Në fund të shekullit XIX, kur shoqëria shqiptare kishte ende struktura të ngurta patriarkale, Sami Frashëri u ngrit si një prej zërave më përparimtarë të kohës. Vepra e tij “Gratë” (1887) mbetet një ndër tekstet më të hershme dhe më të fuqishme të mendimit feminist shqiptar. Me një qartësi të rrallë për kohën, Samiu e kuptoi se emancipimi i kombit fillon me emancipimin e gruas dhe çdo vonesë në këtë drejtim është vonesë në zhvillimin kombëtar. Ndaj, ideja e tij nuk ishte thjesht një mbrojtje e të drejtave të grave, por një vizion i plotë për modernizimin shoqëror duke dhënë shembuj e duke argumentuar se gratë janë më të zonjat se burrat në shumë profesione, janë më të mprehta. Ai nuk ishte si ata burrat që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë, kësi burra ka plot në mesin tonë, me standarde të dyfishta. Gruaja e tij për kohën kur jetoi ishte e lirë dhe e fortë; merrte përsipër punë që për kohën konsideroheshin të burrave dhe ngiste vetë karrocën. Gruaja e Samiut, Emineja, kishte lindur e lirë dhe Samiut shpirti i saj i lirë i pëlqeu dhe e tillë mbeti me preferencat e saj në sport, ngjitjet në mal, që edhe sot e kësaj dite për disa gra ngelet tabu. (Siç duket Gallatasaraj që e themeloi i biri i Samiut dhe Eminesë në fund të fundit i atribuohet si muzë një gruaje, ashtu si shumë punë tjera). Emineja do të linte gjurmë në histori edhe me një fotografi të rrallë për kohën, pasi gratë nuk fotografoheshin, ishte e ndaluar.
Sa i përket veprës “Gratë”, Samiu e shkroi para se të njihte gruan e tij. Në qendër të filozofisë së tij qëndron bindja se “zhvillimi i një kombi varet më së shumti prej gjendjes së grave ”; atje ku gruaja është e nënshtruar dhe e paditur, edhe shoqëria mbetet e dobët dhe e prapambetur. Kjo ide thelbësore e vendos gruan në zemër të progresit, duke i dhënë asaj jo vetëm një rol familjar, por një rol historik dhe shoqëror. Për Samiun, përparimi kombëtar është i pamundur pa një grua të arsimuar, të fortë dhe të lirë. Prandaj arsimi i vajzave është shtylla më e fortë e filozofisë së tij. Ai e cilëson dijen e gruas si “diellin e shtëpisë”, duke e parë atë si forca që ndriçon jo vetëm familjen, por mbarë shoqërinë.
Si nënë dhe edukatore e brezave të rinj, gruaja nuk mund të mbetet në errësirë: që të rrisë breza të ditur, duhet të jetë vetë e ditur, thoshte ai. Argumentimi i tij është i prerë: kombet e zhvilluara nuk arrijnë përparimin duke i lënë vajzat pa shkollë; arsimi i tyre është themeli i së ardhmes.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e mendimit të tij është kritika ndaj izolimit të gruas. Ai e quan mbylljen e saj në shtëpi “robëri, jo moral”, duke sfiduar një nga praktikat më të rrënjosura të kohës. Për të, gruaja duhet të marrë pjesë në jetën shoqërore, kulturore dhe madje profesionale. Vetëm kështu ajo bëhet person i plotë dhe kontribuues në shoqëri. Barazia, sipas tij, nuk është luks modern, por rend natyror: “Zoti i ka krijuar burrat e gratë të barabartë në mendje dhe në shpirt.” Padrejtësitë që u bëhen grave nuk burojnë nga natyra, por nga zakonet e këqija, të cilat ai i sfidon hapur.
Në këtë frymë, Samiu mbron fuqimisht edhe të drejtën e gruas për martesë të lirë. Martesa e detyruar, e përhapur gjerësisht në kohën e tij, për të ishte një cenim i rëndë i dinjitetit dhe lirisë së njeriut. Ai e thotë qartë: gruaja nuk është send që jepet e merret. Zgjedhja e lirë është themeli mbi të cilin ndërtohet familja e shëndetshme.
Vepra e tij godet drejtpërdrejt zakonet patriarkale që e privonin gruan nga trashëgimia, puna, liria dhe arsimi. Ai i emërton ato si zakone të liga, duke theksuar se nuk kanë lidhje me moralin, as me fenë, por janë produkte të shoqërisë së prapambetur. Përballë tyre, ai ngrit një ideal të ri: gruan si qytetare me të drejta të plota dhe si pjesë e barabartë e kombit. Vizioni i Sami Frashërit ishte një vizion modern, evropian dhe transformues. Ai admironte shoqëritë që e ngrinin gruan dhe vërente se progresi i tyre nuk mund të kuptohej pa këtë ngritje. “Kombet e qytetëruara e ngrenë gruan, prandaj dhe vetë ngrihen”, një thirrje për t’u larguar nga padituria, drejt një të ardhmeje ku gruaja dhe burri ecin krah për krah.
Sot, mbi një shekull pas shkrimit të “Gratë”, shumë nga mendimet e Sami Frashërit tingëllojnë ende të freskëta dhe të domosdoshme. Ato nuk janë thjesht dëshmi e një mendimtari të jashtëzakonshëm, por një ftesë për të reflektuar mbi rrugën që kemi bërë dhe mbi rrugën që na pret. Feminizmi i tij nuk ishte luftë kundër burrave, por luftë kundër padrejtësisë. Pasi, thoshte se gruaja nuk lind e pabarabartë nga natyra, por padrejtësitë ju bëhen nga burrat. Ishte thirrje për barazi, dije dhe dinjitet për një shoqëri që ngrihet duke ngritur gruan. Teksti thekson se gruaja është qendra reale e familjes dhe se familja nuk mbahet vetëm nga struktura apo rregulla por nga përkujdesi dashuria dhe lidhja emocionale që ajo krijon. Burri paraqitet si figurë që largohet për punë dhe kthehet ndërsa gruaja mbart vazhdimisht peshën e jetës familjare duke organizuar, duke ushqyer dhe duke mbajtur gjallë marrëdhëniet. Pa praninë e saj familja zbrazet dhe humb kuptimin sepse ajo është boshti rreth të cilit rrotullohen të gjithë anëtarët. Sipas Samiut burri nuk rritet kurrë, po edhe kur rritet bëhet një gjymtyrë e jashtme e familjes. Në këtë kuptim, Sami Frashëri mbetet një prej mendjeve më të ndritura dhe më përparimtare të historisë shqiptare: një humanist, një rilindas dhe një feminist para kohe, që e kuptoi se ndriçimi i gruas është ndriçimi i mbarë kombit.





