Përderisa pritet miratimi i strategjisë kundër dhunës kundër dhunës gjinore dhe në familje, Maqedonia e Veriut përballet me shifra alarmante të viktimave të dhunës gjinore. Raporti i fundit i Eurostatit (Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian, përgjegjëse për furnizimin e Bashkimit Evropian me të dhëna statistikore në nivel evropian), tregon se Maqedonia renditet e treta në Evropë për nga numri i femicideve, përkatësisht vrasjeve të grave nga partnerët e tyre intimë.
Të dhënat e Eurostatit për vitin 2023, tregojnë se në këtë periudhë në Maqedoni janë janë regjistruar 6 femicide për një milion banorë. Pas nesh vjen Bosnja dhe Hercegovina me 5 femicide, pastaj Austria, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina me 4 vrasje për një milion banorë.
Sipas të dhënave të Eurostat, në Bashkimin Evropian shkalla e grave të vrara nga partnerët e tyre është 4 gra për një milion banorë, ndërsa për burrat është dy herë më e ulët, 2,2 burra për një milion banorë.
Ndërkaq, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në periudhën 2018-2023 janë kryer gjithsej 6.242 vepra penale për dhunë në familje, edhe atë: vrasje (33 vepra), vrasje në tentativë (14 vepra), lëndim trupor (3.792 vepra), lëndim i rëndë trupor (155 vepra), trysni (38 vepra), rrezikim i sigurisë (2.179 vepra), privim i paligjshëm nga liria (29 vepra) dhe ndërmjetësim në kryerjen e prostitucionit (2 vepra).
Pavarësisht këtyre shifrave, vendi ende nuk ka miratuar strategjinë kundër dhunës gjinore dhe në familje. Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografi dhe të Rinj, thanë për Mollëkuqja se, në dhjetor të 2025, draft teksti iu dorëzua anëtarëve të Trupit Kombëtar Koordinues, i cili sipas ligjit është i ngarkuar të përgatisë Strategjinë.
“Pasi Trupi Kombëtar Koordinues finalizon Draft-Strategjinë, do të mbahen debate publike dhe ajo do t’i dorëzohet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa miratimi do të bëhet nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vetë Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për çdo aktivitet të parashikuar përfshijnë edhe një buxhet për realizimin e tyre. Për zbatimin e suksesshëm të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, u miratua Plani i Veprimit për zbatimin e Konventës 2018–2023 dhe u përgatit një Vlerësim i Planit të Veprimit për të njëjtën periudhë”, thanë nga ministria.
Nga atje shtuan se, në periudhën e kaluar vazhduan të implementohen aktivitetet që ishin parashikuar në Planin e Veprimit, por nuk u realizuan brenda afatit kohor, me qëllim përmirësimin e sistemit të parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna ndaj grave dhe forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes, me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë.
Përndryshe, Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është traktati më i përparuar ndërkombëtar për të trajtuar te tilla shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Konventa e njeh dhunën ndaj grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si formë diskriminimi. Kjo do të thotë që shtetet kanë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjen në mënyrën e duhur kësaj dhune.
Konventa kriminalizon vepra të tilla si: gjymtimin gjinor, martesën e detyruar, përndjekjen, abortin dhe sterilizimin e detyruar. Kjo do të thotë që shtetet do të detyrohen, për herë të parë të përfshijnë këto vepra penale në sistemet e tyre ligjore.






