Nazim-Rashidi.jpg

Marigona je dhe ti!

PASOJA

September 5th, 2021

Si djem dhe burra do marrim vlerë vetëm atëherë kur do të luftojmë për drejtësinë dhe barazinë e vajzave dhe grave. Të gjithë janë kontribuues ndaj dhunës, që nga poshtërimet e ulta e deri tek vdekja në Ferizaj, kur relativizohet dhuna, kur pranohen qëndrimet se gratë vlejnë më pak në formë direkte ose indirekte, kur heshtet ose kur sugjerohet se liria e tyre matet me ndershmëri, apo s’është e barabartë me të meshkujve! 

Ngjarja në Ferizaj, ku një 18 vjeçare u shua nga dhuna e një burri, s’ka lënë askënd të qetë. Rast i rëndë, në shumë dimensione. Por rasti, për fat të keq tejet tragjik, po ngre në vëmendje problemet e shoqërisë, që po ashtu janë shumë dimensionale. Fillimisht të bënin përshtypje komentet që shprehin keqardhje, por duke lënë hapësirë për interpretime, se mos ndoshta 18 vjeçarja, ka bërë diçka, sado të vockël, sado pa dashje, që ka çuar tek zhvillimet që ia morën jetën. Këto komente janë tejet të poshtra. Se hiqen sikur janë me viktimën e megjithatë lënë një “por”.

Por s’ka “por”. Dhuna s’ka justifikim. Nuk ka. Kaq e prerë duhet të jetë.

Pastaj vinin komentet se duhet dëgjuar të dyja palët. Këto edhe me të “guximshme” në argumentime. Sepse ngjarjet dhe zhvillimet kanë dy anë. Pa dyshim edhe nga aspekti profesional gazetaresk ashtu është. Madje edhe ligjor, sepse thuhet se asnjë nuk është fajtor deri sa nuk shpallet i tillë. Por kjo ngjarje kishte dy anë: Njëra, vajza 18 vjeçare që kishte vdekur dhe ana tjetër, dy persona që kishin lënë viktimën në spital dhe kishin ikur. Kishin ikur, a! Dmth, këto dyshuesit që kërkonin dy anë të ngjarjes nuk e kuptuan, ose as që u shkoi në mendje se njërën anë as që do ta dëgjojnë fare, se zëri i saj, ngjarja sipas saj, zhvillimet sipas saj, as që do të vijnë ndonjëherë tek publiku, sepse ajo s’është më.

Ku janë këtu dy anët? Këto komentues e argumentues janë sa të poshtër aq edhe të frikshëm, sepse janë gati të gjejnë justifikimin për marrjen e jetës. Por jo. Jo dhe jo. S’ka dhe s’mund të ketë justifikim për dhunën. Asnjë dhe në asnjë rrethanë.

Dhe sigurisht pastaj vinin edhe komentuesit moralizues që shkonin deri atje sa të fajësojnë vajzën, sepse ka bërë zgjidhje të gabuar, apo se ka qenë lakmitare e një stili të caktuar jete.

Këta janë edhe të pamençur edhe të poshtër në logjikë. As lakmia, as dashuria “e gabuar”, e as naiviteti i një vajze, as gënjeshtrat që mund t’i ketë marrë si të vërteta, as iluzionet, as premtimet e një mashtruesi, as seksi, as epshi, as erotika, as dashuria e sinqertë ndaj një princi të ëndërruar siç ka dashur ajo vetë, madje as dashuria ndaj një “gangsteri”, nuk e justifikon dot dhunën, e jo më marrjen e jetës.

Po ç’janë këta njerëz? Ç’jemi kështu të kapur në makthe realitetesh që prodhojnë kaq dhunë? Ngjarjet e tilla sigurisht që shkojnë më tej se vetë akti tragjik i momentit. Thelbi është qëndrimi jonë ndaj vajzave dhe grave.

Po, po ky është thelbi! Madje shkohet edhe më tej, tek edukimi, tek mungesa e edukimit të duhur. Tek momenti ynë se si i shohim vajzat, e dominante është ndjesia se ata s’janë njëlloj të barabarta si djemtë! Shoqëria jonë ende s’do të pranojë barazinë mes gjinive. Ende kemi refuzim të shohim një grua të jetë e para, ende në shtëpi trashëgimtar shihet djali, ende liria e vajzës shihet më e vogël, sepse duhet të jetë nën “kontrollin” e burrit. Ende prona nuk i jepet e barabartë, ndershmëria lidhet me vajzat dhe ende ka të tillë që thonë se gruaja e ka vendin nën hijen e burrit.