Në një shoqëri ku edukimi gjithëpërfshirës seksual vazhdon të shoqërohet me debate dhe keqinformim, përfshirja e tij në sistemin arsimor mbetet proces i ngadalshëm dhe i sfiduar nga presionet politike dhe tabutë shoqërore. Edhe pse janë ndërmarrë hapa konkretë drejt pilotimit dhe përgatitjes institucionale, mungesa e një qasjeje të qëndrueshme vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt te shëndeti dhe mirëqenia e të rinjve. Lidhur me këto probleme dhe rolin e shoqërisë civile, Mollëkuqja.mk bisedoi përfaqësuesit e Asociacionit për edukim shëndetësor dhe kërkim HERA, të cilët folën për arritjet, pengesat dhe hapat urgjentë që duhen ndërmarrë për ta bërë edukimin seksual realitet të qasshëm dhe të qëndrueshëm.
Në vend tashmë janë ndërmarrë disa hapa drejt futjes së edukimit gjithëpërfshirës seksual. Çfarë është arritur deri më tani në praktikë dhe cilat procese janë ndalur apo janë penguar?
“Në vitet e fundit janë ndërmarrë vërtet hapa të rëndësishëm për futjen graduale të edukimit seksual gjithpërfshirës, dhe nga këndvështrimi institucional procesi nuk është ndalur dhe as penguar. Fillimisht, Qeveria miratoi Vendimin për pilotimin e lëndës, pas së cilës u zhvilluan trajnime për mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale me qëllim përgatitjen e tyre për zbatimin real. Për herë të parë, procesi kaloi nga pranimi konceptual në zbatim praktik në klasë.
Pas pilotimit të suksesshëm dhe rezultateve pozitive të marra nga vlerësimi, u vazhdua me zhvillimin e programit mësimor, me trajnime shtesë për stafin mësimor dhe shërbimet profesionale, si dhe me përgatitjen e materialeve të përshtatshme mësimore. Meqenëse ndërtimi i kapaciteteve institucionale është një proces afatgjatë, trajnimet zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa një pjesë e mësimdhënësve tashmë të trajnuar e realizojnë programin si aktivitet jashtëmësimor në klasën e nëntë. Pritet që nga viti i ardhshëm shkollor, ESGJ të ofrohet edhe si lëndë zgjedhore në shkollat ku ka mësimdhënës të trajnuar.
Ajo që e ka ngadalësuar procesin është ndikimi i lëvizjeve antidemokratike, të cilat përmes dezinformatave dhe të pavërtetave kanë krijuar frikë, mosbesim dhe dilema rreth përmbajtjes dhe qëllimit të ESGJ-së – ndonëse provat tregojnë se programi sjell përfitime të rëndësishme për shëndetin mendor, emocional dhe fizik të të rinjve.”
Cilat janë barrierat kryesore politike, institucionale ose shoqërore që e kanë penguar përfshirjen e edukimit seksual në programet mësimore?
“Edukimi seksual gjithëpërfshirës, prej vitesh ka qenë peng i kalkulimeve politike dhe përplasjeve ideologjike. Në vend që të trajtohet si prioritet i shëndetit publik dhe arsimit, kjo temë shpesh përdoret për promovim politik ose për diskreditimin e funksionarëve të caktuar. Në periudhat parazgjedhore, aktorët politikë zakonisht distancohen nga ESGJ për shkak të frikës nga reagimi negativ i një pjese të opinionit publik, reagim që në masë të madhe është rezultat i dezinformatave të përhapura ndër vite. Vullneti politik, i cili duhet të jetë i qëndrueshëm dhe afatgjatë, nuk duhet të lëkundet nga interesa afatshkurtra, veçanërisht kur bëhet fjalë për interesin më të mirë të fëmijëve dhe të rinjve.
Nga aspekti institucional, tashmë ekziston një bazë e fortë: një program mësimor i pilotuar me sukses për arsimin fillor, staf profesional i trajnuar, materiale mësimore të zhvilluara dhe të standardizuara, si dhe mekanizma ekzistues për mbështetjen e shkollave që përballen me rezistencë ose dezinformata. Megjithatë, ende mungojnë disa zgjidhje sistemike, trajnime të vazhdueshme për mësimdhënësit në të gjitha nivelet e arsimit, procedura të qarta për mbikëqyrje dhe monitorim, si dhe komunikim i rregullt dhe transparent me publikun mbi përfitimet e programit. Po ashtu, mungojnë edhe mjetet buxhetore, të cilat në thelb janë tregues thelbësor nëse mbështetja politike është vetëm deklarative apo reale.
Nga këndvështrimi shoqëror, sfida kryesore është mungesa e njohurive mbi atë se çfarë përfaqëson realisht ESGJ. Një pjesë e prindërve dhe e publikut e perceptojnë atë si “të parakohshme” ose “të rrezikshme”, kryesisht për shkak të miteve, stereotipave dhe dezinformatave. Temat që lidhen me seksualitetin e të rinjve vazhdojnë të mbeten tabu në shoqërinë tonë, gjë që krijon rezistencë edhe atëherë kur përmbajtjet janë të bazuara në shkencë, të përshtatura për moshën dhe të fokusuara në shëndet, siguri dhe parandalim dhe në asnjë mënyrë në nxitjen e sjelljeve seksuale.”
Si e vlerësoni rolin e shoqërisë civile, veçanërisht të HERA-s, e cila prej vitesh kërkon futjen e edukimit seksual gjithëpërfshirës? Sa dëgjohet zëri i sektorit civil nga institucionet?
“Shoqëria civile, e veçanërisht HERA, ka rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në zhvillimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual, pasi prej vitesh ofron edukime për të rinjtë, përgatit materiale të bazuara në prova shkencore, trajnon mësimdhënës dhe shërbime profesionale, si dhe realizon hulumtime që i ndihmojnë institucionet të marrin vendime të informuara. Organizatat kontribuojnë gjithashtu me modele konkrete dhe zgjidhje praktike që mund të zbatohen menjëherë në shkolla. Bashkëpunimi mes institucioneve dhe sektorit civil ekziston, megjithëse gjithmonë ka hapësirë për thellim, veçanërisht në momentet kur merren vendime strategjike. Ajo që mbetet thelbësore është fakti se pikërisht puna e vazhdueshme e organizatave të shoqërisë civile ka bërë të mundur që tema e edukimit seksual të mbetet e pranishme në diskursin publik dhe të vazhdojë të zhvillohet drejt një zgjidhjeje sistemike të qëndrueshme.”
Pse është e rëndësishme që edukimi seksual të mos mbetet vetëm në kuadër të projekteve të organizatave joqeveritare dhe iniciativave joformale, por të bëhet pjesë përbërëse e sistemit arsimor? Me çfarë rreziqesh përballen sot të rinjtë për shkak të këtij mungese?
“Të dhënat alarmante nga hulumtimet tregojnë qartë nevojën për një zgjidhje urgjente sistemike dhe për integrimin e këtyre përmbajtjeve në sistemin formal arsimor. Ditët e fundit u prezantuan sërish të dhëna shumë shqetësuese nga Studimi HBSC mbi sjelljet e lidhura me shëndetin e fëmijëve të moshës shkollore (11, 13 dhe 15 vjeç). Vajzat 15-vjeçare, në një përqindje shumë të lartë, përballen me shqetësime psikosomatike; 67% e vajzave të dashuruara të kësaj moshe raportojnë gjendje depresive, ndërsa 57% ndihen të rënduara emocionalisht. 94% e vajzave 15-vjeçare seksualisht aktive përjetojnë shqetësime psikosomatike. Nga hulumtimet e mëparshme është vërejtur se mosha mesatare e hyrjes në marrëdhënie të parë seksuale te të rinjtë në Maqedoni është 15 vjeç, përkatësisht 16 vjeç për vajzat.
Në krahasim, në vendet ku edukimi shëndetësor është i integruar në programet shkollore, të rinjtë e shtyjnë hyrjen në marrëdhënien e parë seksuale, në disa raste deri në moshën 19-vjeçare. Shkalla e shtatzënive te adoleshentet në vitin 2023 ishte 13.4 për 1,000 vajza të moshës 15-19 vjeç, ndërsa shkalla e lindjeve në këtë grupmoshë ishte 11.7 për 1,000 lindje. Të rinjtë e moshës 15 deri në 18 vjeç janë më të ekspozuar ndaj dhunës krahasuar me grupmoshat e tjera në vend, ndërsa të rinjtë që i përkasin komunitetit LGBTI përjetojnë deri në katër herë më shpesh bullizëm në shkolla sesa bashkëmoshatarët heteroseksualë.
Edukimi seksual e humb thelbin e tij nëse mbetet i kufizuar në aktivitete projektesh, pasi ato janë të kufizuara në kohëzgjatje, shtrirje dhe burime. Në të kundërt, sistemi formal arsimor siguron qasje të barabartë për të gjithë nxënësit dhe garanton që çdo i ri, pavarësisht prejardhjes sociale apo vendbanimit, të ketë qasje në informacion të saktë, të verifikuar dhe të përshtatshëm për moshën. Vetëm një qasje sistemike mund të garantojë qëndrueshmëri, cilësi dhe standarde të qarta në plan afatgjatë.
Në mungesë të këtij edukimi, të rinjtë ekspozohen ndaj rreziqeve të shumta, nga dezinformatat që marrin nga interneti dhe pornografia, deri te mungesa e njohurive për të njohur apo raportuar dhunën. Kjo shpesh çon në dhunë mes bashkëmoshatarëve, shtatzëni të paplanifikuara, infeksione seksualisht të transmetueshme dhe sfida të ndryshme mendore që lidhen me turpin ndaj trupit apo vetëbesimin e ulët. Veçanërisht të cenueshme janë grupet e margjinalizuara të të rinjve, të cilët pa mbështetje të duhur rriten në mjedise që nuk i njohin dhe nuk i adresojnë nevojat e tyre. Prandaj, edukimi gjithëpërfshirës seksual nuk duhet parë si aktivitet shtesë, por si një mekanizëm thelbësor mbrojtjeje dhe zhvillimi, që i ndihmon të rinjtë të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme, të marrin vendime të informuara dhe të ndihen të sigurt dhe të mbështetur.”
Shpesh edukimi seksual paraqitet gabimisht si një temë “kontroverse”. Sa mendoni se kjo narrativë është pasojë e mungesës së informacionit dhe sa e manipulimeve politike? Kush mban përgjegjësi për krijimin e kësaj klime mosbesimi?
“Edukimi seksual shpesh etikohet gabimisht si “kontrovers”, kryesisht për shkak të mungesës së njohurive mbi thelbin dhe qëllimin e tij. Shumë qytetarë përballen me dezinformata, të përhapura kryesisht përmes rrjeteve sociale, të cilat krijojnë frikë dhe keqkuptime rreth përmbajtjes së programit. Në realitet, edukimi seksual gjithëpërfshirës (ESGJ) bazohet në standarde shkencore dhe fokusohet në shëndet, siguri, zhvillim emocional dhe parandalim të sjelljeve të dhunshme ose të rrezikshme dhe jo në promovimin e vlerave jashtë kontekstit arsimor dhe shëndetësor.
Njëkohësisht, një pjesë e këtyre narrativeve të pasakta janë rezultat i fushatave të organizuara nga aktorë të ndryshëm antigjinorë, ndër më të zëshmit janë grupet “Koalicioni për mbrojtjen e fëmijëve”, “Fronti prindëror”, “Nga Ne për Ne”, “Merr Përgjegjësi” dhe “Tekste dhe mësimi duhet të ketë”. Mesazhet e tyre gjejnë mbështetje edhe në ngjarje politike, ndërsa protestës kundër Ligjit për barazi gjinore iu bashkuan edhe liderë fetarë, figura publike, intelektualë dhe akademikë. Ky kombinim faktorësh kontribuon në krijimin e një klime mosbesimi rreth ESGJ-së, ndonëse qëllimi i tij është pikërisht i kundërt: të sigurojë zhvillim të shëndetshëm, të informuar dhe të sigurt për të rinjtë.”
Duke marrë parasysh situatën aktuale, cilat janë hapat urgjentë që Qeveria, Ministria e Arsimit dhe shkollat duhet të ndërmarrin menjëherë që edukimi seksual të bëhet realitet i qëndrueshëm dhe i qasshëm për të rinjtë në vend?
“Duke pasur parasysh gjendjen aktuale, hapi i parë dhe i domosdoshëm është që institucionet ta konfirmojnë publikisht rëndësinë e edukimit seksual si pjesë e kujdesit për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve. Është e nevojshme të rishikohen të gjitha politikat dhe praktikat që krijojnë paqartësi ose kufizojnë përmbajtjet që lidhen me edukimin shëndetësor, barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës. Po ashtu, është e rëndësishme të vazhdohet me zhvillimin e qëndrueshëm të programeve mësimore, të sigurohen materiale të akredituara dhe të forcohen trajnimet për mësimdhënësit dhe shërbimet profesionale, pasi përgatitja e tyre është thelbësore për një zbatim cilësor.
Paralelisht, nevojiten edhe aktivitete të drejtuara drejt publikut, komunikim transparent mbi atë se çfarë përfaqëson edukimi seksual, informim i rregullt për përfitimet e tij dhe kanale të hapura dialogu me prindërit dhe komunitetin. Shkollat duhet të pajisen me udhëzime të qarta dhe mbështetje për zbatimin e lëndës, veçanërisht në situata kur përballen me pasiguri ose dezinformata. Nëse këta hapa ndërmerren në mënyrë të koordinuar dhe konsekuente, edukimi seksual mund të shndërrohet në realitet të qëndrueshëm dhe të qasshëm për të gjithë të rinjtë, si pjesë e një sistemi arsimor cilësor dhe bashkëkohor.”
Në shkollat e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka lëndë të posaçme për edukimin seksual. Edhe pse janë ndërmarrë përpjekje për ta futur atë si lëndë zgjedhore dhe janë zbatuar programe pilot në disa shkolla, edukimi gjithëpërfshirës seksual ende nuk është pjesë e kurrikulave shkollore.





