Untitled-design-28.png

La Loba shqiptare: Fahrije Hoti dhe “Zgjoi” i Blerta Bashollit

DORA VETË

March 10th, 2022

*SPOILER!

Clarissa Pinkola Estes në librin e saj “Women Who Run With The Wolves”, në të cilin gjenden një përmbledhje mitesh dhe legjendash që ka dëgjuar ajo që nga vogëlia, ngjason ujkun e egër me gruan. Ajo citon se storiet janë ilaç dhe kështu vijon me tregimin e stories së La Lobës spanjolle. La Loba, në gjuhën spanjolle do të thotë ulkonjë. Sipas legjendës, La Loba është gruaja që mbledh eshtrat e ujqërve dhe formon kështu një skelet të cilit më pas i këndon. Ky ritual këngësh mundëson formësimin e skeletit, formësim ky i cili, sa më të bukur dhe të zëshme të dëgjojë  këngën, kthehet në një grua që qesh duke vrapuar drejtë horizontit, pra në mënyrë metaforike drejtë lirisë.  Legjenda e La Lobës në kohën e pasluftës së Kosovës merr frymë në trupin e grave shqipëtare, sidomos asaj të Krushës së Madhe, Fahrije Hoti.

Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit, i cili nisi rrugëtimin e tij me premierë në festivalin “Sundance” dhe arriti të futet në listën e ngushtë të filmave garues për Oscar rrëfen një histori të vërtetë, atë të Fahrije Hotit. E interpretuar nga Yllka Gashi, Fahrije Hoti është nënë e dy fëmijëve, e shoqja e një burri të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999, nuse e një vjehrri që nuk mund të ecë dhe mbi të gjitha nismëtare e një sipërmarrjeje që prodhon mjaltë dhe ajvar sëbashku me gratë e tjerat të fshatit. Duke marrë parasysh se shumica e filmave kosovar kanë tematikë lufte (gjë që është tërësisht e arsyeshme dhe e kuptueshme) para se të nisja të shikoja filmin kisha frikë se mos do të përballesha me një klishe: por Fahrija, historia e saj dhe mënyra e të shprehurit dramatik të stories është shumë në vend dhe e qëlluar.

Fahrije Hoti, e pa zë dhe e ngurtë në mimikë është luftëtarja më e fortë dhe triumfuesja më e fshehur e asaj kohe. Ajo, afër lumit dhe tek bletët ndjehet e pafuqishme dhe kërkon bashkëluftëtarin e saj, të shoqin për t’ia ledhatuar shpinën e për t’i thënë se çdo gjë do të bëhej mirë. Ajo, karshi burrave të fshatit ishte e fuqishme, e pamëshirshme dhe guximtare. Njëashtu,  në skenën ku Bahriu kërkon të pijë një kafe me të duke e evoluar në përmasa më tragjike këtë kërkesë, Fahrija është e përmbajtshme por jo e heshtur. Ajo, kritikohet, turpërohet dhe përçmohet nga gjithkush duke përfshirë këtu të bijën dhe gratë e fshatit. Në luftë me to personazhi kryesor nuk humb ngjyrën e një gruaje shqiptare që del kundër, por që jeton në atë kohë dhe me atë rrethinë. Ky është vyrtyti më i bukur që ka bërë që filmi të ketë përveç një tregim ndryshe, një sukses që vjen posaqërisht nga vërtetshmëria që tregohet në të.

Fahrija, një AJO që nuk ndalet me gojën e hallkut, thënë në gjuhën e popullit, që shet gjënë më të çmuar të së shoqit për të mbijetuar, Fahrija- një trimëreshë. Vijat e kësaj fytyre të shenjtë duken të pamposhtura deri në momentet thyese: si në skenën ku lahet dhe në atë kur sheh rrobat e të shoqit. Aty, regjisorja dhe skenaristja e filmit, një tjetër grua La Loba, Blerta Basholli nuk heziton të tregojë brishtësinë dhe pafajësinë që koha dhe jeta ia kishin cënuar Fahrijës.

Filmi, sëbashku me kritikat për patriarkalin, nuk rresht së kritikuari dhe/ose treguar ndihmesën që ju është bërë grave që e kanë burrin e zhdukur në luftë. Në anën tjetër aktorët si Yllka Kuçi, Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi e shumë të tjerë, stories së frytshme i kanë shtuar vetëm se ngjyrë. Në një film mes yjesh, përdorimi i kamerës ka marrë formën e syrit të Fahrijes për ne kurse përdorimi i vetëm një muzike në fund, si vallja e Rugovës, të cilën e vallëzojnë të gjithë gratë bashkë pasi kanë marrë fitimet nga puna me ajvar, e cilësoj si shenjë e bashkimit të dhimbjes dhe lumturisë të të gjithë këtyre të fundit që sa i ngjajnë njëra-tjetrës aq edhe janë unike.

Fahrije Hoti nuk e ndali këngën, ajo dhe të gjithë gratë e Krushës kënduan fuqishëm derisa të gjitha sëbashku vrapuan drejt horizontit, thënë në mënyrë metoforike drejtë lirisë, si nga një wild woman (grua e egër).

SHKRIMI ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.

Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi. 

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia