Seksi dhe burrëria: Kur burrat duhet të kërkojnë ndihmë për jetën e tyre seksuale?

Është një nga ato tema për të cilat burrat rrallë flasin – megjithatë pothuajse çdo burrë përballet me të në një moment të jetës. Rënia graduale e testosteronit dhe shfaqja e disfunksionit erektil nuk janë vetëm çështje mjekësore; ato prekin vetëbesimin, “burrërinë”dhe mirëqenien emocionale. 

Afrim Saliu, specialist i kirurgjise urologjike, tregon se burrat përballen me uljen e nivelit të testosteronit që në moshën 30 vjeçare. 

Testosteroni te burrat fillon të bjerë gradualisht diku pas moshës 30 vjeçare dhe çdo vit testosteroni bie diku 1%. Kjo quhet andropauzë. Mirëpo ndryshimet manifestohen diku pas moshës 40-55 vjeç. 

Por mosha nuk është shkaku i vetëm që ndikon në uljen e testosteronit, Saliu numëron disa arsye dhe simtomat me të cilat burrat përballen. 

Shkaqet më të shpeshta që ndikojnë në uljen e testosteronit te meshkujt mbas moshës pesëdhjetë vjecare janë: mbipesha trupore (obeziteti), mos aktiviteti fizik, alkooli, duhani, stresi dhe gjumi. Simptomat e para manifestohen me: uljen e dëshirës seksuale (libido); erekcione më të dobëta ose më të rralla; rënie e energjisë dhe forcës muskulare; lodhje; shtim i dhjamit trupor, sidomos rreth barkut.

Nëse shumica e burrave përballen me rënien e nivelit të testosteronit, a nënkupton kjo se pikërisht testosteroni është faktor në shfaqjen e difunksionit erektil, respektivisht impotencës seksuale? Urologu përgjigjet se në fakt testosteroni nuk e luan rolin kyç në shfaqjen e disfunksionit erektil. 

Mungesa e testosteronit është diku te 5-10% shkaktar i disfunksionit erektil, faktoret psikologjik 10-20%, ndërsa faktorët vaskular janë shkaku kryesor i disfunksionit erektil diku me 80%.

Sipas Afrim Saliut atë që burrat duhet të bëjnë kur fillonë të përballen me impotencën seksuale është të drejtohen te profesionistët adekuat dhe të kërkojnë ndihmë. 

Trajtimet më të sigurta janë konsultimet me urolog ose androlog, ku në bazë të parametrave labaratorike bëhet dozimi adekuat i niveleve të testosteronit. Përdorimi i suplementeve të testosteronit pa konsultim me urologun, nuk është hap i mençur.

Disfunksioni erektil vs “burrërisë”

Edhe pse në plan të parë disfunksioni erektil duket si vetëm gjendje mjekësore, por në fakt a vërejnë ndikim të normave shoqërore dhe roleve gjinore në mënyrën se si burrat përballen me këtë situatë?

Abdulla Thaçi, psikolog, nxjerr në sipërfaqe lidhjen e ngushtë në mes impotencës seksuale dhe karakteristikave që shoqëria patriarkale kërkon nga burrat që t’i mishërojnë.

Shumë burra e lidhin fuqinë seksuale me ndjenjën e suksesit, dominimit dhe kontrollit. Kur këto aspekte cënohen, ata shpesh përjetojnë ankth, turp, ndjenjë dështimi dhe ulje të vetëvlerësimit. Në disa raste, kjo çon në izolim emocional, shmangie të marrëdhënieve intime apo në probleme të komunikimit me partneren. Për disa, humbja e funksionit seksual mund të perceptohet si “humbje e burrërisë” dhe të shkaktojë krizë identiteti, duke ndikuar në gjithë mënyrën se si e perceptojnë veten. Nga ana sociale, presioni që shoqëria ushtron mbi burrat për të qenë “të fortë”, “aktivë” dhe “të aftë seksualisht” e bën këtë përvojë edhe më të vështirë.

Kur burrat përballen me impotencën seksuale, për shkak të perceptimit mbi veten dhe atë që “do duhej të ishte” dhe si rrjedhojë prezencës së stresit, futen në rreth vicioz, thotë Thaçi. 

Kur organizmi përballet me stres kronik, trupi fillon të prodhojë në sasi të lartë hormonin kortizol, i cili ka efekte frenuese mbi prodhimin e testosteronit, hormonit që ndikon në dëshirën seksuale, energjinë dhe funksionin erektil. Në të njëjtën kohë, stresi ndikon negativisht në qarkullimin e gjakut, duke e bërë më të vështirë arritjen dhe mbajtjen e ereksionit. Kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në vetëbesimin seksual, duke krijuar një rreth vicioz: frika nga dështimi rrit ankthin, ankthi përkeqëson performancën, dhe përkeqësimi i performancës e shton stresin edhe më shumë.

Imazhi që shoqëria ka ndërtuar për maskulinitetin ka një ndikim të thellë në mënyrën se si burrat e perceptojnë veten, trupin dhe vlerën e tyre personale, vlerëson Abdulla Thaçi. Sipas tij rolet gjinore rrënjosen thellë që në fëmijëri dhe janë prezente gjatë tërë jetës së një burri.

Që nga fëmijëria, shumë burra socializohen në një kulturë ku burrëria lidhet me forcën fizike, kontrollin emocional, performancën seksuale, suksesin ekonomik dhe aftësinë për të qenë mbrojtës. Këto standarde krijojnë një model ideal të burrit “të plotë”, i cili shpesh është i paarritshëm dhe jo real. Kur një burrë përballet me ndryshimet natyrore që sjell mosha – si rënia e forcës fizike, humbja e muskujve, rrudhat, rënia e flokëve, rritja e lodhjes ose ulja e dëshirës seksuale – këto shenja biologjike shpesh nuk përjetohen vetëm si pjesë e plakjes, por si cenim i identitetit mashkullor.

Në këtë fazë, burrat që nuk kanë ndërtuar një vetëvlerësim të bazuar në cilësitë e brendshme – si mençuria, përvoja, ndjeshmëria dhe aftësia për marrëdhënie emocionale – shpesh përjetojnë ankth, irritim dhe ndjenjë humbjeje. Një qasje më e shëndetshme ndaj maskulinitetit nënkupton zëvendësimin e konceptit tradicional të “burrit të fortë” me konceptin e “burrit të vetëdijshëm” – një burrë që njeh emocionet e tij, i pranon kufizimet trupore dhe kërkon ndihmë kur ka nevojë. Ky transformim psikologjik është thelbësor për të shmangur krizën e moshës së mesme dhe për të ruajtur shëndetin mendor e emocional në vitet e pjekurisë.

Dritë në fund të tunelit ka! Por Abdulla Thaçi thotë se duhet trajtim multidimensional dhe përqafim i realitetit. 

Pranimi i ndryshimeve trupore është një hap thelbësor. Burrat që i pranojnë këto ndryshime me mirëkuptim, e jo me rezistencë apo turp, kanë më shumë gjasa të ruajnë ekuilibrin emocional dhe të shmangin ndjenjën e humbjes së kontrollit. Po ashtu është e rëndësishme ri krijimi i identitetit personal përtej performancës fizike apo seksuale. Trajtimi efektiv kërkon një qasje të kombinuar, që përfshin: diagnostikim mjekësor për nivelin hormonal; këshillim psikologjik për përballjen e pasigurive dhe ndërtimin e vetëvlerësimit si dhe ndryshime të stilit të jetesës (ushqim i shëndetshëm, gjumë cilësor, aktivitet fizik, reduktim i stresit). Kur këto fusha trajtohen në mënyrë të koordinuar, burrat shpesh përjetojnë përmirësim të humorit, rritje të energjisë, rikthim të motivimit dhe stabilitet emocional.

Disfunksioni erektil, kanceri i prostatës, kanceri i testikujve dhe shëndeti mendor janë disa nga problemet me të cilat burrat përballen çdo ditë. Të kërkohet ndihmë është më e pakta që secili burrë mund të bëjë për shëndetin dhe mirëqenien e tij por edhe të të afërmve.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera