Untitled-design-3.png

Të fajësojmë e të shfajësohemi kur askush s’mban përgjegjësi

FEMINISTING

October 24th, 2021

Të fajësojmë e të shfajësohemi kur askush s’mban përgjegjësi

Kur feministja radikale amerikane Ti-Grejs Atkinson dha dorëheqjen nga një grup feminist në Nju Jork ajo shkroi:

“Motëria është e fuqishme. Ajo vret, kryesisht motra.”

Ndër shumë qarqe feministe të të 60-ave dhe 70-ave Atkinson u prit keq. Mund të jetë e vërtetë që qëndrimet e saj ishin mjaft të padëgjuara, ndoshta ekstreme, ndoshta të papranueshme, por kjo nuk ka rëndësi. Mbi të gjitha vëmendje e veçantë i duhet kushtuar raportit ndërmjet saj dhe këtyre qarqeve, e tërë qarqeve feministe në përgjithësi, posaçërisht atyre të valës së tretë dhe të katërt të feminzmit. 

Që në gjenezën e shoqërive njerëzore, mospajtimet, pakënaqësitë, kritikat dhe përballjet mes formave të ndryshme të lëvizjeve që kanë nisur nga i njëjti burim kanë qenë të pashmangshme. E tillë është vetë natyra njerëzore. Mund ta nisim këtë krahasim që nga fetë e mëdha të botës së sotme, që janë të ndara në qindra sekte e forma besimi në të njëjtën fe e me të njëjtin synim. I tillë është islami, i tillë është krishtërimi e judaizmi dhe shumë e shumë fe të tjera. Të tilla janë edhe partitë politike, të ndara e të përçara si në vendin tonë, ashtu edhe në çdo shoqëri njerëzore, pavarësisht se në thelb (kur i përjashtojmë keqpërdorimet personale dhe vetjake të politikanëve) të gjitha synojnë ta përmirësojnë shoqërinë në të cilën ata veprojnë. Të pakta janë lëvizjet të cilat i kanë shpëtuar armiqve më të mëdhenj të njerëzimit, egoizmit dhe përçarjes. As feminizmi nuk i ka shpëtuar kësaj. 

Në verën e vitit 2012 aktivistet Kortni Martin dhe Vanesa Valenti bashkë me 21 feministe të tjera në Nju Jork u mblodhën në Kolegjin Barnard për t’i diskutuar mënyrat se si feminizmi onlajn mund të marrë më shumë përkrahje institucionale dhe filantropike. Në fund, dy aktivistet e përdorën këtë diskutim si thelbin e një reportazhi të titulluar “#Femfuture: Online Revolution,” duke bërë thirrje për ta mbështetur punën e papaguar të feministëve në internet. I papritur qe sulmi që ata morrën.

Qarqe të shumta feministe dhe shumë feministe të shquara si Miki Kendall e sulmuan këtë nismë duke e quajtur raciste (pavarësisht se 9 nga nismëtaret ishin zezake), përjashtuese (meqë nuk u jepte zë grave që nuk kishin qasje në internet, ose edhe grupeve të tjera të kufizuara) e duke i sulmuar dy aktivistet në llojlloj formash personale. Ky reagim e bëri të vështirë që kjo nismë t’iu mundësonte feministëve një qasje dhe hapësirë më të madhe në internet, madje njerëzit e kujtojnë më shumë këtë nismë nga reagimi që mori sesa nga synimi që kishte. Samhita Mukhopadhyay, aktiviste dhe shkrimtare shkruan për një gazetë:

Ndihesh sikur të kanë zënë në qosh...”

E më tej vazhdon 

“Të gjithë kanë frikë të shprehen tani...”

Kjo nuk është aspak e rastësishme. Me përhapjen e internetit në duart e miliarda njerëzve si mjeti më i fuqishëm i komunikimit në ditët bashkëkohore, ishte e pashmangshme që ky mjet do të binte edhe në duart e njerëzve që nuk kanë qëllime të mira, a që synojnë të shkatërrojnë në vend që të ndërtojnë. Edhe kjo është një anë e natyrës njerëzore. Nga këta njerëz lindën “troll”-sat e internetit dhe “aktivistët letargjikë” që sapo shohin një mundësi për kritikë apo nënvlerësim të nismës dhe veprave të dikujt tjetër e kapin atë, e njollosin, e përqeshin, i nxjerrin në pah anët negative, mangësitë dhe pamundësitë për ta realizuar, por pa ofruar asnjë zgjidhje dhe kritikë ndërtuese në shkëmbim. Të tillë kanë qenë dhe janë shumë feministë dhe qarqe feministe, janë të varfër, por në kërkim të arit ia vënë shkelmin argjendit. Duhet të përpiqemi që mos të jetë kështu në të ardhmen. 

Politika dhe mentaliteti i kritikës shkatërruese nuk ka çuar para asnjë nismë dhe asnjë lëvizje në histori. Sulmet personale ndaj njerëzve që kanë një opinion të ndryshëm nga të tjerët nuk e kanë bindur kurrë atë person që ta ndërrojë opinionin, përkundrazi e kanë bindur edhe më shumë në qëndrimin e tij. Arroganca e të menduarit që “lloji im i feminzimit” është më i mirë se “lloji yt i feminzimit” në rastet më të mira (nëse mund t’i quajmë kështu) kanë sjellë veç heshtje të jashtme, por nuk ka sjellë kurrë ndryshim rrënjësor të mentalitetit të njerëzve (dhe këtë s’mund ta bëjë e ta imponojë askush); a në rastet më të këqija ka degraduar në fyerje, sharje, sulme dhe përçarje edhe më të shumta ndër njerëz që në thelb synojnë të njëjtën gjë, mundësi të barabarta për të gjithë. 

Rastet e lartpërmendura janë veç pak nga rastet e shumta kur feministët janë sulmuar nga feministë të tjerë. Kjo është gabim. Sulmet e tilla janë gabim, ashtu siç është gabim edhe “cancel-culture” që aq shumë është përhapur në internetin e ditëve të sotme, pasi në shumicën e rasteve nuk janë reagime logjike ndaj “rreziqeve shoqërore,” por janë reagime emocionale që marrin nënkuptime personale. Asnjë përballje e tillë nuk është e shëndetshme për feministët në raport me jofeministët, por edhe për feministët në raport me feministët e tjerë, pasi mbi të gjitha këto qëndrime krijohjnë përçarje, frikë dhe kundërsulme, në vend që të sjellin bashkim dhe synime të qarta dhe ky është fakt që shihet në përditshmëri. 

Feminizmi nuk duhet të degradojë në një betejë ndërmjet personaliteteve të njerëzve, por duhet të jetë një ide që i bashkon personalitetet. E shohim të shpaloset para syve tanë ideja që sot më nuk mund të shkruajë për çështjet feministe një mashkull, pasi nuk e kupton botën e grave e vështirësitë që ata i hasin. Edhe kjo është totalisht një ide përçarëse dhe shkatërrues për feminizmin, së pari, pasi ia mohon të drejtën për të folur për çështje të rëndësishme një pale kyçe në betejën feministe dhe së dyti, pasi të çon të mendosh që gjysma e popullsisë së botës nuk paska një ide pozitive dhe konstruktive për feminizmin. Kjo është qasje e një “aktivisti letargjik” dhe një fëmije të papjekur emocionalisht, pasi zgjedh të jetojë në një flluskë të veten pa e pa pranuar realitetin e botës në të cilën jeton. Feminizmi i ditëve të sotme, sidomos ai onlajn, duhet të nxisë debate objektive, konstruktive, reale dhe aktive për temat e rëndësishme feministe, pa e pasur frikën nëse është duke qenë “politikisht korrekt” ose jo, pasi temat e mëdha rrallëherë mund të diskutohen duke qenë “politikisht korrekt,” e duke mos dashur të lëndohen ndjenjat e disa njerëzve. Barazia gjinore ka nevojë për fakte dhe iniciativë. Faktet dhe iniciativa nuk presin që çdokush të pajtohet me ta, e megjithatë e sjellin ndryshimin pozitiv, pasi pavarësisht formave të ndryshme të të jetuarit si feminist, qëllimi është i njëjtë: një jetë më e barabartë dhe e drejtë për të gjithë njerëzit. 

Është e vërtetë që përçarja është pjesë e natyrës njerëzore, por historia tregon që edhe bashkimi zë një vend të madh në natyrën tonë. Çfarë do të thotë kjo për feminizmin? Do të thotë që në vend që ta ushqejmë “aktivizmin letargjik” me kritika e sulme adoleshente, që sjell veç përçarje dhe mëri më të madhe ndër njerëz, duhet ta nxisim bashkimin te pikat që të gjithë i synojmë. Sigurisht që do të ketë njerëz që nuk do të pajtohen assesi me një formë a mënyrë, ama në këto raste për të gjithë vlen ajo shprehja “jeto dhe lëri të jetojnë.” Asnjë lëvizje e madhe nuk do të jetë gjithmonë e bashkuar plotësisht, por kjo s’do të thotë që mos të provojmë. Sa më shumë aq më mirë, aq më efikasë dhe aq më me ndikim pozitiv. Fajësimi dhe shfajësimi janë metoda të pavlera dhe të kaluara të aktivizmit dhe metoda që veç e bëjnë feminizmin më të cenueshëm, më të lëkundshëm, më të dobët dhe më të përçarë, pasi të fajësosh do të thotë t’ia hedhësh përgjegjësinë dikujt tjetër (kryesisht se vetë nuk do ose nuk e ke vullnetin për të ndërmarrë veprim), a të shfajësohesh do të thotë të mos mësosh nga gabimet e përsëri të mos marrësh përgjegjësi për ta. 

Këto nuk i duhen më feminizmit, pasi këto janë qëndrime parazitore që nuk sjellin as edukim as ndryshim, po veç “e hedhin topin” nga njëri te tjetri; herë te një qark tjetër feminist, herë te një lëvizje e djathtë e herë te një politikan, duke pritur që dikush tjetër të bëjë diçka më të mirë, dikush tjetër të ndryshojë, dikush tjetër ta bëjë hapin e parë. Feminizmit të sotëm i duhet përgjegjësi, bashkim dhe veprim konstruktiv. Secili duhet të marrë përsipër përgjegjësi për rolin që luan; secili duhet të jetë i gatshëm ta bëjë hapin e parë e të marrë përsipër një iniciativë; e nëse e bën kështu secili duhet ta marrë përsipër përgjegjësinë që ta përkrahë në mënyrë sa më pozitive dhe konstruktive, a nëse është diçka totalisht e papranueshme për ty, mos e përkrah, por mos e shkatërro. Nuk pinë ujë sulmet dhe fajësimet e një qarku ndaj një qarku tjetër meqë nuk pajtohesh me të. Secili ta bëjë të veten ashtu siç duhet, pa cenuar askënd, e pastaj janë njerëzit ata që zgjedhin objektivisht, pa imponim dhe me arsye atë që duan ta ndjekin dhe ta besojnë.

Po çfarë do të thotë të mos jesh “feminist letargjik,” ose “aktivist letargjik?” Do të thotë që kur të hasen dy mendime të kundërta ndër feministë të bashkëbisedohet duke pasur si synim të takoheni në pikat e përbashkëta, e nëse nuk bëhet kjo dot, të mos harrojë askush se synimi i tyre është i njëjtë. Kjo do të thotë të mundohemi t’i edukojmë njerëzit në sferën e barazisë gjinore, jo përmes imponimit, por përmes logjikës dhe arsyes. Kjo do të thotë të krijojmë opinione objektive pa i gjykuar dhe sulmuar të tjerët personalisht. Kjo do të thotë të jemi feministë që kërkojnë të vërtetën së bashku dhe synojnë ta bëjnë botën më të mirë, jo më të përçarë. Kjo do të thotë ta zhdukim agresivitetin dhe urrejtjen dhe ta kultivojmë bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe respektin, jo veç ndër feministë, por me këdo që na jepet mundësia. Do të thotë të krijojmë mundësi dhe forma të reja edukimi dhe komunikimi, e jo t’i shkatërrojmë edhe ato pak mundësi që i kemi.

Kur të sulmohet feminizmi përgjigjja nuk duhet të jetë kundërsulmi, duhet të jetë qëndrueshmëria dhe fuqia për t’i ruajtur vlerat tona pavarësisht rrethanave; duhet të shfaqim një mënyrë më të pjekur për t’u përballur me vështirësitë e jashtme e jo të bëhemi edhe ne pjesë e atyre vështirësve teksa synojmë të sjellim një ndryshim pozitiv dhe gjithëpërfshirës në shoqëri.

E kur të jemi duke u përballur me ato vështirësi të jashtme, kurrë mos të harrojmë t’i kthejmë sytë përbrenda dhe të përkujdesemi që egoizmi dhe përçarja të mos na vijë nga vetja. 

Ilir Saliu

Ilir Saliu

Ilir Saliu është student i vitit të fundit në katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup. Ka punuar si moderator dhe gazetar në emisionin e mëngjesit “Ditë e Re” në Televizionin Kombëtar “Alsat” dhe njëkohësisht ka qenë dhe është pjesë e disa organizatave joqeveritare që synojnë përmirësimin e shoqërisë përmes edukimit dhe aktivizmit.