Jeta, zgjedhja dhe përgjegjësia: Një reflektim mbi Wrongful birth dhe Wrongful life

E inspiruar nga leximi i një disertacioni doktorature me titull “Одговорност за штету због нежељеног рођења (wrongful birth) и због нежељеног живота (wrongful life)”, si dhe nga shqyrtimi i një disertacioni magjistrature me temë të ngjashme, aktualisht në përgatitje nga kandidatja ime Leonora Dauti Pollozhani, ndalem për të reflektuar mbi një nga temat më të rënda dhe më të dhimbshme që e drejta bashkëkohore guxon t’i prekë, tema që, në kontekstin tonë juridik dhe realitetin shoqëror, vazhdojnë të mbeten ende të largëta dhe pak të diskutuara. Nuk është një temë që lexohet lehtë, as që shkruhet pa ndjeshmëri. Është një temë që të vendos përballë pyetjeve për jetën, përgjegjësinë dhe kufijtë e drejtësisë njerëzore. Pikërisht këtu lindi mendimi për të shkruar për rastet kur, për shkak të një lindjeje të “gabuar”, e drejta lejon ose të paktën diskuton të drejtën për të lejuar mundësinë që padia të parashtrohet nga vetë fëmija, madje edhe ndaj prindërve të tij. Një ide që trondit, që sfidon ndjenjat tona më bazike, por që ekziston realisht në debatet juridike dhe në praktikën e disa sistemeve ligjore në aspektin komparativ. Kjo sepse çdo problem jetësor, sado i ndjeshëm apo personal, kërkon edhe një përgjigje juridike.

Shpesh shkrimet e kësaj natyre i nis me pohimin se ndodhemi përballë një sfide të krijuar nga vetë mjekësia dhe nga avancimet e shpejta të shkencës biomjekësore. Sot, çështja e planifikimit të familjes është gjithnjë e më shumë në duart e njeriut, i cili, i udhëhequr nga ambicie shpesh të pakontrolluara, mund të vihet në përplasje me ligjet natyrore. Pikërisht këtu ndërhyjnë bioetika dhe e drejta, si mekanizma që synojnë të vendosin kufij dhe të mbajnë nën kontroll këto ambicie të qenies njerëzore. Biomjekësia bashkëkohore sot na mundëson të zgjedhim gjininë e fëmijës, të ndërhyjmë në kapacitetet e tij fizike dhe intelektuale, të realizojmë lindjen e një fëmije nga materiali gjenetik i tre personave, transplantin e mitrës nga një grua e vdekur te një grua me mungesë të saj dhe lindjen e një fëmije të shëndetshëm, krioprezervimin e qelizave gjenetike dhe përdorimin e tyre pas shumë vitesh, ngjizjen dhe lindjen e fëmijës pas vdekjes së njërit ose të dy prindërve, mbajtjen dhe lindjen e fëmijës për tjetrin, etj. Të gjitha këto dhe shumë zhvillime tjera kanë lehtësuar ndjeshëm procesin e planifikimit të familjes, veçanërisht për çiftet që nuk arrijnë ngjizjen përmes rrugëve natyrore. Megjithatë, krahas këtij progresi të jashtëzakonshëm, biomjekësia dhe metodat e riprodhimit të asistuar kanë sjellë një revolucion të vërtetë në të drejtën e riprodhimit dhe në të drejtën familjare, duke hapur njëkohësisht debate të thella juridike, etike, fetare, morale dhe filozofike.

Definitivisht, avancimi i mjekësisë ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si planifikohet familja. Sot, përmes kontracepsionit, sterilizimit, diagnostikës prenatale dhe këshillimit gjenetik, prindërit kanë më shumë kontroll mbi vendimet e tyre riprodhuese se kurrë më parë. Ky kontroll, megjithatë, nuk ushtrohet në mënyrë të pavarur, por mbështetet në një marrëdhënie besimi dhe përgjegjësie ndërmjet gruas shtatzënë dhe profesionistëve shëndetësorë. Në këtë kontekst, ndjekja e këshillave dhe rekomandimeve të gjinekologut, si dhe respektimi i protokolleve të ndjekjes së shtatzënisë, përbëjnë një element thelbësor jo vetëm për mbarëvajtjen e shtatzënisë, por edhe për realizimin real të të drejtave riprodhuese të individëve. Kontrollet e rregullta, ekzaminimet e parapara dhe informimi në kohë nuk janë çështje zgjedhjeje personale, por pjesë e një standardi profesional që krijon siguri juridike për të gjitha palët e përfshira.  Protokollet gjinekologjike synojnë të sigurojnë që çdo grua shtatzënë të ketë qasje në informacion të plotë dhe të saktë për rrjedhën e shtatzënisë dhe për rreziqet eventuale. Vetëm mbi këtë bazë prindërit mund të marrin vendime të informuara lidhur me vazhdimin ose ndërprerjen e shtatzënisë, brenda kufijve që parashikon ligji. Kur këto protokolle respektohen, e drejta për zgjedhje mbetet reale dhe efektive.

Por çfarë ndodh kur këto standarde nuk respektohen? Çfarë ndodh kur rekomandimet mjekësore nuk ndiqen, kur kontrollet mungojnë, kur informacioni nuk u përcillet prindërve në kohë dhe me seriozitetin e duhur, apo kur mjeku harron ose nuk është i vetëdijshëm për detyrimin e tij themelor për të informuar? Akoma më shqetësuese janë rastet kur gabimi mjekësor prodhon pasoja të drejtpërdrejta tek fëmija. Kush mban përgjegjësi në këto situata, dhe a ekziston një mekanizëm real për kërkimin e përgjegjësisë? Pikërisht në këto rrethana lindin situata ku, për shkak të gabimit profesional, prindërit humbin mundësinë për të vendosur mbi jetën e tyre riprodhuese, ndërsa pasojat e këtij dështimi bëhen të pakthyeshme. Jo të gjithë prindërit janë të informuar se si duhet të veprojnë gjatë shtatzënisë. Jo të gjithë prindërit kërkojnë informacion në Google, dhe edhe sikur ta bënin, kjo nuk është dhe nuk duhet të jetë “punë” e tyre. Kjo formë “amaterizmi” nga ana e prindërve është e kuptueshme dhe e justifikueshme. Por e njëjta gjë nuk mund dhe nuk duhet të vlejë për mjekun. Nga profesionisti shëndetësor pritet njohje e plotë e protokolleve, komunikim i qartë dhe përgjegjësi e lartë, sepse pikërisht mbi këtë standard mbështetet ushtrimi real i të drejtave riprodhuese dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor.

Në të drejtën bashkëkohore, këto situata njihen si “lindje e padëshiruar” (wrongful birth) dhe “jetë e padëshiruar” (wrongful life). Termat nuk vënë në dyshim vlerën e jetës njerëzore, por shërbejnë për të adresuar një pyetje thelbësore juridike: a duhet të mbajë përgjegjësi mjeku kur, për shkak të mosrespektimit të protokolleve profesionale, prindërit privohen nga e drejta për të marrë vendime mbajtjen/ndërprerjen e shtatzënisë? Kur prindërit thonë: “Po të dinim, do të kishim zgjedhur ndryshe”. Rastet e lindjes së padëshiruar lidhen zakonisht me situata si: sterilizime të kryera gabimisht; dështime të kontracepsionit për shkak të këshillimit të pasaktë; mungesë të diagnostikës prenatale, ose mosinformim për rrezikun e lindjes së një fëmije me sëmundje të rëndë e cila mbase mund të detektohet gjatë kontrolleve gjinekologjike. Në këto raste, prindërit nuk ankohen për ekzistencën e fëmijës, por për pasojat shëndetësore, emocionale dhe sociale që nuk do t’i kishin përjetuar po të ishte respektuar standardi profesional mjekësor. Gjykatat në shumë vende evropiane dhe në SHBA kanë pranuar se shpenzimet e jashtëzakonshme për rritjen dhe trajtimin e fëmijës, veçanërisht kur ai ka aftësi të kufizuara, mund të përbëjnë dëm të kompensueshëm. Kjo qasje mbështetet, ndër të tjera, në ekzistencën e sistemeve shëndetësore dhe sociale të avancuara, të cilat e bëjnë të mundur identifikimin më të qartë të përgjegjësisë dhe shpërndarjen më të drejtë të ngarkesës që lind nga gabimet profesionale.

Por çfarë ndodh në situatat kur prindërit, edhe pse janë të informuar për pasojat dhe rreziqet, vendosin të mos e ndërpresin shtatzëninë? Apo kur pyetja bëhet edhe më e vështirë dhe më tronditëse: a mund të ankohesh që ke ardhur në jetë? Në këto raste, dilema juridike nuk lidhet më vetëm me të drejtën e prindërve për zgjedhje, por me vetë pozitën juridike të fëmijës, i cili lind me dëmtime të rënda fizike ose mendore dhe pretendon se vuajtjet e tij janë pasojë e një vendimi nga të rriturit  ose e një dështimi institucional që mund të ishte shmangur. Këtu e drejta përballet me kufijtë e saj më të ndjeshëm: si të balancohet respekti për jetën njerëzore me kërkesën për përgjegjësi, pa e shndërruar vetë ekzistencën në objekt dëmi. Pikërisht në këtë kontekst në të drejtën bashkëkohore, shfaqen rastet e ashtuquajtura “jetë e padëshiruar” (wrongful life), ku padia ngrihet në emër të vetë fëmijës, zakonisht në situata kur ai lind me dëmtime të rënda që mund të ishin zbuluar dhe parandaluar përmes ndërprerjes së ligjshme të shtatzënisë. Këto raste kanë shkaktuar debate të thella etike dhe juridike: a mund të thuhet se një jetë e shoqëruar me vuajtje të rënda është juridikisht më e pafavorshme se mosqenia? A mund ta cilësojë e drejta jetën si “dëm” të shkaktuar? Shumica e sistemeve juridike hezitojnë të shkojnë kaq larg. Megjithatë, disa gjykata kanë pranuar që kostot shtesë të trajtimit dhe përkujdesjes së një fëmije me aftësi ndryshe të mbulohen, pa e cilësuar vetë ekzistencën si dëm. Tek ne, ende nuk shkojmë kaq larg. Përgjegjësia shpesh shpërndahet, relativizohet ose mbetet e paidentifikuar. Faji ekziston, por mbetet anonim- pa emër, pa adresë dhe, shumë shpesh, pa pasoja juridike konkrete.

Debati për lindjen dhe jetën e padëshiruar nuk është debat kundër jetës. Përkundrazi, është debat për dinjitetin njerëzor, autonominë e prindërve dhe përgjegjësinë profesionale të mjekëve. Kur një profesionist shëndetësor gabon, pasojat nuk janë vetëm mjekësore, ato janë jetësore, familjare dhe afatgjata, për fëmijën, prindërit dhe shoqërinë. Në shoqëritë ku këto çështje ende nuk trajtohen qartë dhe në mënyrë konsistente nga ligji, familjet shpesh mbeten të vetme përballë pasojave të rënda ekonomike, emocionale dhe sociale. Pikërisht për këtë arsye, diskutimi publik mbi këto tema është i domosdoshëm. Jo për të vënë në dyshim vlerën e jetës njerëzore, por për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe transparencë në një nga fushat më të ndjeshme të ekzistencës njerëzore, lindjen e një fëmije.

Në legjislacionin tonë pozitiv, për këto dhe raste të ngjashme të gabimeve mjekësore, baza juridike gjendet në Ligjin për mbrojtjen shëndetësore, Ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, si dhe në rregullat e së drejtës së detyrimeve, veçanërisht ato që rregullojnë përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar, qoftë material apo jomaterial. Këto norma përbëjnë bazën juridike për të kërkuar llogaridhënie atëherë kur shkelja e detyrimeve profesionale cenon të drejtat riprodhuese, autonominë vendimmarrëse dhe dinjitetin e individit. Ato nuk synojnë të vënë në dyshim vlerën e jetës, por të garantojnë që gabimet mjekësore të mos mbeten pa përgjegjësi dhe që e drejta për zgjedhje të mos mbetet vetëm një parim në letër.

Për në fund, “Dëm nuk është lindja e fëmijës, por privimi i prindërve nga e drejta për të marrë një vendim të informuar”, kanë theksuar shumica e gjykatave përmes vendimeve të tyre. Dhe pikërisht aty ku përgjegjësia mbetet pa emër, vuajtja mbetet barrë e familjes.

This material is completely or partly financed by UK International Development and The Kvinna till Kvinna Foundation, that do not necessarily agree with the opinions expressed within. The author alone is responsible for the content.

Related