Çmimet e produkteve menstruale në qiell: Gratë improvizojnë me peshqirë dhe gazeta

Çmimet rriten, jeta bëhet edhe më e pa përballueshme financiarisht e produktet për higjienë menstruale në RMV vazhdojnë të jenë barrë shtesë për vajzat dhe gratë dhe të parat nga të cilat ato heqin dorë. Edhe pse në përllogaritjen e shportës minimale konsumatore përfshihen pecetat si produkte të higjienës menstruale, ngrihet pyetja se sa reale janë këto përllogaritje.

Produktet për higjienë menstruale, respektivisht pecetat menstruale janë të përfshira në shportën konsumatore në kuadër të sektorit për higjienë, por sa në fakt ato përfaqësojnë realitetin e çmimeve me të cilat vajzat dhe gratë përballen çdo ditë. Ekonomisti Abil Baush thotë se shporta konsumatore nuk përfaqëson nevojat individuale kur bëhet fjalë për higjienën menstruale si dhe e njëjta nuk i pasqyron çmimet reale të tregut. 

“Nëse e analizojmë këtë çështje në mënyrë objektive, shporta konsumatore shpesh nuk arrin ta reflektojë plotësisht shpenzimin real mujor për produktet menstruale, pasi konsumatorët kanë nevoja të ndryshme dhe përdorin produkte me cilësi dhe çmime të ndryshme. Për më tepër, është e njohur se këto produkte janë bërë më të shtrenjta për shkak të rritjes së inflacionit, ndërsa shumica e institucioneve ende llogarisin kosto fikse ose të ulëta, që nuk reflektojnë çmimet reale në treg.”

Kjo situatë ka për pasojë shumë më të ulët të shportës konsumatore në raport me nevojat mujore të vajza dhe grave. Si rezultat, shuma e caktuar në shportën konsumatore shpesh është më e ulët se kostot reale mujore që gratë kanë për higjienën menstruale.

“Kjo situatë kërkon qasje më realiste, që përfshin analiza periodike dhe konsultime të vazhdueshme me grupet e interesit dhe ekspertët e kësaj fushe, në mënyrë që shporta konsumatore të jetë realisht pasqyrim i saktë i kostove jetësore dhe nevojave të grave dhe vajzave në Maqedoninë e Veriut. Vetëm kështu mund të garantohet që shporta konsumatore të jetë realiste dhe e drejtë në raport me nevojat reale të qytetarëve.”

Në vitin 2023 Qeveria e RMV-së vendosi që produktet e higjienës menstruale të tatimohen 5%, në vend se 18%. Por edhe kjo ulje e çmimeve nuk bën që produktet të cilat vajzat dhe gratë duhet t’i përdorin një herë në muaj (në disa raste edhe më shpesh) të jenë lehtë të qasshme për të gjithë shoqërinë.

“Çmimet e produkteve menstruale vazhdojnë të përbëjnë një barrë ekonomike për shumë qytetarë pavarësisht uljes së TVSH-së për produktet menstruale nga 18% në 5%. Edhe pse kjo ka sjellë një ulje mesatare të çmimit prej 20 denarë për pako, inflacioni dhe rritja e kostove për ushqimet bazë dukshëm e zvogëlojnë efektin e kësaj mase.”, shprehet Teodora Mileska – bashkëthemeluese e Period Skopje.

Teodora ndan hulumtimin e tyre i cili tregon se në RMV vajzave dhe grave u është dashur të improvizojnë në mungesë të mundësisë financiare për të blerë produkte higjienike. Ajo gjithashtu thotë se një numër i madh i vajzave dhe grave në RMV mbështeten te produktet më të lira në treg për të siguruar higjienën përgjatë ciklit menstrual.

“Në përgjithësi, hulumtimet tregojnë se pothuajse çdo e treta grua e ka gjetur veten të paktën një herë në jetën e saj në një situatë ku nuk kishte para për të blerë peceta dhe duhej të improvizonte me peshqirë dhe letër higjienike. Për gjysmën e tyre, kjo është një përvojë që e kanë pasur disa herë. Për më tepër, një përqindje e lartë e grave, veçanërisht ato me të ardhura më të ulëta, zgjedhin rregullisht produkte më të lira, por potencialisht më pak të përshtatshme për nevojat e tyre. Kjo është veçanërisht e theksuar tek gratë që kanë pagë minimale (56%), amviset (49%) dhe studentët dhe nxënësit (44%). Këto shifra tregojnë se produktet menstruale janë shpesh ndër artikujt e parë që duhet të shkurtohen nga buxheti personal ose familjar.”

Produktet e higjienës menstruale janë produkte të cilat janë të domosdoshme për një jetë të shëndetshme dhe higjienike. Sot spektri i produkteve menstruale është shumë i gjerë dhe pecetat menstruale janë vetëm njëra nga produktet e shumta nga të cilat vajzat dhe gratë mund të zgjedhin, prandaj është e rëndësishme që të theksohet se përmes përfshirjes së pecetave menstruale në shportën minimale konsumatore nuk janë plotësuar nevojat e të gjitha vajzave dhe grave në RMV.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Related