Pink-Photocentric-Breast-Cancer-Mammogram-Instagram-Post-(1440-x-550-px).png

RMV: Tre deri në katër gra në ditë diagnostifikohen me kancer në gji, zbulimi i hershëm ndihmon

N'THELB

October 23rd, 2021

Kanceri i gjirit është një nga sëmundjet me të cilën përballen afër 1,200 gra në vit në Maqedoninë e Veriut. Muaji tetor në botë njihet si muaji i ndërgjegjësimit dhe informimit ndaj kancerit të gjirit. Me qëllim të parandalimit dhe të detektimit të hershëm të kësaj sëmundje vdekjeprurëse në raste të ndryshme, Mollëkuqja.mk nëpërmjet një onkologie, psikologie dhe dy grave të diagnostifikuara me këtë sëmundje ju sjell informata më të hollësishme me atë se si kjo sëmundje trajtohet në vendin tonë dhe rrugën në të cilën kalojnë pacientët.

Çfarë është kanceri i gjirit?

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin.

Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri. Faktorët kryesorë të rrezikut që mund ti numërojmë janë: mosha, gjinia, predispozita gjenetike, obeziteti, duhanpirja, menarha e hershme, menopauza e vonshme, jeta pasive fizike, kontraceptivet oral, stresi.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë. Ai mund të gjendet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet te gratë në moshë mbi 50 vjeç. Kanceri i gjirit mund të gjendet dhe te burrat por është shumë i rrallë.

Si zbulohet dhe trajtohet kanceri i gjirit te ne?

Specialistja Onkologe Vjollca Skenderi Neziri tha se kanceri i gjirit është sëmundje shumë dimenzionale andaj në vendin tone diagnostikimi fillon që në qendrën e mjekësisë familjare (tumefaksion në gji që është palpabil), vazhdon me metodat imazherike ultrasonografija, mamografija/MRI e gjirit, biopsioni, kirurgjia/onkologjia neoadjuvante, trajtimi onkologjik (kimioterapi, radioterapi, terapi biologjike, imunoterapi, hormonoterapi). Në fund të trajtimit vijojnë kontrollet e rregullta te onkologu me ultrason të gjirit në çdo 6 muaj dhe mamografi 1 herë në vit.

“Kanceri i gjirit është sëmundje që nëse zbulohet në fazën e hershme atëherë e njëjta edhe shërohet andaj shumë rëndësi kanë kontrollet e rregullta, është gjithashtu sëmundje me varësi gjenetike por megjithatë nuk kursen askënd, andaj të gjitha gratë duhet të kontrollohen rregullisht. Kjo sëmundje në përqindje të ulur prek edhe meshkujt andaj edhe ata po qe se ndjejnë diçka të pazakontë në gji le paraqiten tek mjeku, obeziteti, kontraceptivet oral, me një fjalë të jetuarit me stres dhe ushqimi jo i shëndetshëm ndikojnë dukshëm në paraqitjen e sëmundjes andaj le të mundohemi të jetojmë shëndetshëm”

Vjollca Skenderi Neziri

Si është të përballesh me këtë sëmundje në vendin tonë?

Misrete Edipi, e diagnostikuar me këtë sëmundje tha se përballja me të ishte e vështirë por me përkrahjen e rrethit të saj kjo ka qenë më e lehtë për të. Ajo tregoi se e kishte zbuluar kancerin në fazë shumë të hershme dhe e ka tejkaluar disi me mbështetjen maksimale dhe te pakushtëzueshme të familjes. Ajo tha se kur ka pasur më së shumti nevojë për njerëz qe kishin kaluar te njëjtën rrugë nuk gjeti dikë që do fliste për këtë sëmundje dhe do të ja lehtësonte procesin, dhe kështu vendosi që të flas hapur dhe të ju ofrojë ndihmë dhe mbështetje të gjithë atyre që përballen me këtë sëmundje.

RMV: Tre deri në katër gra në ditë diagnostifikohen me kancer në gji, zbulimi i hershëm ndihmon

“Fatkeqësisht, në zonat rurale dhe qytetet më të vogla në vend, qëndrimi ndaj sëmundjes, gjegjësisht ndaj kancerit të gjirit, është një temë tabu dhe nuk diskutohet. Këto gra, përveç sëmundjes, përballen edhe me paragjykime nga mjedisi dhe kjo i bën ato të tërhiqen dhe ta fshehin sëmundjen. Kjo është një nga arsyet pse këto gra kërkojnë ndihmë mjekësore në fazat e përparuara të sëmundjes. Familja duhet të përfshihet në mënyrë aktive në kujdes, kurse mjekët duhet të sigurojnë komunikimin me pacientët dhe anëtarët e familjes së tyre. Për këtë arsye, është e nevojshme të përdoret çdo lloj komunikimi, çdo lloj qasjeje, qoftë personale, e ndërmjetësuar, grupore, individuale apo virtuale.” tha Misrete Edipi.

Si ndikon kanceri i gjirit në shëndetin psikik të pacientëve me këtë diagnozë?

Psikologia Vala Adili, tha se si çdo gjë tjetër dhe reagimet ndaj një diagnoze që ka lidhur me shëndetin tonë, janë tejet individuale. Ajo theksoi se shpesh vihet re qe individi i diagnostikuar me kancer kalon nëpër fazat e procesit te zisë i cili është i lidhur me humbjet që pësojmë, në rastin konkret, humbja e shëndetit, pamjes, mundësive, planeve dhe të tjera.

“Mendimet negative në përgjithësi ndikojnë keq në gjithçka që ka të bëjë me trupin tonë, në fakt çdo gjë përpara se të bëhet lëvizje fillimisht është një mendim në kokën tonë. Përkrahja psikologjike është shumë e rëndësishme për këta pacientë, sado i vështirë që është pranimi i situatës se re, një gjë e tillë duhet të bëhet, kontakti me trupin është thelbësor, trupi jonë është mbështetja jonë, forca jonë. Këtu ka hapësirë që individi të flas me dikë për atë që po i ndodh, për ndjenjat e reja që janë shfaqur. Hulumtimet tregojnë se pacientet që kanë pasur me kë të flasin gjatë procesit të kemioterapisë, janë rikuperuar me shpejtë se ato që e kanë kaluar këtë proces pa folur me dikë, pa e ndarë me asnjë.

Vala Adili

Sa ofron shteti ndihmë për pacientët e diagnostikuar me këtë sëmundje?

Renata B.A tha pacientët onkologjik në vendin tonë dhe kudo, duhet të kenë një trajtim më specifik, më të avancuar, të kenë përparësi në mjekim dhe në ilaçe, mos të presin gjatë për një incizim apo të jenë të liruar nga çdo lloj participimi.

Sëmundja nuk pret, ajo ec me të shpejtë, s’ka mëshirë! Protezat e gjirit që i marrim i mbulon Fondi i Shëndetësisë, besoj që ka edhe ndihmë sociale për lëndim trupor në shumë të vogël. Te ne trajtimi në klinikë kur e pranojmë kimioterapinë dhe analiza e gjakut e tabletat nuk paguhen, ndonjë ndihmë tjetër ekstra nuk di që ekziston, ndoshta edhe ka por deri më tani nuk kam dijeni, edhe pse mendoj që është e nevojshme të ketë për të gjithë të sëmurit onkologjik” tha Renata B.A.

Sipas Misrete Edipi vështirësitë ekzistojnë dhe duke marrë parasysh se mbështetja që jepet nga institucionet është minimale, pacientët ndonjëherë e kanë jo te lehtë ti realizojnë të drejtat e tyre, qoftë ato nga ndihma financiare apo të drejtat nga marrëdhëniet e punës. 

RMV: Tre deri në katër gra në ditë diagnostifikohen me kancer në gji, zbulimi i hershëm ndihmon

“Personalisht, mendoj se duhet te punohet më tepër në këtë drejtim. Institucionet disi kanë lënë pas dore pacientët onkologjik, sidomos në periudhën e fundit ku fokusi ishte te pandemia. Përveç Klinikës për Onkologji dhe Radioterapi ku punohet me përkujdesje dhe dashuri të madhe ndaj pacienteve dhe ofrohen kushte të mira, mendoj se në mbështetje dhe ndihmë të pacienteve me sëmundje malinje duhen të kyçen edhe shumë institucione tjera, duke filluar nga ndryshime te disa akteve nënligjore që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të pacienteve siç janë, e drejta e orarit të punës me kohë të shkurtuar, realizimi i së drejtës për pagë shtesë për shkak të lëndimit trupor, realizimi i së drejtës së ndihmës financiare për kujdestari nga dikush  tjetër, shërbimet mjekësore të jenë në dispozicion për të gjithë njësoj pa diskriminim në çfarëdo lloj fushe” tha Misrete Edipi.

Onkologia Neziri tha se disa nga lehtësimet që ofrohen për pacientët e diagnostifikuar me kancer të gjirit janë lirimi nga participimi për disa shërbime spitalore, grave te operuara u takon protezë dhe paruke, derisa pranojnë terapi onkologjike u takon ndihmë financiare e llojit – ndihmë për përkujdesje nga personi i tretë dhe të tjera.

“Jemi Dashuri” dritare gjithmonë e hapur për ndihmë dhe këshilla në lidhje me kancerin e gjirit.

Pasi Misrete Edipi u diagnostikua me këtë sëmundje, ajo tha se donte të inkurajonte çdokënd që çdo ndryshim ta paraqesin te mjeku dhe mos ta fshihnin sëmundjen nga paragjykime te ndryshme. Nga këtu lindi ideja e themelimit te Shoqatës “Љубов сме/Jemi Dashuri” së bashku me një paciente tjetër nga Onkologjia.

Shoqata “Љубов сме/Jemi Dashuri” është një shoqatë e re e krijuar si nismë e anëtarëve të saj të grupit, që ekziston tani e 3 vjet. Kjo shoqatë përbëhet nga pacientë që luftojnë kundër kancerit, ish pacientë të shëruar dhe që veprojnë vullnetarisht, mjekë-onkologë, psikologë-psikoterapistë dhe të gjithë ata që duan të kontribuojnë në parandalimin, trajtimin dhe rehabilitimin e pacientëve me kancer. Qëllimi është të rritet ndërgjegjësimi i njerëzve për kontrollet e rregullta, diagnostikimin e hershëm të kancerit, trajtimin aktiv dhe rëndësinë e shëndetit mendor në trajtimin e sëmundjeve malinje.

Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtij grupi, të ndajnë përvojat e tyre apo kanë pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje në lidhje me kancerin e gjirit mund të bashkohen në këtë grup duke klikuar KËTU.

Çfarë rekomandojnë gratë që janë ballafaquar me këtë sëmundje?

Renata B. A. tha se gratë dhe vajzat e reja duhet të jenë të zonjat e vetvetes, ato vet mund ta parandalojnë sëmundjen, në rast se paraqitet tek ato, ato vet duhet të kontrollohen së pari, mos të presin të rëndohet më shumë. 

“Gjithmonë të prekin gjinjtë, të shohin çdo ndryshim që mund të ndodhë, qoftë kokërr, skuqje apo ënjtje, menjëherë të konsultohen me mjekun, nuk ka turp, më mirë të parandalohet sesa të krijohen pasoja të tjera të cilat ndonjëherë mund të na kushtojnë edhe jetë. U rekomandoj të bëjnë rregullisht mamografi ose eho, sepse vetëm në atë mënyrë mund të zbulohet saktë çfarë ka te gjiri brenda dhe vetëm me kontrolle të duhura mund të parandalohet kanceri. Nëse zbulohet në kohë, ajo mund të shërohet!”

Renata B.A

Mesazhi të cilin onkologia Neziri adresoi te të gjitha gratë është si vijon: “Të kujdesen gjithmonë për shëndetin e tyre, të bëjnë vetë kontrollin e gjirit që nga mosha e adoleshencës,  si vijon :që nga dita e 5 e menstruacioneve para pasqyrës me prekje radiale te indit te gjirit në drejtim të akrepave të orës me qëllim që ta njohin trupin e tyre, të bëjnë ultrasonin e gjirit një herë në vit çdo grua e re dhe mamografinë që nga mosha 40 vjeçare, e nëse kanë anamnezë pozitive familjare atëherë rekomandohet që në moshën 35 vjeçare. Të ushqehen shëndetshëm, të bëjnë aktivitet fizik të paktën dy herë në javë nga 20 minuta dhe të evitojnë stresin sa më shumë që të jetë e mundur.”

Sipas të dhënave të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen nga tre deri në katër gra me kancer të gjirit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostifikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare.

 

 

 

 

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia