Dhuna seksuale në bashkëshortësi: Bisedë anonime me një viktimë

Në disa shoqëri ekziston bindja se martesa automatikisht të jep të drejtën seksuale mbi trupin e tjetrit. Ligjet në disa vende e kanë njohur dhunën seksuale në martesë si krim vetëm dekadat e fundit, dhe në disa vende ende nuk e pranojnë. Por, si qëndron e vërteta në RMV na e shpjegon Era Gjakova e cila në dy cikle studimore masteri dhe doktorature ka punuar mbi dhunën seksuale, thotë:

“Kur bëhet fjalë për dhunimin ai inkriminohet në nenin 186 të Kodit Penal i cili rregullon jo vetëm dhunimin por edhe format e kualifikuara të tij. Për ta kuptuar më qartë, dhunimi në RMV përcaktohet si: kryerje të marrëdhënies seksuale ose ndonjë veprim tjetër seksual i cili përbëhet nga depërtimi vaginal, anal ose oral me cilën do qoftë pjesë të trupit ose sendit pa vullnetin e personit tjetër. Kjo vepër penale si e tillë dënohet nga 1-8 vjet burg. Por kur dhunimi kryhet në kuadër të dhunës në familje, respektivisht dhunimi kryhet nga bashkëshorti aktual, ish-bashkëshorti apo partneri intim, kryerësi dënohet me së paku 3 vjet burg. Kodi Penal gjithashtu parasheh rastet kur dhuna seksuale është kryer nga bashkëshorti aktual, ish- bashkëshorti apo partneri intim por me përdorim të forcës apo kërcënimit për jetën apo trupin e viktimës apo të afërmëve të saj, atëherë kryerësi do të dënohet me së paku 5 vjet burg. Siç mund të shohim, kur dhunimi kryhet nga bashkëshorti aktual, ish-bashkëshorti apo partneri intim, dënimi minimal është më i lartë, por gjithashtu kryerësi i dhunës seksuale në kuadër të dhunës në familje mund të përballet edhe me dënim maksimal prej 20 vjet burg për dallim nga dhunimi i cili kryhet nga personat që nuk janë të cilësuar si bashkëshort aktual, ish- bashkëshort apo partner intim ku dënimi maksimal është 8 vjet burg.”

Kjo sa i përket aspektit ligjor, ndërsa si e sheh një e mbijetuar e kësaj dhune këtë fenomen, lexojeni bashkëbisedën anonime në vijim.

– Faleminderit që pranuat të ndani historinë tuaj. Aq më pak që flasim për një raport pak më delikat, dhunë në një bashkëshortësi. Si vendosët të shpëtoni?

– Kam tentuar shumë herë, por pa sukses. Kam ikur në shtëpinë e prindërve në fshat, pasi prindërit i kam në kurbet. Atje qëndroja gjatë, një muaj, dy, tre. Pastaj kthehesha te ai sërish. Më shkruante, insistonte. Më dukej sikur s’do shpëtoja kurrë. Nuk ndjeja përkrahje. Isha krejt vetëm në shtëpinë e prindërve. Nuk punoja. Si grua, mendoja se isha e detyruar t’ia plotësoja krejt dëshirat e tij. Derisa, dhimbja u bë e padurueshme dhe e kuptova se raporti ynë s’ishte normal. Ka pasur raste që pas aktit seksual kam përfunduar në spital.

– Si reagonin mjekët? Nuk të pyesnin nëse po përjeton dhunë?

– Jo. Vetëm kryenin punën e vet dhe aq.

– Si ka filluar gjithçka?

– Moti ka filluar, por gjithnjë ka shkuar duke u bërë më keq derisa një ditë vendosa t’i jap fund. Nuk kisha të drejtë ta refuzoj. Më thoshte: “Je gruaja ime, për çka jemi martuar ne”.

– Si ndiheshit pas çdo here që ndodhnin gjëra që nuk i dëshiroje?

-Vetëm shpirti im e di. Me askënd nuk kam mundur ta ndaj. Nuk është një histori që ndahet me dikë.  Kam menduar se nuk do të shpëtoj kurrë. Disa herë kam menduar gjëra negative që t’i jap fund jetës.

– Kur të kontaktuam për këtë intervistë privatisht, përmende fjalën ‘turp’ disa herë ? Pse ?

– Ndjeja turp. As vet nuk e di pse. Turp nga vetja, nga rrethi po të dëgjonte rastin tim, nga familjarët. Por nuk e mendoj më.

– U ke shpjeguar arsyen e ndarjes?

– Po. Por, nuk u kam treguar detaje. Vetëm u kam thënë se ai njeri më ka shkaktuar dhunë.

– Ishte i dhunshëm edhe jashta shtratit?

– Jashtë dhome jo. Brenda po. Ishte tjetër njeri.

– A u përpoqët t’i thoni atij se ju lëndon?

– Por ai më thoshte se po e teproj dhe se martesa pa marrëdhënie nuk ekziston.

– A kërkuat ndihmë profesionale nga psikolog ose a mendove ta paraqesësh rastin në polici?

– Në polici jo. Por, kam gjetur një psikologe që i besoj, me të ndaj gjithçka.

– Si ndikoi kjo dhunë tek ju emocionalisht?

– Më shkatërroi krejt. Kisha nervozë, depresion, ndihesha e neveritur nga vetja dhe kisha frikë sa herë që ai ishte afër meje.

– Cili ka qenë momenti që ju dha forcë?

– E pashë një grua në një  emision që fliste pa u parë me fytyrë mbi dhunën seksuale dhe ajo tha diçka që besoj krejt gratë e kanë problem. Nuk dinë ta dallojnë dhunën, u duket sikur ashtu duhet të jetë, se një grua e mirë sillet si të dëshiroj burri. Për herë të parë në atë moment e kuptova se unë nuk jam e vetmja që më ndodhë kjo gjë.

– Çfarë mesazhi do t’u jepnit  grave që përjetojnë të njëjtën gjë?

– E di se sa e vështirë është t’i thuash ndal dhunës. Një gjë e dijmë dhuna nuk është dashuri, asnjëherë s’ka qenë. Mos kini frikë të flisni dhe të kërkoni ndihmë. Sot ka psikologe nga Kosova e Shqipëria nëse nuk keni besim se do t’ua ruajnë sekretin.

– Çfarë do t’i thoshit shoqërisë që ndoshta nuk e besojnë dhunën në bashkëshortësi?

Të kuptojnë se dhuna seksuale ndodh edhe në martesë. Nëse jeni një grua viktimë e dhunës kërkoni menjëherë një psikologe dhe besoj se do ta gjesh rrugën si të shpëtosh. Unë tani jam shumë mirë. Kam filluar sërish të jetoj, të punoj dhe përpiqem t’i kushtoj më shumë kohë vetes.

Ky artikull është punuar në kuadër të projektit “MBROJTJЕ ME LIGJ: Мbështetje ligjore dhe mbrojtje për viktimat e dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore” i zbatuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të aksionit “Kujdesemi: Së bashku luftojmë kundër dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore,” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i udhëhequr nga Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e vetme e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”,dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se përfaqëson qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Të tjera