Aktorja Elhame Bilalli është emër i respektuar i teatrit shqiptar. Lindi në Mitrovicë të Kosovës, ku edhe ndoqi arsimin fillor. Arsimin e lartë e përfundoi në Shkup, ndërsa nga viti 1968 u punësua si aktore në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Karrierën e saj profesionale e filloi me rolin e Ajalës në shfaqjen “Certifikata e kurorëzimit” nga Efraim Kishon, me regjinë e Mirko Stefanovskit. Në karrierën e saj ka realizuar mbi 120 role në teatër, shumica e të cilave janë role kryesore. Me rastin e daljes në pension, ajo luajti rolin e Abby Brewster në shfaqjen “Arseniku dhe dantellat e vjetra” nga Joseph Kesselring, me regji të Kushtrim Bekteshit, në skenën e teatrit amë. Po atë vit u shpërblye edhe me Çmimin për vepër jetësore në Festivalin “Vojdan Çernodrinski” në Prilep. Elhame Bilalli është një ndër aktoret më të dalluara e cila me vite të tëra ka mbajtur repertorin e Teatrit Shqiptar. Talenti, dashuria dhe përkushtimi i saj i madh për teatrin, krijimi me kujdes të madh i personazheve të profileve të ndryshme, energjia pozitive që reflekton në komunikimin dhe bashkëpunimin kolegial gjatë krijimit të përbashkët, e bëjnë atë një aktore që çdo ekip teatri apo filmi do të dëshironte ta kishte në ansamblin e vet.
Personazhet dhe karakteret që ka luajtur mbahen në mend edhe sot si nga kritika ashtu edhe nga publiku. Por, a ka qenë e lehtë të jesh aktore dikur kur gratë nuk ecnin në rrugë pa pasur në shoqëri një burrë!? Përmes kësaj bisede do të zbulojmë më shumë.
-
Të zgjedhësh aktrimin në një kohë kur gruaja shqiptare në këto anë është ndeshur me analfabetizëm, ka qenë e rëndë?
Ishte koha kur patriarkalizmi mbante dyert e mbyllura për gratë shqiptare në shumë profesione, asokohe gjykohej edhe mësuesja grua, e lëre më aktorja. Ishin paragjykime që vinin nga mosnjohja e profesionit tim, gratë e kishin të vështirë të shkelnin dërrasën e Talias. Babai im, ndonëse minator, i ka kushtuar shumë vëmendje shkollimit tonë, kemi qenë pesë motra të cilat na ka shkolluar dhe mbështetur gjatë gjithë studimeve tona e më pas edhe vëllezërit e mi që ishin më të vegjël. Prindërit e mi kanë qenë kundër asaj që unë të punësohem pa mbaruar studimet, kështu që unë jam regjistruar në Shkup, për të studiuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike, grupi i Albanologjisë dhe njëkohësisht jam punësuar në teatër, me këtë kusht dhe më pati lejuar. Profesori im i atëhershëm, Pjetro Janura më pat thënë, “Nuk mbahen dy shalqinj nën një sqetull, njërin do ta lëshosh!” e unë e vendosur iu thash se “Unë do t’i mbajë të dyja”.
-
E di se nëna juaj nuk e ka pritur mirë vendimin tënd për tu marr me aktrim?
Nëna, si shumë të tjerë kishte paragjykimet e saja për atë se çfarë ngërthen në vete ky profesion. Mentaliteti i asaj kohe më bëri të ndihem e mërzitur deri diku, kujtoja se kisha trazuar zemrat e më të dashurve të mi. Më kujtohet kur me rrogën e parë bleva dhurata për gjithë familjen, e ajo më tha, “Nuk di a ta marr këtë dhuratë, se nuk e di se me çfarë pare e ke ble”, e kjo ma theu zemrën. Nuk kaloi shumë kohë e ajo erdhi nga Mitrovica për të më shikuar në teatër. Ishte “E ikura” nga Vasil Ilovski, ndërsa unë luaja Lençen. Në një skenë, kur Lençen dëshirojnë ta martojnë pa pëlqimin saj, ajo gulçon duke thënë-“Oh nanë, nuk mundem ma, zemra do të më pëlcasë”-dhe rrëzohem në tokë. Ajo me vëmendje kishte përcjellë të gjithë shfaqjen dhe pas mbarimit, kur iu afrova, e pash se ishte përlotur dhe emocionuar nga shfaqja, -“Tash po e di se çfarë pune po bëjshe” më tha. Ishte bekimi i heshtur i saj që ma lehtësoi shpirtin për të vazhduar punën që doja.
-
A kishte gra në publik kur luaje në rininë tënde, na i përshkruaj si dukeshin gratë dikur?
Mund të them se në kohën kur unë aktroja, teatri ynë ka pasur një laramani të publikut, i cili ishte aristokrat, që na ndiqte rregullisht. Edhe atëherë nuk mungonin gratë. Burra e gra dukeshin shumë elegant dhe të gëzuar sikur të shkonin në ndonjë dasmë. Gratë shkonin në parukeri, vishnin fustane të gjata, vërtet dukeshin ekstravagante si zonjat e Parisit. E dinin ato se pikërisht teatri ishte vendi i elegancës, i kulturës dhe i artit. Ai publik më mungon tej mase edhe sot kur jam e pensionuar. Pas shfaqjeve bëhej një festë e vërtetë. Gratë më komplimentonin me një sinqeritet të paparë dhe më uronin suksese.
-
Çfarë duket se ka ndryshuar dhe çka jo?
Mendoj se tani publiku ka ndryshuar në atë se më rrallë viziton teatrin, sepse tani kanë dhe argëtime të tjera, filma me bollëk, kinema, telefonat celularë që u ofrojnë përmbajtje pa mbarim, kështu që tani është bërë sfiduese të joshësh publikun për në teatër. Por teatri e ka publikun e vet besnik dhe këtë e dëshmojmë me çdo shfaqje që përcjellim.
-
Cilat kanë qenë reagimet e rrethit kur u thoje ” jam aktore”?
Reagimet ishin nga më të ndryshmet. Zakonisht më shikonin me admirim, shprehnin entuziazmin dhe kureshtjen e tyre në lidhje me këtë profesion, më parashtronin shumë pyetje rreth punës sime, roleve që kam luajtur dhe se si është jeta pas skenës.
-
E bukur dhe ekstravagante, a të lakmonin gratë tjera për dukjen dhe zgjedhjen tënde në profesion?
Këtë pyetje nuk do të dija t’ua them unë, por është e vërtetë që kam pranuar shumë komplimente nga gra të tjera, si për aktrimin, ashtu edhe për dukjen time. Sa për lakminë, nuk do të dija t’u thosha unë.
-
Cili rol femëror të ka ngelur në mendje?
Asnjëherë nuk kam mundur të ndajë ndonjë rol që kam aktruar si më të preferuarin. Kjo më duket sikur ti thuash një nëne të të thotë se cilin fëmijë e ka më të dashur. Nuk mund t’i ndaj. Secili rol ka vendin, veçorinë, ndjenjat dhe kujtimet që e bëjnë të dashur për mua. Janë periudhat kohore në të cilat jam pjekur si aktore dhe janë dëshmi e zhvillimit tim profesional.
-
Ka qenë më e lehtë pasi me partnerin e jetës keni ndarë edhe skenën edhe shtratin?
Për ne të dy si aktorë, besoj se e kishim më lehtë! E kuptonim njëri- tjetrin dhe sfidat që na vinin nga puna në skenë! E përkrahnim njëri tjetrin për sugjerime lidhur me rolet që përgatisnim dhe ishim plot mirëkuptim. Ndanim premierat dhe gëzimet e sukseseve të shfaqjeve tona dhe kjo kompletonte marrëdhënien tonë si çift. Salko ka qenë partner i shkëlqyeshëm, si bashkëshort, baba e edhe kolegë pune. Kam kujtime të çmuara dhe të paharruara me të.
-
Ç’do t’i thoje një të reje që zgjedh aktrimin?
I kisha thënë që aktrimi është profesion që kërkon përkushtim dhe përkrahje të madhe nga familja dhe kolegët. Është zanat që përsoset me përvojë dhe me kohë. Puna në teatër është një sfidë që duhet përballuar me shumë guxim duke mos lejuar që të na dekurajojë ndonjë vështirësi, ndonjë skenë e papërgatitur mirë, ndonjë pakënaqësi me mënyrën se si kemi aktruar e ngjashëm. Mirëpo, si kundërpeshë e kësaj janë duartrokitjet e publikut, mirënjohja dhe ngrohtësia më e madhe që merr një aktor me vete e që i jep energji dhe vullnet për të vazhduar këtë punë me përkushtimin e saj/tij edhe më të madh që të jetë edhe më e/i mirë radhën tjetër.
-
Çfarë ka bërë që të paragjykohet aktrimi si profesion jo i dëshiruar për gra?
Mendoj se mendësia e asaj kohe, kur një grua fillonte të përfshihej në jetën sociale, të punojë e të dal nga shtëpia për të kontribuar në shoqëri e ka bërë të vështirë që ky profesion të pranohet si i mirëqenë. Tani pozita e saj ka ndryshuar, ajo ka mirëkuptimin, përkrahjen dhe motivimin për të bërë këtë profesion me dinjitet duke mos u paragjykuar nga të tjerët. Tani shoh që vajzat po marrin guxim më të madh për të zgjedhur këtë profesion dhe kjo është si rezultat i ndryshimit të perceptimit shoqëror të gruas vetëm në rrethana shtëpiake. Ajo tani mund të shihet kudo dhe është e lirë që të bëjë përzgjedhjen e profesionit pa menduar se do të jetë e paragjykuar, e keqkuptuar dhe e pa përkrahur në jetën e saj profesionale.