Siguria e vajzave në hapësirat publike në Strugë: A ju shmangen rrugëve të caktuara?

 “Shpesh, kur eci natën, flas me dikë në telefon që të ndihem e sigurtë.”
“Ju shmangem me çdo kusht hapësirave ku mungon ndriçimi.”
“Ka disa rrugë që nuk kaloj kurrë, sepse kam frikë.”

Këto janë disa nga situatat që përshkruajnë pasigurinë e vajzave në hapësirat publike dhe tema diskutimi të shpeshta në bashkëbisedimet e vajzave. Frika nga përndjekja, sulmet apo ngacmimet shpesh janë shoqëruese të përditshme për vajzat që lëvizin në rrugët e qyteteve të tyre, përfshirë qytetet e vogla si Struga.

Ngacmimi seksual publik është një formë e dhunës me bazë gjinore e cila ndikon në jetën e të rinjve. Ky lloj ngacmimi nënkupton: Fishkëllima, shikim i pandërprerë, komente seksuale mbi veshjen, ndjekje, bllokim rruge/ndalesë, kërcënime për ta lënduar. Pre e këtij fenomeni mundet të bien të gjithë të rinjtë si vajzat ashtu edhe djemtë. Megjithatë, të dhënat dhe hulumtimet në mbarë botën tregojnë se ngacmimi publik seksual përjetohet në mënyrë disproporcionale nga gratë, vajzat dhe grupet e margjinalizuara.

Mollëkuqja.mk realizoi një bashkëbisedim me vajza të moshave të ndryshme në Strugë. Ajo që doli në pah është se, pavarësisht moshës që kanë, një pjesë e madhe e tyre kanë frikën dhe pasigurinë e njëjtë gjatë lëvizjes në qytet, me theks të veçantë gjatë natës dhe nëpër rrugë apo rrugica ku nuk ka shumë lëvizje.

“Gjatë natës është më e vështirë të lëviz nëse rrugët janë bosh. Po, ndihem në rrezik, ndërsa kur ka njerëz dhe ndriçim është më ndryshe. Ndjesia e pasigurisë vjen duke menduar: nëse ndodh të sulmohem apo ngacmohem, a do të mund të mbrohem? Sa i përket policisë, nuk kam besim të plotë. Vazhdimisht dëgjojmë për lëshime nga ana e institucioneve, prandaj besimi im ka rënë.”

“Nuk ndjej ndonjë rrezik të madh në rrugët e Strugës. Më shumë frikësohem nga qentë endacakë që bredhin në tufa. Për fat të keq, nuk mendoj se policia mund të më ndihmojë në ndonjë situatë specifike.”

“Nëpër rrugë pa ndriçim dhe ku nuk ka shumë lëvizje nuk ndihem e sigurt. Mendoj se duhen ndërmarrë hapa nga institucionet për të rritur nivelin e sigurisë, sidomos gjatë natës. Patrullimi i policisë dhe prania e tyre në çdo pjesë të qytetit do të ndihmonin shumë.”

“Rastet që dëgjojmë nëpër lajme më bëjnë të ndihem e pasigurt dhe të frikësohem se mos më ndodh diçka e ngjashme. Nuk kam siguri të plotë që policia do ta ndiqte deri në fund rastin, por do të shpresoja që të ndihmonte.”

“Ndihem plotësisht e sigurtë kudo që eci në Strugë kjo për shkak se është qytet i vogël dhe ne njihemi gati se me të gjithë. Po dhe nëse nuk e njoh dikë mendojë se lirshëm do i kisha kërkuar ndihmë në ndonjë situatë të caktuar”.

“Ndihem e pasigurtë sepse mendoj që duhet të ketë më tepër patrolla nëpër qytet gjatë gjithë kohës, policia e ndal incidentin patjetër nëse ndodh, por nuk e trajtojnë me drejtësi sepse funksionon njofësia dhe shumë herë nuk trajtohet problemi siç duhet”.

Faktorët që ndikojnë në pasiguri

Nga bisedat dhe të dhënat, rezulton se disa nga faktorët kryesorë që shtojnë ndjesinë e pasigurisë përfshijnë:

  • Mungesa e ndriçimit në hapësirat publike.
  • Qentë endacakë, të cilët përmenden shpesh si shqetësim.
  • Mungesa e besimit në polici, që përkeqëson ndjenjën e pasigurisë.
  • Etiketimet dhe paragjykimet, që pengojnë gratë dhe vajzat të denoncojnë raste ngacmimesh apo dhune.

Sipas Njësisë për Punë të Brendshme në Strugë, gjatë vitit 2024 janë raportuar vetëm 13 raste të cënimit të sigurisë së vajzave dhe grave në hapësira publike. 12 nga rastet në fjalë kanë për bazë sulmin fizik të viktimës ndërsa 1 rast është paraqitur për ngacmim, fyerje dhe nënçmim.

Duke pasur parasysh besimin e ulët nga ky institucion theksojnë se ndërmarrin aktivitete parandaluese përmes bashkëpunimit me organizata të ndryshme joqeveritare dhe përmes departamenteve tjera shtetërore për parandalim të dhunës gjinore.

“Njësia për punë të Brendshme Strugë në kuadër të aktiviteteve të përgjithshme të SPB Ohër, në plan parandalues ndërmerr fushata parandaluese për të shtypur dhunën dhe në këtë kontekst për dhunën ndaj grave. Këto aktivitete parandaluese ndërmerren përmes departamentit të parandalimit, por edhe në bashkëpunim dhe koordinim me instancat e tjera dhe organizatat joqeveritare që punojnë në këtë fushë”.

Deklaruan nga ky institucion për Mollëkuqja.mk.

Siguria në hapësirat publike nuk është vetëm një e drejtë, por edhe një detyrë e institucioneve për të garantuar lirinë dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera