atë kohë për këtë profesion?

Në atë kohë nuk kisha ndjesi për paragjykimet, nga fakti se vija nga një familje ku arti, letërsia dhe arsimi lartësoheshin shumë. Babai im ishte aktor, xhaxhai shkrimtar dhe gjyshi arsimtar i shumë trevave shqiptare. Vi nga një qytet ku tradita dhe kultura kanë çerdhen e vet. Gruaja shqiptare në ato rrethana ishte e pranishme kudo dhe thuajse e barabartë në jetën publike.

Të vetmen gjë që kuptova në fillimet e mia, qe nevoja personale për tu edukuar për këtë profesion që t’u lija një shembull aktoreve që do vinin pas meje.

Ka ndryshuar diçka nga trajtimi i dikurshëm, si shihen aktoret sot?

Tani që po më pyet fillova ta mendoj. Është një distancë e gjatë kohore dhe sigurisht ka ndryshuar shumëçka. Aktore në kohën time kishte shumë pak por ishim më të vlerësuara nga qarqet intelektuale të asaj kohe, qoftë për guximin dhe aftësitë profesionale që shprehnim. Vetëm se, intelektuali i dikurshëm ishte me plotë kuptimin e fjalës intelektual, i pa politizuar, sot gjithkush quan veten intelektual por s’kanë peshën dhe vlerën e dikurshme. Sot kemi shumë aktore, por pak nga ato mund të dalin në pah dhe të vlerësohen pasi na rrethon injoranca dhe mungon kultura e vlerësimit mirëfilli. Kjo ngecje ndodhë në çdo profesion, jo vetëm në fushën e aktrimit, fatkeqësisht.

Çka ke të përbashkët me Verën e filmit?

Vera, personazhi i filmit ” Vera andrron detin” është personazh universal, ka shumë gra anë e mbanë botës që kanë shumë të përbashkëta me të, siç është forca një nga vetitë e saj të veçanta.

Nuk thonë kot: Jepi gruas dhembje, ajo e shndërron në fuqi, jepi trazira ajo e shndërron në paqe. Gruaja nuk lind e fortë, por jeta e bën të tillë. Personazhi i Verës që në leximin e parë më bëri që ta dashuroja dhe të jepja gjithçka që kisha për ta nxjerr në pah një grua të fortë, sepse ashtu e ndjeja që të dal, si heroinë dhe jo viktimë.

Çfarë mendon për hisen e mohuar të grave?

Mendoj se kjo hise është në konflikt shekullor me traditat tona dhe shoqërinë ku jetojmë. Në të kaluarën gratë kanë vuajtur shumë dhe kanë përballuar situata të paimagjinueshme, sepse ka qenë e pambështetur nga vetë ata prindër që e kanë sjellë në jetë. Tani më, kjo gjë ka ndryshuar dhe jam e lumtur për këtë fakt.

Megjithatë, arsimimi i vajzave ngelet ende përkrahja më e madhe që mund t’i ofrohet një vajze nga familja e saj. Mungesa e shkollimit ka bërë që ajo të nënshtrohet dhe të mos dijë të luftojë për barazi dhe mirëqenie morale.

Si ishte të prekësh një ëndërr si Venediku?

Ka qenë një ëndërr që e kam pasur që nga fillimet e mia të karrierës. Ëndërroja dhe isha e sigurt se një ditë do ta shkeli një tapet të kuq i cili të plotëson dhe realizon në rrugëtimin profesional.

Kjo ëndërr e bukur më motivon dhe obligon për të vazhduar më tej me shumë energji sepse kam edhe shumë ëndrra tjera.

Çfarë do t’i thoje një vajze që zgjedh aktrimin?

Do t’u thoja ta përjetojnë si dashurinë më të madhe të jetës, sepse vetëm dashuria të bën ta përballosh këtë profesion delikat ku ballafaqohesh me shumë sfida që shumë herë të duken të papërballueshme. Duhet ruajtur forcën e gruas dhe të mbash balancën mes profesionit e familjes e cila duhet të jetë aty përherë si përkrahje për të vazhduar.

Ç’të ka mësuar ky profesion?

Pa e vërejtur qenkan bërë shumë vite karriere, kam kaluar në shumë situata interesante që i sjellë ky profesion, por gjëja më interesante është që më ka mësuar të jetësoj shumë fate të njerëzve, të dalloj të mirin nga i keqi, të diturin nga i padituri dhe këto eksperienca të më shërbejnë në jetën time të përditshme. Me një fjalë aktrimi të jep mundësinë të përjetosh gjëra që asnjë profesion tjetër nuk ta mundëson.

 Je bërë pishman ndonjëherë që ke zgjedhur aktrimin?

Asnjëherë! Edhe sikur t’i kisha njëqind jetë tjera, unë sërish do e zgjidhja aktrimin.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Related