E dashur grua, si je? Një letër fundviti asaj gruaje për të cilën thonë ” ka ndryshuar”

Ajo nuk ka ndryshuar, por ka avulluar, është zhdukur krejt po ju s’keni sy për të parë. Një poezi thotë “në ballkonin e vetes kam dalë ” dhe aty qanë pa pushim. 

E dashur grua,

Para se viti të mbyllet me fishekzjarre, me dolli që ngrihen dhe me urime të gatshme që do t’i marrësh pa asgjë esenciale në to, po të drejtohem me disa pyetje që s’ti bën kush. Nuk t’i bën kush, jo sepse nuk vlejnë, por sepse janë të vështira. Sepse kërkojnë të ndalesh e të kthehesh kah vetja. Sepse kërkojnë të vërtetën, jo mashtrimin që e ke bërë mënyrë jetese duke mos e njohur atë “tjetrën” brenda teje që ta ka marrë krejt hapësirën e ty të ka nxjerr në ballkon.

Si je, së pari?

Si je, në atë hapësirën ku je e dobishme për gjithkend, përveç vetes?

Sa herë shpirti yt ka marrë formën e një pikëpyetjeje, ndërkohë që trupi yt ka vazhduar të zgjohet vertikalisht çdo mëngjes? Ke shkuar në punë, ke kryer obligimet, ke qenë nënë, bijë, partnere, profesioniste, shoqe dhe askush nuk ka ndalur të pyesë nëse po ia del vërtet?

A po të pyet kush si ia del?

Kjo pyetje nuk bëhet, sepse gruaja supozohet të dijë gjithmonë si t’ia dalë?

E di, këtë e di veç shpirti yt i kërrusur, ai që askush nuk e sheh, sepse nuk bën zhurmë “krak” sa herë thehet. Ai që lodhet në heshtje.

A të ka pyetur ndonjëherë dikush sa herë je detyruar të heshtësh për të ruajtur “paqen”? 

Sepse e ke ndjerë që çdo fjalë e jotja do të dukej si rrënimë që merr gjithçka para. Dhe ke zgjedhur të pyesësh veten: të flas apo të hesht?

Dhe pothuajse gjithmonë ke heshtur.

Sa herë ke ulur zërin që të mos të quajnë “konfliktuoze”, “emocionale”, “e vështirë”?

Sinqeriteti yt quhet “drama queen” ndërsa durimi yt merret si obligim?

Sa ëndrra ke shtyrë “për më vonë”?

Sepse fëmijët ishin më urgjentë.

Sepse familja ishte më urgjente.

Sepse puna ishte më urgjente.

Sepse gjithçka ishte më urgjente se ti.

Po kush ta numëroi lodhjen e padukshme?

Punën që nuk figuron askund në kontrata.

Kujdesin që nuk paguhet.

Durimin që e ke trashëguar nga “shkolla e vjetër”.

Kush të pyeti ndonjëherë: a je e lodhur?

Çka po humbet në këtë rrugëtim të gjatë të përmbushjes së pritshmërive?

Cili version i vetes je bërë, dhe cilin version e ke braktisur rrugës?

Sa të vërteta përbin çdo ditë për të mos lënduar egot e të tjerëve?

Sa herë e ke tkurrur veten, që tjetri të ndihet më me rëndësi?

Po për trupin tënd, pse nuk kujdesesh siç meriton?

A e di që trupi është pasqyra më e sinqertë e brendisë sate?

Dhimbjet që i shtyn, lodhjen që e injoron, peshën që e mban të gjitha flasin për gjëra që nuk ke pasur kohë t’i thuash me fjalë.

Përse nuk flet?

Përse nuk ankohesh?

Sepse të kanë mësuar se gruaja që ankohet nuk është mirënjohëse, sepse gjithçka ka dhe nuk ngopet?

Sepse ca mendojnë se të hash e të pish është ngopje. 

Kur ishte hera e fundit që u ndjeve e lirë brenda lëkurës sate?

Nga 365 ditë sa ka viti, sa ditë ishin vërtet të tuat?

A të pyeti dikush nëse je e lumtur?

Apo mjafton që gjithçka rreth teje të mos përmbyset që të duket se funksionon?

A ndihesh e gjallë, apo veç frymon?

Këtë fundvit nuk po të uroj durim.

Nuk po të uroj sakrificë.

Dhe as nuk do të të them “qëndro e fortë”, sepse ke qenë e fortë më shumë sesa duhej.

Të uroj guximin t’i shkruash përgjigjet e sinqerta të këtyre pyetjeve në një fletore. T’i lexosh. T’i pranosh. Dhe nëse duhet, t’i djegësh. Pastaj të fillosh nga e para.

Shkruaj pyetje të reja, por kësaj radhe në pasqyrë me buzëkuqin flakë që mezi pret të shtrihet buzëve tua: 

Kush jam unë?

Çka dua vërtet?

Si mund t’i fitoj gjërat që dua?

Sepse askush nuk t’i dhuron.

Por as nuk ke pse të kërkosh leje për t’i fituar gjërat që të takojnë natyrshëm, si ajri që thith.

Është koha për rikthim te vetja.

Uroj vërtet ta rigjesh veten, sepse i ke munguar gjatë atij personi të mrekullueshëm që je dhe që e shikon matanë. Kjo “tjetra” që bën jetën tënde duhet flakur. Merri frerët e jetës në dorë dhe ” run girl, run” 

Të uroj një vit ku nuk do të zvogëlohesh nën barrat që i merr pa t’i kërkuar kush.

Uroj të dalësh, të shoqërohesh, të marrësh vendin tënd në hapësirë, aty ku përket.

Uroj të shkëlqesh ashtu siç di vetëm ti, pavarësisht rrethanave, sepse gjithçka kalon dhe çdo gjë ka zgjidhje.

Dhe po, është në dorën tënde. Mjafton të veshësh takat e duhura dhe mund ta pushtosh botên thotë Merlini.

Të tjera