November 7th, 2024
Gjithçka u diskutua, asnjë temë nuk u konsiderua tabu: të drejtat riprodhuese, aborti, orgazmat, pabarazia në vendin e punës, pabarazia financiare, lidhjet, përdhunimet, ngacmimet me të cilat përballeshin çdo ditë duke ecur në rrugë.
Lëvizja moderne e grave filloi me mënyrën se si gratë janë mbledhur prej kohësh, dhe janë takuar nëpër dhoma të ndejës në mbarë vendin për të ndarë jetën dhe problemet e tyre. “Grupet ndërgjegjësuese” mbollën farën e protestës. Gratë takoheshin çdo muaj ose çdo javë, mbledhjet formoheshin kryesisht nga përhapja e fjalës gojarisht. Ndonjëherë shërbehej kafe dhe ëmbëlsira. Histori personale, gjithmonë.
Grupet shpesh uleshin në rreth, ku çdo grua kishte mundësi të tregonte historinë e saj. Susan Brownmiller, e cila më pas do të shkruante librin kryesor mbi përdhunimin, ” Kundër vullnetit tonë “, i tha grupit të saj se kishte pasur tre aborte të kundërligjshme. Peggy Dobbins tregoi se, si një nënë e pamartuar, ajo kishte dhënë një foshnjë për birësim. “Personalja është politike” u bë mesazh.
Viti 1968 ishte momenti kur gratë nxorën mesazhin dhe lëvizjen nga shtëpitë e tyre për në rrugë. Ngritja e ndërgjegjes “më ndryshoi jetën”, thotë aktivistja dhe shkrimtarja Alix Kates Shulman, e cila ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë në vitin 1968. “Po përpiqesha mirësisht që të pranoja fatin tim se karriera ime kishte mbaruar. Lëvizja shpjegonte të gjitha pakënaqësitë e mia.”
“Kur flisje për përvojën tënde personale, e kuptoje se ajo mund të ndahej. Nëse ndahej, ishte sociale,” thotë Dobbins, një sociolog që ishte aktiv në lëvizje. “Dhe nëse ishte sociale, ishte politike. Dhe nëse do të ishte politike, ju mund të bëni diçka për të.”
“Po ndodhte spontanisht në të gjithë vendin,” thotë Amy Kesselman, e cila i përkiste një grupi në Çikago. “Ne shpërthyem përkufizimin e politikës.”
Pesëdhjetë vite më parë, aborti ishte i kundërligjshëm. Pilula dhe DIU e bënë seksin më të sigurt, por gjithashtu e zhvendosën barrën mbi gratë për t’u siguruar që ato të mos mbeten shtatzënë. Tregu i punës mbeti kryesisht i ndarë dhe i pabarabartë. Shpalljet për punë kategorizoheshin shpesh sipas gjinisë (“kërkohet Sekretari Ekzekutiv më i mirë në botë”). Gratë shpesh nuk mund të merrnin karta krediti ose të hapnin llogari rrjedhëse pa nënshkrimin e burrave të tyre. Dymbëdhjetë gra shërbyen në Kongres dhe as edhe një në kabinetin e Lyndon Johnson apo në Gjykatën Supreme.
Termi “feministe” ende nuk kishte hyrë gjerësisht në gjuhën popullore. Askush nuk e njihte termin “seksist”; termi fyes i zgjedhur ishte “derr mashkull shovinist”.
Në janar të atij viti të trazuar, 5000 gra marshuan kundër Luftës së Vietnamit në Uashington, duke e quajtur veten Brigada Jeannette Rankin. Rankin, në atë kohë 87 vjeçe, ishte gruaja e parë e zgjedhur në Kongres, në vitin 1916 dhe përsëri në vitin 1940. Ajo ishte një pacifiste e veshur me kostum prej pambuku, e cila kishte votuar kundër hyrjes së Amerikës në të dyja luftërat botërore. Rankin pati marshuar me të zeza, raportoi Evening Star, “nga çizmet e deri te rrjeta e flokëve”.
Brigada u zhvendos në hotelin Shoreham për takime pas marshit, ku një grup prej rreth 200 grash më të reja, kryesisht të arsimuara, u nda nga turma më e madhe. Ato u ankuan se protesta i kishte vënë ato në rolet e “reagueseve të përlotura dhe pasive ndaj veprimeve të burrave”, shkruante Shulamith Firestone.
Në hotel, ato vendosën një arkivol që simbolizonte “varrimin e gruas tradicionale”. Kathie Sarachild lexoi një fjalim: “Po, motra, ne si gra kemi një problem, një problem që na bën të pafuqishme dhe të paefektshme mbi çështjet e luftës dhe paqes, si dhe mbi jetën tonë.”
Këto gra, shumica veterane të lëvizjeve për të drejtat civile dhe kundër luftës, kishin kuptuar se burrat e rinj, madje edhe radikalët me flokë të gjata, ishin po aq kundër barazisë gjinore sa baballarët e tyre.
“Vëllezërit tanë donin që ne të bënim kafe, jo të hartonim politika,” thotë aktivistja dhe shkrimtarja Robin Morgan, një anëtare e New York Radical Women. “Nga kjo lindi ky zemërim i jashtëzakonshëm. Ishte ndjenja e tradhtisë në të majtë që ishte e madhe dhe zemërthyese.”
Kështu lindi vala e dytë e feminizmit, gati 50 vjet pasi gratë morën të drejtën e votës .
Si ta shpërndajnë mesazhin e tyre?
“Kujtova se konkursi do të ishte diçka e mirë për të protestuar, meqë ishte shumë i popullarizuar në atë kohë dhe ndihmoi në vendosjen e standardeve të paraqitjes për të gjitha gratë,” rikujton Carol Hanisch, gjithashtu anëtare e New York Radical Women.
Në vitin 1968, Miss Amerika përfaqësoi Super Bowl-in e bukurisë; pothuajse dy të tretat e të gjithë televizioneve u akorduan për konkursin. Ishte ngjarja perfekte.
Protesta ishte momenti i parë i madh mediatik i lëvizjes dhe ishte planifikuar me kujdes.
Rreth 100 gra u mblodhën në Atlantic City më 7 shtator, arritën në mesditë dhe marshuan gjatë gjithë pasdites. Shumë erdhën nga Nju Jorku me autobus, por protestuesit udhëtuan edhe nga Uashingtoni; Gainesville, Fla.; Detroit; dhe Bancroft, Iowa. Shumica e grave ishin në të 20-at dhe në fillim të të 30-tave, por disa shoqëroheshin edhe nga nënat dhe gjyshet e tyre. Grupi përfshinte avokatin Flo Kennedy dhe aktivistë të tjerë me ngjyrë.
Bev Grant, e cila do të bëhej një interpretuese muzikore dhe të mbetej aktiviste, bëri foto dhe xhiroi filma. Dobbins krijoi një kukull Miss America me përmasa reale dhe ecte përgjatë shetitores si punonjës karnavali: “Po, zotëri, djema, ngrihuni lart. Sa më ofrohet për këtë pronë nr.1 të pronës kryesore amerikane? Ajo këndon në kuzhinë, i gumëzhin makinës së shkrimit, mërmërit në shtrat.” Tabelat e tyre shkruanin “Mbëshetur për muri, Miss Amerika” dhe “Ne nuk do të përdoremi”.
Në Atlantic City, gratë i hoqën por përndryshe nuk i dogjën sutjena. (Zyrtarët e ndaluan ndezjen e zjarrit në shëtitore.) Gjithashtu korsetët, grimi, takat e larta, magazinat e vajzave, të gjitha u konsideruan si “instrumente të torturës femërore”. Ato u hodhën në “Koshin e Plehrave të Lirisë”. Protestuesit shpërndanë fletëpalosje – literatura e mimeografuar ishte një shenjë veçuese e lëvizjes – përderisa një turmë e madhe u mblodh, disa talleshin me protestuesit, megjithatë Morgan kujton “se sa miqësorë ishin kalimtarët”.
Por miti i djegies së sytjenave ngeci. Kritikët u vërsulën, duke i etiketuar gratë si ‘me qime të këmbëve’ dhe pa humor. Por pjesëmarrësit u argëtuan. “Ishte ndjesi e gëzueshme dhe e lirë,” thotë Helen Kritzler.
Protestuesit morën me qira një dele, të cilës ia kishin vendosur mbishkrimin “Miss America” dhe një fjongo. (Ishte një kohë lulëzimi për kafshët e hambarit: Një javë më parë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago, Yippies emëruan një derr për president, të quajtur Pigasus. Ata refuzuan të flisnin me gazetarët burra, duke e parë protestën si një mundësi për gazetaret gra të vendosnin emrin pranë një historie me rëndësi, diçka që nuk publikohej në faqet e shoqërisë.
Miss Amerika “ishte një mënyrë për t’u përhapur në të gjithë vendin,” thotë Shulman, për të treguar atë që përfaqësonte konkursi: “Objektivizimi i grave, trajtimi i tyre si mall, si objekte seksi. Dhe racizmi ekzistonte në këtë konkurs.”
Në vitet 1930, konkursi Miss America vendosi një rregull sipas së cilit “konkurrentët duhet të jenë me shëndet të mirë dhe të racës së bardhë”. Megjithëse rregulli nuk shfaqej më pas vitit 1950, pothuajse dy dekada më vonë, konkursi ende nuk kishte përfshirë asnjë konkurrente të vetme afrikano-amerikane.
Disa blloqe më poshtë shetitores, organizatori nga Filadelfia J. Morris Anderson u përpoq të korrigjonte këtë padrejtësi duke organizuar konkursin e parë Miss Black America. “Ishte një akt proteste. Njerëzve me ngjyrë u ishte shpërlarë truri, duke i bërë të besojnë se janë të shëmtuar. Ne donim ta ndryshonim këtë koncept”, tha Anderson.
“Ishte një kohë kur ne u bashkuam si komunitet për të luftuar për drejtësi dhe krenari ekonomike e racore,” thotë Saundra Williams-Stovall, e cila u shpall fituesja e parë e konkursit. (konkurrentja e parë me ngjyrë, e cila dy vjet më pas që do të garonte në Miss America. Konkursi Miss Black America është ende funksional dhe do të festojë 50 vjetorin e tij në gusht.)
Ndërkohë, për të hyrë në Sallën e Konventave, protestueset “vishnin taka të larta, pikërisht ato lloj këpucësh që kishim hedhur në Koshin e Plehrave të Lirisë”, thotë Sarachild. Ndërsa Miss Amerika aktuale, Debra Dene Barnes mbante fjalimin e saj të lamtumirës, disa protestues të ulur në ballkon shpalosën një pankartë me shkrimin “Çlirimi i grave” e shkruar në një çarçaf dhe filluan të bërtasin “Jo më Miss Amerika!” (Pankarta nuk u shfaq në televizion: kamerat e NBC nuk u kthyen kurrë nga pasarela për të kapur momentin e paparashikuar.)
Një konkurs bukurie, me pjesëmarrëse nga të gjitha vendet, do të ishte adresa ku shprehja “çlirimi i grave” do të fitonte për herë të parë vëmendjen kombëtare.
Brenda sallës, Dobbins spërkati Toni Home Permanent, një produkt flokësh i prodhuar nga një sponsor i konkursit , “në dysheme në këmbët e njerëzve” dhe u arrestua. “Unë e ndoqa fundin e konkursit nga burgu, bashkë me gra që ishin arrestuar për kërkim të parave për shërbime seksuale.”
Shumica e protestueseve ishin të lumtura. “Na vendosi në hartë në një mënyrë që ishte shumë më e madhe se sa kishim qenë më parë,” thotë Shulman. “Mendova se ishte një triumf.”
“Argëtimi më i madh që dikush mund të imagjinoj ta ketë në çdo ditë të jetës së saj,” shkroi Kennedy, tani e ndjerë, i në kujtimet e saj të vitit 1976. “Ishte shumë e guximshme dhe shumë e vrullshme.”
Por të paktën një demonstruese kishte pengje. “Një nga gabimet më të mëdha të të gjithë konkursit ishte anti-feminizmi ynë ” shkroi Hanisch disa javë më vonë, një mendim që ajo ende e ka. “Miss Amerika dhe të gjitha gratë e bukura u dukën si armiket tona në vend që t’i paraqisnim si motrat tona që vuajnë bashkë me ne.”
Atë vit u panë themelimet e grupeve të tjera të grave, duke përfshirë Redstockings dhe W.I.T.C.H. (Konspiracioni Ndërkombëtar Terrorist i Grave nga Ferri). Grupi i fundit organizoi nje shfaqje guerile në Wall Street atë Halloween. Dy vite më vonë në Fifth Avenue të Nju Jorkut, për të festuar 50-vjetorin e Amendamentit të 19-të, i cili u dha grave votën, rreth 50,000 gra morën pjesë në Grevën e Grave për Barazi. Dhe në vitin 1972, Kongresi miratoi Amendamentin e të Drejtave të Barabarta (ERA) për të ndihmuar në përfundimin e diskriminimit gjinor në vendin e punës.
Shumë feministe të valës së dytë, tani në të 70-at dhe 80-at e tyre, mbeten ende aktive politikisht. Ato kanë jetuar aq sa për të parë më shumë gra të zgjedhura në Kongres, kandidimin e Hillary Clinton për presidente dhe dy vite të njëpasnjëshme marshimesh masive globale për të drejtat e grave.
Ato kanë qenë gjithashtu dëshmitare të asaj që e shohin si stagnim: ngacmimi seksual i përhapur, gratë që paguhen më pak se burrat, shumë pak gra në pozicione udhëheqëse dhe mungesa e kujdesit të përballueshëm për fëmijë, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta. ERA duhet të ratifikohet ende nga tre të katërtat e kërkuara të të gjitha shteteve (por disa legjislatura po e rikthejnë për votim).
Në vend të korsetëve, tani kemi Spanx. Takat e larta janë bërë edhe më larta. Miss Amerika mund të mos jetë më ikona që ka qenë dikur, por industria e modës, reklamat dhe rrjetet sociale vazhdojnë të promovojnë standarde të paarritshme të bukurisë.
“Unë e shoh lëvizjen #MeToo si vazhdimësi e ngritjes së vetëdijes, si një rishfaqje,” thotë Shulman. “Me zgjedhjen e Trump-it, lëvizja ka rilindur. Lëvizja jonë e hershme ishte e mbushur me zemërim. Këto gra janë shumë të zemëruara. Duhet një tjetër shpërthim i zemërimit për të shtyer përpara lëvizjen.”
Hanisch sheh më pak përparim. “Në disa fusha, si aborti, po ecim prapa, pjesërisht për shkak të një reagimi të madh kundër arritjeve të grave,” tha ajo. “Ne kurrë nuk do të arrijmë çlirimin e vërtetë të grave derisa të ristrukturojmë shoqërinë në mënyrë që burrat dhe shoqëria në tërësi të ndajnë në mënyrë të barabartë në atë që tani e njohin si ‘puna e grave’ dhe gratë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në jetën publike dhe qeverisjen e shoqërisë.”
“Të gjitha luftërat për liri, përfshirë edhe çlirimin e grave, janë procese mësimore,” thotë Sarachild. “Ti përparon, pastaj shtyhesh prapa.”
Lëvizjet kërkojnë kohë, argumentojnë feministët e hershëm. “Ndryshimet radikale, barazia gjinore, nuk mund të ndodhin brenda natës,” thotë Dobbins. “Zot, kanë kaluar vetëm 50 vjet.”
Ky artikull fillimisht është publikuar në Washington Post, është përkthyer për portalin QIKA nga Delfina Abazi.
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia