July 27th, 2024
Për vite me radhë në katin e nëntë të një pallati në Tiranë jetonte Mona (emër jo i vërtetë) bashkë me familjen e saj. Në po të njëjtin kat jetonte edhe një familje tjetër: një çift i ri bashkë me prindërit e djalit. Të dy familjet kishin raporte të mira mes vete.
Kur Mona ishte 11 vjeçe dhe po ngjitej me ashensor në banesën e saj, atë e shoqëronte plaku 67 vjeçar që ajo e thërriste "gjyshi". Ashensori tregonte që kishin mbërrirë në katin e tretë, kur Mona ndjeu një dorë në vithe, që më pas e tërhoqi dhe e puthi. Nga frika se çfarë mund të ndodhte deri në katin e nëntë, Mona heshti.
"Nuk e çuam rastin në polici, nuk e raportuam, ndonëse unë isha e gatshme ta bëja. Individë të caktuar na bindën që nëse raportonim rasti do të evidentohej, do të bëhej publik, dhe do të trajtohej si rast përdhunimi", tregon Mona për Albanian Women in the Audiovisual (AWA).
Një vit më vonë, Mona dhe familja e saj u shpërngulën nga pallati për të tjera arsye.
Hulumtimi kombëtar i vitit 2018 për dhunën ndaj grave në Shqipëri i realizuar nga INSTAT nxorri në pah që 82.9 përqind e rasteve të ngacmimeve seksuale ndodhin në hapësira publike, dhe 42.3 përqind në shkolla. Rezultatet tregojnë se gratë raportojnë që fqinjët (33.4 përqind) dhe shokët e klasës (32.6 përqind) janë ngacmuesit më të shpeshtë seksualë. I tillë është edhe rasti i Albës (emër jo i vërtetë), që sapo kishte filluar gjimnazin kur shoku i klasës i shprehu pëlqimin që kishte ndaj saj. Meqë ndjenjat nuk ishin të dyanshme, Alba e refuzoi. Por, për djemtë JO nuk domethënë gjithmonë JO. Ai vazhdoi ta ngacmonte dhe t'i afrohej.
Alba një ditë u detyrua t'u tregonte prindërve për problemin, sepse siç thotë ajo, u bë i tillë në momentin kur personi në fjalë filloi të xhelozonte dhe të bëhej i dhunshëm ndaj personave që ishin në kontakt me të.
"Kur ai ishte në klasë unë e kisha shumë të vështirë të shprehem, nuk mund të flisja, ndjehesha e kufizuar. Fakti që ndjehesha në presion, në shantazh, më ka bërë të largohem shumë shpesh nga orët e mësimit", tregon Alba për AWA.
Historitë e Monës dhe e Albës janë vetëm dy nga historitë që nisma e Organizatës së Grave Shqiptare në Audiovisual (AWA) po evidenton nëpërmjet podcastit "Unë Tregoj" që është pjesë e një fushatë më të gjerë me po të njëjtin emër.
"Më shumë sesa fushatë, ne e konsiderojmë këtë një lëvizje që synon jo vetëm të ndërgjegjësojë, por edhe të fuqizojë të mbijetuarat/it nga ngacmimi seksual që të tregojnë, reagojnë, flasin për historitë e tyre të ngacmimit seksual në mënyrë që të izolojnë keqbërësin dhe t’i bëjnë të ditur opinionit publik se në ngacmimin seksual, fajtori është vetëm dhunuesi", deklaron gazetarja Valbona Sulçe për "Mollëkuqja".
Historitë e dy vajzave dëshmojnë që fëmijët nuk janë të sigurtë në hapësirat publike dhe shpesh janë pikërisht këto vende ku fëmijët janë më të rrezikuar nga ngacmuesit seksualë dhe pedofilët.
Nismat për të evidentuar ngacmuesit seksualë dhe pedofilët janë nisma të shekullit në të cilin jetojmë. Vite më herët normat patriarkale i kanë bërë vajzat e djemtë të heshtin, sepse "vetëm një prekje" nuk është njohur si ngacmim. Gratë sidomos, kanë qenë dhe mbeten viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, njëjtë si fëmijët. Vetëm gjatë vitit 2023 në Maqedoninë e Veriut, për veprën penale “përdhunimi i një fëmije nën moshën 15 vjeç”, janë regjistruar 34 vepra penale për të cilat janë raportuar 34 autorë. Kujtojmë se Ministria e Drejtësisë uli dënimet për personat që abuzojnë seksualisht me fëmijë nën moshën 14 vjeç për 50 për qind, përkatësisht nëse më herët këta persona janë dënuar deri në 12 vite burg, tashmë dënohen me të paktën 8 vite burg.
Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) në vitin 2012 miratoi Ligjin e veçantë për regjistrimin e personave të dënuar për abuzim seksual të fëmijëve dhe pedofili. Bazuar në këtë ligj, u krijua portali online (regjistri) në të cilin u evidentuan të gjithë personat të cilët kishin kryer ndonjërën nga 11 veprat penale të listuara në ligj, e që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve. Regjistri ka karakter të hapur, publik, në të cilin kanë qasje të gjithë qytetarët e RMV-së brenda territorit të RMV-së.
Mollëkuqja ka raportuar për problemet teknike që ky regjistër ka kohë pas kohe.
"Që nga krijimi në vitin 2012 e deri më sot, Regjistri i Posaçëm i personave të dënuar me vendim të formës së prerë për krimet e abuzimit seksual të të miturve dhe pedofilisë ka funksionuar vazhdimisht, me ndërprerje të shkurtra të natyrës teknike ose me qëllim përmirësimin dhe ripërtëritjen e informatave", thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS). Megjithatë, regjistri ndonjëherë nuk është aktiv për ditë të tëra. As emaili i vendosur në regjistër nuk ekziston. "Ka problem teknik të cilin po punojmë ta zgjidhim", thonë sërish nga MPPS.
Kujtojmë se me riorganizimin e ministrive në Maqedoninë e Veriut, MPPS në kompetencat e të cilës është regjistri, është riemëruar me emrin e ri: Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Duhet të kujtojmë se, deklaron profesoresha universitare e së drejtës penale, Vedije Ratkoceri, nga të gjitha masat që i ndërmorri RMV për luftimin dhe parandalimin e abuzimit seksual të fëmijëve dhe pedofilisë në atë kohë, ka ngelur vetëm Regjistri. Dënimet që u ashpërsuan për këto vepra penale fatkeqësisht u zbutën përsëri me ndryshimet e vitit 2023 ndërkaq tretmani mjekësor-farmakologjik (kastrimi kimik) për abuzuesit seksual të fëmijëve nuk gjeti zbatim asnjëherë në praktikë pavarësisht se qëndroi me vite në legjislacion dhe si rrjedhojë së fundmi edhe u hoq nga legjislacioni.
Regjistri sot numëron 331 persona, nga të cilët 13 gra dhe 318 burra. Prej tyre 184 persona janë liruar dhe kjo është evidentuar në regjistër në rubrikën e statusit, me qëllim parandalimin dhe mbrojtjen e popullatës dhe të fëmijëve, ndërsa pjesa tjetër janë në vuajtje të dënimit me burg. Regjistri për momentin funksionon vetëm në gjuhën maqedonase.
"Lidhur me disponueshmërinë e regjistrit në gjuhën shqipe dhe/ose gjuhë të tjera, ju njoftojmë se Ministria do të veprojë sipas dispozitave ligjore dhe do të ndërmarrë veprime dhe aktivitete në kohën më të shkurtër të mundshme për respektimin e ligjeve", njoftojnë nga MPPS.
Maqedonia e Veriut ka qenë vendi i parë në Ballkan me një regjistër për evidentimin e pedofilëve, deri në vitin 2022 kur edhe Shqipëria miratoi një ligj që lejonte regjistrimin e abuzuesve seksual dhe pedofilëve në një regjistër elektronik.
Regjistri do të funksionojë si një databazë e të dhënave të personave që janë rezidentë në Shqipëri dhe që janë dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e gjykatave vendase apo edhe në vende të tjera, për vepra penale seksuale ndaj fëmijëve. Ndonëse e filluar si iniciativë në vitin 2022, Regjistri për momentin është pjesërisht funksional, njoftojnë nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (QDFSh).
"Ne kemi evidentuar një ngadalësi të procesit të ndërtimit të regjistrit me të dhënat bazë kryesore, për shkak se institucionet publike në Shqipëri nuk kanë eksperiencë të punës së përbashkët dhe të koordinuar me njëri-tjetrin. Është një mangësi që e kemi vërejtur shpesh dhe jo vetëm në rastet që kanë të bëjnë me fëmijët", deklaron Altin Hazizaj nga QDFSh për "Mollëkuqja".
Për momentin personat fizik, shtetas të Shqipërisë, mund të kontrollojnë me të dhënat e tyre personale nëse emri i tyre figuron në regjistër dhe të marrin një vërtetim në rast se ju nevojitet. Gjithsesi, ligji nuk ja njeh të drejtën një individi tjetër që të kërkojë informacion në regjistër për një tjetër person fizik. Ndërkohë që çdo institucion, organizatë apo biznes në parim, sipas ligjit, duhet të ketë akses në Regjistër për të dhënat e personave që ka deklaruar si të punësuar. Pra, me këtë rast, institucionet si shkolla, OJQ-të, bizneset private do të mund t'i drejtohen Regjistrit me një kërkesë për të marrë informatën se një person a është i regjistruar ose jo.
"Me këtë qasje të kufizuar në Shqipëri, fatkeqësisht, u pamundësohet prindërve, kujdestarëve apo edhe personave të tjerë, të cilët mund të kenë dyshime të caktuara lidhur me një person të rritur me të cilin ka kontakt fëmiju (arsimtari, trajneri, komshiu, postieri) që të bëjnë verifikimin se ky person mos vallë ka qenë i dënuar për vepër penale të kësaj natyre më herët dhe me këtë potencialisht të parandalojnë abuzimin seksual të fëmijës"
Vedije Ratkoceri
Kur do të jetë regjistri plotësisht funskional? Nga QDFSh thonë se kanë kërkuar një Seancë të Hapur Dëgjimore që institucionet t'i informojnë sa më shpejtë për aspektet teknike, si dhe datën finale se kur regjistri do të jetë tërësisht funksional.
"Nevojitet një koordinim më i mirë i aktorëve shtetërorë dhe atyre civilë për ta luftuar fenomenin në gjenezë dhe për të ofruar mjedise të lira nga ngacmimi dhe dhuna", thotë Valbona Sulçe nga AWA.
Nismat feministe kanë pasur sukses në ngritjen e vetëdijes së grave mbi autonominë e trupit të tyre, duke i bërë të raportojnë por edhe të vetëdijësojnë institucionet që ngacmimet seksuale duhet të jenë të dënueshme. Nëse më herët për t'u mbrojtur nga ngacmuesit seksual fëmijët këshilloheshin të ndiqnin rregullat e zakonshme kur dilnin nga shtëpia, sot ngacmuesit e kanë gjetur çelësin për të hyrë edhe brenda në shtëpi: interneti dhe rrjetet sociale. Gratë dhe fëmijët ngelin viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale edhe në rrjete sociale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës së Brendshme të RMV-së, në vitin 2023 janë paraqitur rastet si në vijim:
Për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e pornografisë me fëmijë” janë regjistruar 11 vepra, për të cilat janë raportuar shtatë autorë.
Për veprën penale “Tregimi i materialit pornografik fëmijës” janë regjistruar 6 vepra, për të cilat janë kallëzuar gjashtë autorë.
Për veprën penale "Joshje dhe kryerje e marrëdhënieve seksuale me fëmijë ose akt tjetër seksual nën moshën 14 vjeçare”, është regjistruar një vepër penale, për të cilën është raportuar një autor.
Vetëm pak muaj më parë në Kosovë u arrestuan disa persona që kishin krijuar grupin "AlbKings" në Telegram, nga ku shpërndaheshin fotografi ekspilicite dhe informata personale të grave.
Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut rasti i "Dhomës Publike", shumë i ngjajshëm me rastin e Kosovës, detyroi shtetin të krijojë ligje të reja për mbrojtje nga ngacmimet në rrjete sociale, ku u inkorporuan vepra të reja penale si përndjekja apo edhe ngacmimi seksual e që është paraparë se mund të ndodh edhe përmes internetit.
"Bazuar nga praktika e deritanishme, ku shpeshherë kemi inkorporuar masa apo kemi paraparë vepra penale apo ndryshime ligjore sa për të thënë se kemi rregulluar një çështje apo se kemi harmonizuar legjislacionin nacional me atë ndërkombëtar e ndërkaq kemi pasur probleme serioze me zbatimin e tyre në praktikë na lë për të dyshuar se sa vërtetë RMV dhe institucionet përkatëse kanë mekanizmat dhe vullnetin e nevojshëm për të vepruar në rastet e denoncimeve për veprat e këtilla penale dhe ofrimin e mbrojtjes së nevojshme për viktimat", thotë Ratkoceri.
Nga ana tjetër, sipas një raporti të publikuar në vitin 2023 nga platforma iSIGURT.al, Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, një shërbim kombëtar i ngritur nga CRCA/ECPAT Shqipëri në vitin 2015, mangësitë në legjislacionin penal në Shqipëri shkaktojnë çoroditje tek institucionet ligj-zbatuese. Sipas tyre, mungesa e parashikimeve dhe rregullimeve ligjore në Kodin Penal e bën tepër të vështirë mbrojtjen online të fëmijëve sidomos nga disa veprime ende të parregulluara si: sexting, grooming, imazhet e vetë-gjeneruara nga fëmijët online, e drejta për t’u harruar, ngacmimi seksual online, bulizmi e të tjera.
Të dhënat e raportit tregojnë që gjatë vitit 2022 në Platformën kombëtare iSIGURT.al janë regjistruar 150 raportime nga fëmijë e të rritur. Faqja është vizituar nga 31679 vizitorë, thuajse gjysma e tyre fëmijë nën moshën 18 vjeç.
"Nëse institucionet kompetente nuk do të tregojnë seriozitet, gatishmëri dhe profesionalizëm në trajtimin e denocimeve të këtyre veprave penale, fatkeqësisht kjo do të shpie deri te dekurajimi i viktimave për të denoncuar dhe rrjedhimisht edhe deri te mos ofrimi i mbrojtjes adekuate për to", thekson Ratkoceri për "Mollëkuqja".
Rita Behadini është moderatore, gazetare dhe aktiviste e të drejtave të grave. Ajo ka kryer studimet për "Biznes dhe Ekonomi" në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë studimeve Rita themeloi klubin studentor feminist, nga ku dhe lindi pasioni i saj për të avokuar për të drejtat e grave. Gjatë po asaj kohe ajo u punësua si gazetare në Portalb, për të vazhduar më pas për katër vite karrierën e saj në televizionin Alsat të Maqedonisë. Puna e saj si gazetare është e orientuar në të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Aktivizmin e saj Rita e vazhdoi duke themeluar Qendrën për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja", ku aktualisht ushtron detyrën e presidentes.
TË NDRYSHME
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia