Uta-Ibraimi.png

Alpinistja Uta Ibraimi: Komentet e llojllojshme më kanë bërë më të fortë

DORA VETË

November 28th, 2021

Në vitin 2017 Uta Ibraimi u bë gruaja e parë shqiptare e cila pushtoi majën më të lartë të globit, Everestin 8.848 m të lartë. Në çatinë e botës Uta valoi flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të Kosovës me shpresë se do të kontribuojë në rritjen e vetëdijes për natyrën, malet dhe të drejtat e njeriut në dy vendet. Me këtë arritje Uta jo vetëm që bëri krenar një popull të tërë por edhe u bë një figurë motivuese për shumë njerëz, e sidomos për gratë. Uta i dëshmoi botës dhe shqiptarëve që fuqinë e një qenie njerëzore nuk e përcakton gjinia por puna e palodhur për t’i arritur synimet që ka një individ.

Pavarësisht euforisë dhe ëmbëlsisë së suksesit rrugëtimi i Utës deri në Everest nuk ishte aspak i lehtë. Të qenurit vajzë i dyfishonte sfidat që ajo duhej t’i kapërcente për të realizuar një ëndërr të madhe.

“Unë fillimisht kam qenë pjesë e ekspeditës së parë të Kosovës në Everest, ku përbërja ka qenë 2 vajza dhe 4 burra. Pastaj lideri i kësaj ekspedite, në takimin e fundit, më tha që kanë vendosur mos të marrin vajza në ekip sepse është shumë vështirë. Ndoshta kjo ka qenë më e vështira në atë kohë, të qenurit vajzë edhe me pas ëndrra me u ngjit në majat më të larta të botës”. 

Nëse dorëzohesh ëndrrat mbesin vetëm ëndrra, por nëse punon fort ëndrrat jo vetëm që realizohen por bëhen dhe akte heroike.

45188721_10217602073707023_6062731047114637312_n-1638109723.jpg
244741527_10226449357003576_454593107946506650_n-1638109739.jpg

“Më është dashtë me punu shumë, me ushtru, me i bind njerëzit përreth se unë mundem, me i bind komunitetin bjeshkatar që me pas më shumë besim në mua. Sepse, ngjitjet e tilla kërkojnë shumë përkrahje morale nga njerëzit - se ata janë shtysa kryesore sidomos në hapat e fundit afër 8000 metrave .. Mirëpo, kur arrita majën Everest edhe kur vendosa flamurin e Kosovës për herë të parë në maje të botës, unë u binda që s'mundet askush të më ndal, ose me më pengu me i arrit andrrat”.

Edhe pse shkeli majën më të lartë të botës Uta nuk ndaloi ëndrrat edhe punën për të vazhduar të thyej paragjykime dhe tabu shoqërore. Pas Everestit, Uta ngjiti edhe 5 maja tjera në Himalaja: Manasulu (8,163m), Cho-Oyu (8201m), Lhotse (8516m), Gasherburum (8080m) and Annapurna 1 (8091m), duke u bërë zyrtarisht gruaja e parë nga Ballkani që ngjiti 6 maja malore më të larta se 8000 m.

“Kështu edhe kam vazhduar me ekspeditat e tjera - 6 maja deri më tani duke u bërë vajza e vetme në Ballkan me 6 maja të Himalajve - madje nuk e di nëse ndonjë vajzë ka ndonjë projekt të tillë ose ngjet Himalajet”.

WhatsApp-Image-2021-08-13-at-14.59.01-1.jpeg

Kur jemi tek Himalajet, Uta rrëfen se planifikon të ngjisë edhe 9 majat e mbetura nga gjithsej 14 maje mbi 8000 m në Himalaje. Paralel me përgëzime dhe komplimente për suksesin e saj Uta është përballur edhe me një sërë paragjykimesh.

“Me fillimet e mia si alpiniste kam pas komente të llojllojshme - por që në fakt më kanë bërë më të fortë për të vazhduar më shumë e më tutje ... Edhe për t’u bërë edhe më e fortë. Tash, jam në fazën që edhe nuk kam shumë kohë për t’i dëgjuar ose të merrem me komente të tilla”, thotë Uta.

Për Utën është shumë e rëndësishme që vajzat të vetëdijesohen dhe të ngrenë zërin ndaj çdo padrejtësie që ju bëhet. Ajo madje i inkurajon vajzat që sa më shumë ta mbështesin njëra tjetrën sepse vajza të forta nënkupton shoqëri më të fortë.

242823732_252715763519887_2082939576991324404_n.jpg

“Mendoj që vajzat fillimisht nuk duhen të lejojnë të shtypen në shoqëri, duhen të bëjnë maksimumin për të qenë të pavarura në jetë, të shkollohen. Në momentin e pavarësisë, kur jetën tënde e ke vetë në dorë, atëherë edhe gjithçka është ndryshe, atëherë e kupton që askush s’ta ka dhënë jetën me dorë, por ti je e zonja e vetes e jetës. Pastaj, duhet të përkrahin njëra-tjetrën, vajzat mes vete, të shtyjnë njëra-tjetrën të përparojnë - se sa më shumë vajza të forta, për të gjithë ne jeta është më e mirë. E pastaj duhet edhe të ngremë zërin, për të tentuar të ngremë vetëdijen", porosit Uta.

WhatsApp-Image-2021-03-02-at-10.29.40-1.jpeg
DSC03529-2048x1365.jpg

Uta shton se ka shumë raste kur vajzat dhe gratë diskriminohen, ngacmohen apo paragjykohen prandaj është me rëndësi që në të tilla raste të reagohet dhe të ngrihet zëri.

Së fundi, Uta edhe një herë dëshmoi se forca apo fuqia e një individi matet me punën që bën dhe jo me përkatësinë gjinore. Uta doli e para, në kategorinë edhe të meshkujve edhe të femrave, në garën “Prishtina Trails” prej 100 km vrap.

“Unë vrapova në disiplinën 100KM dhe u kënaqa shumë. Shtegu të cilin e kemi vrapuar në garë është shteg që unë e vrapoj çdo ditë në mëngjes (kur jam në Prishtinë), domethënë jam ndjerë sikur në shtëpi timen. Unë përgatitem fizikisht për ngjitjet e mia në Himalaja dhe vrapimet malore prej vitit 2014. Nuk e mbaj mend kur ndonjëherë kam pushuar së ushtruari - përveç se nëse kam pas ndonjë lëndim - edhe atëherë kam bërë joga ose ndonjë sport më pak intensiv. Ushtrimet janë diçka që unë i bëj çdo ditë, sikurse që ha bukë e pi ujë”.

Në pyetjen tonë se si ishte ndjesia të triumfosh në një garë aq të madhe, madje në dy kategori, Uta përgjigjet me shumë modesti.

“Dola e para, e vërtetë. Shumë ndjenjë e mirë fillimisht duke e përfunduar garën – s’ka pasur shumë rëndësi vendi i parë, por edhe me qenë e para ishte ndjenjë e mirë”.

Edhe përkundër gjithë këtyre angazhimeve Uta është edhe ideatore e një projekti të mrekullueshëm që ka në fokus ngritjen e vetëdijes qytetare për mbrojtjen e malit Sharr.

“Run for sharr” është projekt që e kam konceptuar para një viti. Gjithmonë kam pasur dëshirë të sjell një video tek njerëzit – desha të ju tregoj se çka shoh kur dal të vrapoj në kurrizorën e Sharrit edhe çfarë bukurie ka atje lartë. Në ndërkohe, kur WWF na njoftoi se ka një mundësi për të aplikuar me një grant të vogël për të mbështetur një projekt që ka të bëjë me mbrojtje të natyrës, ne aplikuam me organizatën time “Utalaya Foundation”. Xhirimi është bërë 5 ditë, kemi vrapuar e xhiruar në 100 km dhe kështu shumë shpejt do ta shfaqim këtë dokumentar. Këtë dokumentar e kanë përkrahur shumë njerëz dhe dashamirës të natyrës, dhe ideja është e promovimit të bukurive dhe në të njëjtën kohë të flasim për degradimin që i bëhet maleve të Sharrit çdo ditë nga ndërtimet pa leje, ndërtimet masive, hidrocentralet, prerjes së drunjëve, mbeturinave etj.  Nëpërmjet dokumentarit ne po tentojmë të ngremë vetëdijen e popullit por edhe të stimulojmë Qeverinë të merr vendime të duhura në raport me mbrojtjen e Parkut Nacional Sharr.

Dhe për ta përmbyllur, duhet të shtojmë se fakti që është vajzë Utën nuk e pengon as të udhëheq një biznes privat dhe të jetë edhe një udhëheqëse e suksesshme. Ajo është themeluese dhe udhëheqëse e një kompanie turistike në Ballkan “Butterfly Outdoors Adventure (www.butterflyoutdoor.com)”. Kompania e Utës merret me organizimin e aktiviteteteve si: vrap, ecje malore dhe joga, çiklizëm si dhe udhëheqjen e ecjeve të shkurta malore për fëmijë me nevoja të veçanta.

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia