September 21st, 2024
Sekretariati për Barazi Gjinore nuk arriti të formohet nga Qeveria paraprake e Maqedonisë së Veriut edhe pse u premtua. Puna mbi projekt-ligjin për barazi gjinore në të cilin parashihet ky sekretariat ka ndaluar ndërsa grupi i punës nuk ka mbajtur takime që një vjet. As pushteti aktual nuk jep sinjale pozitive për themelimin e këtij sekretariati.
Ndonëse partitë vazhdimisht zotohen për barazi gjinore dhe luftimin e hendeqeve gjinore, në RMV ende nuk është themeluar Sekretariati për Barazi Gjinore i cili pritet të ecë përpara këto procese.
Baza juridike për themelimin e këtij sekretariati është në ligjin për barazi gjinore i cili ngjalli debat të madh në vend.
Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (MPSDR) përmendën se për shkak të paqartësive dhe kryesisht për shkak të kundërshtimeve nga Kisha, u zhvilluan 16 debate publike për të mbledhur mendime.
“Pas këtyre zhvillimeve, që nga shtatori 2023, puna mbi projektligjin ka ndaluar dhe grupi punues nuk ka mbajtur më takime”, thanë nga MPSDR.
Nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” kemi theksuar se themelimi i Sekretariatit për Barazi Gjinore është urgjencë kombëtare.
“Për çdo ditë jemi dëshmitarë të pabarazive gjinore në vend. Një institucion i tillë është i nevojshëm për të ecur përpara këto procese në mënyrë efektive. Partitë duhet të unifikohen dhe të themelojnë të njëjtin sa më parë, sepse premtojnë shumë, ndërsa në praktikë çalojnë”, Mollëkuqja.
Nga ana tjetër, Qeveria e pyetur nëse do themelojnë këtë Sekretariat nuk na u përgjigjën konkretisht në pyetjen tonë, por na dërguan një përgjigje në të cilën tregonin se sa e rëndësishme është barazia gjinore për qeverinë.
Nga Kuvendi i RMV-së theksuan se ky ligj nuk është dorëzuar në Kuvend.
Sekretariati për Barazi Gjinore nuk është pjesë e programit të partisë udhëheqëse të koalicionit qeveritar të udhëhequr nga VMRO–DPMNE. Të pyetur nëse ky Sekretariat do të formohet, nga VMRO-DPMNE nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske.
Nuk përgjigjen as nga LSDM-ja të cilët këtë Sekretariat e premtuan edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Sipas projekt-ligjit të ri për barazi gjinore, Sekretariati për Barazi gjinore do të ngarkohej me këto detyra: Koordinimi horizontal i subjekteve dhe mekanizmave gjinore për zbatimin e ligjit; ndjekja e harmonizimit të politikave dhe dhënia e mendimeve të ekspertëve, propozime dhe udhëzime për harmonizimin e politikave të qeverisë; Dhënia e mbështetjes eksperte; dorëzimi në qeveri dhe ministri i nismave dhe propozimeve për ndryshim dhe plotësim të ligjeve në kuptimin barazisë gjinore dhe politikave që duhet të harmonizohen me ligjin; bashkëpunimi me shoqata, fondacione dhe grupe joformale për barazi gjinore dhe partnerë social; formimi i Këshillit për barazi gjinore si trup këshillëdhënës për vendosjen e bashkëpunimit dhe mbledhje mendimesh dhe propozimesh për avancimin e politikave të barazisë gjinore; përpilimi dhe publikimi i analizave, hulumtimeve, informacioneve, raporteve dhe dokumenteve të tjera që lidhen me barazinë gjinor.
Ndryshe, Sekretariati për Barazi Gjinore është në grupin e mekanizmave që ka marrë përsipër të zbatojë shteti si pjesë e strategjisë për zbatimin e Konventës së Stambollit.
Burimi: Portalb.mk
Fisnik Xhelili është zëvendëskryeredaktor në "Portalb.mk". Ai ka diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar, ndërsa aktualisht vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".
TË NDRYSHME
Mbi 3 mijë fëmijë lypës në Maqedoni, vajzat përdoren edhe për ofrim të shërbi...
Era Gjakova
11/03/2024
Në Gostivar sot filloi shpërndarja e 100 kuponëve për mamografi dhe kontroll ...
Ardit Ramadani
23/01/2024
Në RMV më shumë gra me depresion, ndër shkaqet kryesore pozita e tyre në shoqëri
Fatlume Dervishi
11/05/2023
Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia