Dhuna me bazë gjinore mbetet një nga problemet më serioze sociale në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht kornizës ligjore ekzistuese zbatimi në praktikë çalon. Në një bisedë për Mollëkuqja, Elena Dimushevska, drejtore ekzekutive e Rrjetit Nacional kundër Dhunës ndaj Grave dhe në Familje, foli për dështimet institucionale, rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe sfidat reale me të cilat përballen viktimat.
Nga përvoja juaj në terren, cilat janë dështimet më të shpeshta të institucioneve në trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe si reflektohen ato te viktimat?
“Mangësitë më të shpeshta janë veprimi i pakoordinuar mes institucioneve, qasja formale ndaj vlerësimit të rrezikut dhe zbatimi i pamjaftueshëm i mekanizmave ligjorë ekzistues. Shpesh institucionet reagojnë vetëm pasi dhuna ka eskaluar, në vend që të veprojnë në mënyrë parandaluese, ndërsa vlerësimet e rrezikut reduktohen në detyrim administrativ, pa ndjekje reale dhe pa masa konkrete mbrojtëse.
Kjo reflektohet drejtpërdrejt te viktimat përmes ndjenjës së pasigurisë, mungesës së besimit në institucionet përkatëse, përkatësisht në sistem, si dhe përmes viktimizimit të përsëritur. Në vend të sistemit që ofron mbrojtje dhe mbështetje, viktimat shpesh përballen me zvarritje të procedurave, kalim nga një institucion në tjetrin dhe mungesë të informatave të qarta për të drejtat e tyre.”
Sa dëgjohet realisht zëri i aktivistëve dhe OJQ-ve në proceset vendimmarrëse, apo avokimi mbetet më shumë simbolik sesa me ndikim konkret?
“Zëri i organizatave të shoqërisë civile është formalisht i pranishëm, por ndikimi i tij real shpesh është i kufizuar. Konsultimet zakonisht zhvillohen në faza të vona, kur vendimet kryesore tashmë janë marrë, ndërsa rekomandimet rrallëherë integrohen në mënyrë thelbësore në politika dhe praktika.
Edhe pse ekzistojnë shembuj pozitivë bashkëpunimi, avokimi në masë të madhe vazhdon të mbetet simbolik dhe varet nga vullneti politik. Organizatat me përvojë që punojnë me viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje disponojnë çdo ditë ekspertizë të vlefshme praktike, por ajo jo gjithmonë përfshihet në mënyrë sistematike në proceset e hartimit të politikave. Në vend të pjesëmarrjes së vazhdueshme dhe të strukturuar, kontributi i tyre shpesh shfrytëzohet vetëm herë pas here, në varësi të procesit konkret ose gatishmërisë institucionale për bashkëpunim.”
Institucionet shpesh thirren në mungesë kapacitetesh. A është kjo një justifikim apo mungesë vullneti politik për ta adresuar seriozisht dhunën me bazë gjinore?
“Mungesa e kapaciteteve është pjesërisht problem real, por në masë të madhe bëhet fjalë për mungesë të vullnetit politik dhe të prioritizimit. Korniza ligjore ekziston, obligimet ndërkombëtare janë të qarta, por zbatimi i tyre nuk mbështetet në mënyrë sistematike me resurse, trajnime të vazhdueshme dhe përgjegjësi të qartë institucionale.
Kur diçka është vërtet prioritet, kapacitetet krijohen. Në rastin e dhunës me bazë gjinore, shpesh shohim përkushtim deklarativ, por pa buxhetim adekuat, pa monitorim dhe pa sanksionim të mangësive institucionale.”
Çfarë barrash po mbajnë sot OJQ-të që në fakt do të duhej të ishin përgjegjësi e shtetit, dhe sa e qëndrueshme është kjo situatë?
“Organizatat e shoqërisë civile sot ofrojnë një spektër të gjerë shërbimesh për viktimat e dhunës me bazë gjinore, përfshirë ndihmë dhe mbështetje psikosociale, mbështetje psikoterapeutike, ndihmë juridike dhe përfaqësim ligjor, si dhe këshillim në karrierë dhe mbështetje për fuqizim ekonomik. Krahas punës së drejtpërdrejtë me viktimat, ato kanë rol të rëndësishëm edhe në monitorimin e veprimeve institucionale dhe në evidentimin e mangësive sistemore në mbrojtje.
Edhe pse ky kontribut është thelbësor, një model i tillë vështirë se mund të jetë i qëndrueshëm në afat të gjatë. Ai tregon nevojën që shteti gradualisht të vendosë sistem më të qëndrueshëm të mbrojtjes, ku të gjitha këto shërbime të jenë të siguruara institucionalisht, të vazhdueshme dhe të barabarta në nivel kombëtar, ndërsa organizatat e shoqërisë civile të kenë rol të qartë, të njohur dhe komplementar në sistem.”
Në këtë “luftë” kundër dhunës me bazë gjinore, a po shihen OJQ-të si partnerë të barabartë nga institucionet apo ende si zë kritik që shpesh injorohet?
“Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të perceptohen më shpesh si zë kritik, sesa si partnerë të barabartë në hartimin dhe zbatimin e politikave. Edhe pse ekspertiza dhe përvoja e tyre nga terreni shfrytëzohen në procese dhe konsultime të caktuara, ato jo gjithmonë përfshihen në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme. Në një kontekst të tillë, vërejtjet kritike ndonjëherë perceptohen si kundërshtim, e jo si kontribut konstruktiv i orientuar drejt përmirësimit të sistemit.
Partneritet i vërtetë do të ndërtohet atëherë kur institucionet do ta njohin rolin e organizatave të shoqërisë civile si aleate në mbrojtjen e viktimave dhe do ta pranojnë kritikën si burim të rëndësishëm informacioni dhe rekomandimesh. Përfshirja aktive dhe e barabartë e sektorit civil, veçanërisht e organizatave me përvojë shumëvjeçare praktike, është thelbësore për krijimin e politikave më efikase, më të koordinuara dhe më të qëndrueshme në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.”
Pavarësisht avancimeve ligjore dhe mekanizmave ekzistues, trajtimi i dhunës me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me sfida serioze. Mungesa e koordinimit institucional, reagimi i vonuar dhe kapacitetet jo të mjaftueshme vazhdojnë të ndikojnë te viktimat. Ndërsa roli i shoqërisë civile shpesh mbetet i kufizuar.




