Dhuna që fshihet në emër të turpit!

Vitin e kaluar, Francën por edhe Evropën dhe botën e shokoi rasti i Gisele Pelicot. 72 vjeçarja e cila u drogua dhe u përdhunua fshehurazi nga bashkëshorti i saj Dominique Pelicot. Sado të duket e pamundur dhe e pabesushme, dhuna ndaj bashkëshortes me të cilën jetonte dhe hiqej sikur s’kishte ndodhur gjë, ndodhte gjatë një periudhe nëntëvjeçare, midis vitit 2011 dhe 2020. Substancat e bënin znj.Pelicot pa ndjenja dhe në gjendje mos të kujtojë dhunën që ushtrohej ndaj saj. Bashkëshorti i saj kishte ftuar 72 burra gjithsej, të kontaktuar përmes një faqe interneti, të cilët e dhunonin znj.Pelicot që ishte pa ndjenja, dhe e gjitha ndodhte kryesisht në shtëpinë e çiftit në Mazan, në Francë.

Znj.Pelicot u bë e vetëdijshme për abuzimin vetëm në vitin 2020, kur bashkëshorti i saj u arrestua për ngacmimin e një gruaje në një supermarket lokal dhe pas një kontrolli të policisë në pajisjet e tij kompjuterike u gjetën dëshmitë. Vetëm atëherë u zbuluan videot dhe fotot e përdhunimit të saj. Rasti shokoi Francën, Evropën dhe botën sepse asnjë marrëdhënie bashkëshortore nuk mund të imagjinohej që do të shndërrohej në bashkëjetesën horror të një gruaje në çift. Vëmendja u rrit kur filloi procesi gjyqësor, ku Dominique Policot dhe pesëdhjetë burra të tjerë dolën në gjyq për përdhunim të rëndë, tentativë përdhunimi dhe sulm seksual në vitin 2024. Në raste të dhunës seksuale ligji francez mbron viktimën duke e fshehur identitenin, por Gisèle Pelicot hoqi dorë nga kjo e drejtë, duke mos dashur të mbesë anonime dhe procesi gjyqësor ishte i hapur për publikun. Ky vendim i saj bëri që të zbulohen aktet e tmerrshme që ia kishte shkaktuar bashkëshorti dhe burrat e tjerë të ftuar prej tij.

Në dhjetor të vitit 2024, 50 nga 51 burrat të përfshirë në proces gjyqësor, përfshirë edhe Dominique Pelicot, u dënuan për përdhunim, përpjekje për përdhunim dhe sulm seksual të Gisèles. Burri i 51-të, i cili nuk ishte akuzuar për përdhunimin të saj, u dënua për përdhunimin e gruas së tij. Dominique Pelicot mori dënimin maksimal prej 20 vjetësh, ndërsa të dënuarit e tjerë morën dënime nga 3 deri në 15 vjet.

Kur e lexon gjithë këtë thua si ka mundësi që natyra njerëzore të krijojë sjellje të tilla që nuk përkojnë me asnjë moral. Dhe ku? Në Francë, një nga vendet më liberale, e cila kremtohet për romancat, dashurinë, puthjen. Thua, cila është nevoja për gjithë atë dhunë, mirë të bashkëshoritit, por edhe të gjithë atyre burrave të tjerë që kanë marrë pjesë, kanë parë ose kanë lejuar dhunimin e një gruaje, të droguar e pa ndjenja. Profili i këtyre burrave ishte nga të zakonshëm, të shkolluar madje edhe me poste të larta. Burra që nuk përkonin me profilet e dhunuesve. Dhe pastaj thua, po kjo te ne nuk ndodh! Nuk ka mundësi që burrat te ne, për shkak të mendësisë, kulturës, fesë të lejojnë e të ftojnë burra të tjerë të përdhunojnë bashkëshorten. Por a është kështu?

Lexoni tekstin më poshtë:

“I dyshuari i parë, gjatë një martese nëntëvjeçare me viktimën, ka abuzuar me bashkëshorten e tij dhe e ka trajtuar atë në mënyrë veçanërisht poshtëruese dhe mizore, duke vendosur kontroll të plotë mbi të. Ai, duke përdorur forcë dhe kërcënime të rënda, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, duke i shkaktuar vazhdimisht lëndime trupore. E ka kërcënuar për jetën e saj dhe të familjarëve të saj, më pas ka filluar ta detyrojë atë për shfrytëzim seksual përmes prostitucionit për të përfituar përfitime financiare dhe lëndë narkotike.”

Ky spjegim nuk është fare për rastin e Gisele Pelicot. Është rasti i një gruaje nga Tetova. Gjithçka ka ndodhur në fshatrat e malësisë së Tetovës. Situatat e përcjella janë nga dokumentat e autoriteteve që hetojnë rastin. Dhe po, kur i lexon ka aq ngjashmëri me rastin francez, që poashtu kishte ndodhur në një fshat.

Duke e paraqitur si mikeshën e tij, i dyshuari i parë, që është bashkëshorti i saj, në periudhën nga shtatori 2023 deri më 20 nëntor 2024, vazhdimisht e ka detyruar bashkëshorten e tij që të ofrojë shërbime seksuale në lokalet e hotelierisë në Tetovë dhe Gostivar, në shtëpinë e tyre familjare, si dhe në shtëpitë familjare të përdoruesve të shërbimeve seksuale. Ai ka kontaktuar me të dyshuarit e tjerë – shfrytëzues të shërbimeve, ka rregulluar vendndodhjen, si dhe dëmshpërblimin, i cili ka qenë në të holla ose një sasi e përshtatshme e lëndës narkotike – kokainë. Derisa viktima ishte me klientët, i dyshuari kryesor kishte kontroll të plotë, ndonjëherë duke e ndjekur përmes video-telefonatës, e më pas pasi merrte paratë ose drogën, e rrihte, e digjte me cigare dhe i shkaktonte lëndime të rënda”.

Rastet e dhunës ndaj grave por edhe në familje janë tmerri i fshehur në shoqërinë tonë. Për veprën e akuzuar ndaj të pandehurit të parë, sipas Kodit Penal në Maqedoninë e Veriut, parashikohet dënim me burg prej së paku katër vjet, ndërsa për përdoruesit e shërbimeve seksuale, parashikohet dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet. Çështja është sa ndodhin raste të tilla dhe sa fshihen? Një raport i policisë së Tetovës për vitin 2023 thoshte se ishin regjistruar në Pollog mbi 150 raste të dhunës në familje. Po ato që nuk janë paraqitur?

Shoqëria jonë seriozisht duhet të merret me këtë fenomen, që për çfarë do arsye që ndodh, nuk duhet të mbesë vetëm si çështje e të drejtave të grave apo fëmijëve por si një fenomen ku dhuna është prezente në masa të larta, dhe me raste që nuk mund të thuhet si ato që përshkruhen se “nuk ndodhin te ne”. Aktivistët dhe eksperët thonë se lënia në heshtje, mos gadishmëria e përballjes me fenomenin, apo duke rënë prehë e mendësisës dhe normave që dikton shoqëria që në emër të turpit për familjen, të mbrohen dhunuesit, pikërisht do të dëmtojë më së shumti gjenezën e shoqërisë, vetë familjen. Sipas tyre, fëmijë, familje të rrethuara me dhunë sjellin dëme afatgjate për të gjithë!

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera