Fëmijët “kushtojnë”, shteti mungon: Prindërimi po bëhet luks në Maqedoninë e Veriut

Të rritësh fëmijë në Maqedoninë e Veriut kushton më së paku 2400 euro në vit. Për shkak të lartësisë së shpenzimeve, kujdesi ndaj fëmijëve familjet po i përball me varfërinë. Kryeministi Micktoski alarmon për ulje të natalitetit dhe bën thirrje që çiftet të bëjnë më shumë fëmijë, por nga ana tjetër shteti nuk ofron ndihmë adekuate për t’u mundësuar çifteve që të rrisin fëmijë pa përjetuar pasiguri financiare. 

Hulumtimi i bërë nga Qendra për Barazi dhe Drejtës, i cili përfshin 646 të anketuar dhe 4 fokus grupe me prindërit, sjell në sipërfaqe shpenzimet vjetore të prindërve (vetëm duke mbuluar nevojat elementare) të cilat arrijnë deri në 3200 euro. Në tabelën në vijim janë paraqitur shpenzimet vjetore për çdo gupmoshë të fëmijëve nga dita e parë e lindjes e deri në moshën 18 vjeçare. 

tabela për shpenzimet by Era Gjakova

Siç mund të shohim nga tabela, shpenzimet asnjë vit nuk janë nën 2400 euro. Shpenzimet më të ulta, repektivisht 2400 euro, regjistrohen nga mosha 7 deri në 14 vjeçare, kurse çdo grupmoshë tjetër tejkalon shumën 2445 euro. Fëmijët e moshës 15-18 kanë shpenzime më të mëdha, respektivisht 3200 euro. Neda Çalovska Dimovska nga Qendra për Barazi dhe Drejtësi tregon se të anketuarit kanë identifikuar harxhime edhe më të mëdha, varësisht nga mosha, sesa të dhënat e përgjithshme të hulumtimit.

“Sa i përket kostove sipas moshës, të anketuarit tanë raportuan shpenzimet më të larta për adoleshentët, të cilat arrijnë deri në 200.000 denarë në vit, më pas për foshnjat deri në moshën 2 vjeç, që arrijnë deri në 190.000 denarë në vit, dhe pastaj për fëmijët në arsimin fillor, që arrijnë deri në 150.000 denarë në vit.”

Por këto shifra nuk janë shifrat reale që prindërit harxhojnë çdo vit për fëmijët pasi që ekzistojnë shpenzime të fshehura të cilat nuk diskutohen edhe pse janë barrë e rëndë për prindërit, thotë Neda Çalovska.

“Hulumtimi zbuloi se ekzistojnë shumë kosto të fshehura në të gjithë sistemin arsimor, nga kopshti deri në përfundimin e arsimit të mesëm. Nuk ekziston arsim falas, as shuma në çerdhe nuk është realisht 2.000 denarë, duke qenë se paguhen materiale pune, materiale higjienike, libra, pajisje, aktivitete sportive, fotografi, shfaqje, ekskursione dhe kosto të tjera të fshehura.”

Duke i pasur parasysh shpenzimet vjetore për të rritur fëmijë, Abil Baush, ekonomist, shprehet se me pagën minimale dhe mesatare me të cilat disponon Maqedonia e Veriut, është e rëndë të bëhet jetë komode pa pasur frikë nga varfëria.  

“Nga këndvështrimi ekonomik, duke marrë parasysh kostot reale të dokumentuara për rritjen e një fëmije në Maqedoninë e Veriut, është shumë e vështirë që familjet që jetojnë vetëm me pagën minimale, e madje shpesh edhe me pagën mesatare, ta përballojnë rritjen e fëmijëve pa u ekspozuar ndaj pasigurisë financiare.”

Pasiguria rritet dhe madje prindërit detyrohen të hyjnë në borxh, kur familjet kanë më shumë se një fëmijë, shprehet ekonomisti.

“Shpenzimet mujore për një fëmijë, në varësi të moshës, arrijnë nivele që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave familjare, ndërsa për dy apo më shumë fëmijë ky presion rritet në mënyrë disproporcionale. Në këto kushte, familjet janë të detyruara të reduktojnë shpenzimet bazë, të hyjnë në borxhe ose të mbështeten në transferta informale, duke e bërë stabilitetin financiar të pasigurt dhe afatshkurtër.”

SJELLJA NË JETË VENDIM EMOCIONAL APO EKONOMIK?

Dëshira për të pasur familje të madhe çdo ditë e më shumë mbizotërohet nga frika dhe pasiguria të cilat vijnë si rezultat i rritjes drastike të çmimeve dhe standardit jetësor, si dhe politikave të cilat vetëm deklarativisht nxitin natalitetin. 

Anita Latifi, nënë e dy fëmijëve, tre dhe katër vjeç, shprehet se çdo ditë është luftë për të ulur shpenzimet, por ato shtohen ashtu si rriten fëmijët. 

“Të rritësh fëmijë sot është dukshëm më e vështirë sesa disa vite më parë. Ne jemi një familje me të ardhura mesatare dhe detyrohemi vazhdimisht të balancojmë financiarisht. Çmimet rriten pothuajse çdo muaj, ndërsa të ardhurat mbeten të njëjta. Ndonëse fillimisht duket se me rritjen e fëmijëve largohen disa shpenzime të përditshme si qumështi, pelenat e të ngjashme, në realitet shpenzimet vetëm sa rriten.”

Nevojat elementare vazhdojnë të jenë shpenzimet më të mëdha kur është fjala për rritjen e fëmijëve, shton Latifi. 

Mundohemi të mos u krijojmë varësi nga lodrat e kushtueshme dhe aplikojmë praktikën “vesh dhe dhuro tutje” për veshjet, por pavarësisht kësaj, shpenzimet më të mëdha mbeten ushqimi, veshmbathja, shëndeti, aktivitetet për zhvillimin e tyre dhe nevojat e përditshme.

PASIGURIA FINANCIARE UL NATALITETIN

Abil Baush thekson se pasojat nga lufta e përdishme për të menaxhuar financat në mënyrë që familjet të mos përballen me varfërinë, janë afatgjate dhe ato direkt ndikojnë në vendimin për t’u bërë prindër apo numrin e fëmijëve.

“Këto presione financiare japin sinjale të qarta për trendet aktuale dhe të ardhshme të natalitetit në Maqedoninë e Veriut. Rënia e lindshmërisë nuk është vetëm çështje kulturore apo personale, por pasojë direkte e kushteve ekonomike. Kostot e kujdesit për fëmijët, arsimit, shëndetësisë dhe strehimit krijojnë një barrë financiare që i shtyn çiftet të vonojnë vendimin për të pasur fëmijë, të kufizojnë numrin e tyre ose të shtyjnë prindërimin për në moshë më të vonshme. Në afat të gjatë, kjo pritet të çojë në plakje të popullsisë, tkurrje të fuqisë punëtore dhe rritje të presionit mbi sistemet e pensioneve dhe shëndetësisë.”

Edhe Anita Latifi ndan qëndrimin e njejtë. Sipas saj, vendimi për të bërë fëmijë tash më bazohet në situatën financiare dhe sigurinë për t’u ofruar të ardhme të sigurtë fëmijëve, në vendse në dëshirën për të pasur familje më të madhe. 

“Nga bisedat me çiftet e reja kuptoj se pasiguria financiare është një nga arsyet kryesore pse shumë çifte po e shtyjnë vendimin për të pasur fëmijë ose po kufizohen në një apo dy. Gjithnjë e më pak mbështeten te thënia popullore “Çdo fëmijë vjen me fatin e vet”, si një motiv apo shpresë se me ardhjen e fëmijës do të përmirësohet edhe gjendja financiare. Sot, fëmijët nuk janë vetëm dëshirë emocionale, por edhe një përgjegjësi e madhe financiare. Kur nuk ke siguri për nesër—për punën, çmimet, shëndetin apo arsimimin, frika e mospërballimit mbizotëron mbi dëshirën për një familje më të madhe.”

Abil Baush vlerëson se familjet kanë nevojë për të ardhura dukshëm më të larta sesa paga minimale dhe shpesh edhe më të larta sesa pagat mesatare. Nga ana tjetër Anita Latifi thotë se familjet kanë nevojë për ndihmë sistematike. 

“Nëse do të kishte mbështetje reale për familjet, si stabilitet ekonomik, ndihmë financiare për fëmijët dhe politika që realisht e mbrojnë familjen, shumë çifte do të ndiheshin më të sigurta për të pasur fëmijë ose për të pasur më shumë fëmijë.”

Duke u bazuar në tërë hulumtimin dhe anketat e realizuara, rekomandohen të ndërmirren disa masa: 

  • Gjendja duhet të ndiqet në mënyrë sistematike përmes përmirësimit të metodologjisë së Entit Shtetëror të Statistikave për shpenzimet familjare, duke shtuar pyetje për numrin dhe moshën e fëmijëve në familje dhe duke realizuar analiza të synuara të konsumit, si dhe matjen e ndikimit të kostove që lidhen me ciklet e ndryshme jetësore të fëmijëve; 
  • Duhet të rishikohet mënyra dhe shumat e shtesave për mbështetjen e familjeve, me qëllim që ato të lidhen me kostot reale të rritjes së një fëmije, në vend që të përcaktohen administrativisht; 
  • Mbështetja duhet të bazohet në vlerësime të tregut dhe të harmonizohet rregullisht, në mënyrë që të pasqyrojë nevojat aktuale të familjeve sipas moshës së fëmijës, llojit të familjes dhe dallimeve rajonale; 
  • Duhet bërë përcaktimi i një shporte minimale për fëmijë, përmes së cilës do të ofrohet mbështetje për të gjitha familjet.
This material is completely or partly financed by UK International Development and The Kvinna till Kvinna Foundation, that do not necessarily agree with the opinions expressed within. The author alone is responsible for the content.

Related