brown-floral-women-bookmark-(1).png

"Gratë s'janë për timon", statistikat e përgenjështrojnë këtë stereotip, burrat më të rrezikshëm në trafik

N'THELB

May 31st, 2023

Nëse një veturë ecën ngadalë në rrugë apo bën ndonjë gabim në komunikacion, reagimi më i shpeshtë që dëgjohet është se “me siguri është grua shoferi, nuk di të vozisë”. Këto raste në shoqëri kanë krijuar në masë të madhe stereotipin se gratë dhe vajzat nuk dinë të vozisin dhe se janë shofere të dobëta.

“Edhe pse tani e disa vite kam patentën e shoferit, kur vozis prapa kur kam familjarë përreth mundohen të më tregojnë kinse se unë nuk shoh “vozit kështu, vozit ashtu”. Edhe kur jam në veturë me persona të tjerë, kur shohin ndonjë veturë e cila ecën ngadalë thonë tejkaloje tejkaloje se vajzë është nuk di të vozis”, tha Xhejda A, duke sjpeguar për Mollëkuqja sfidat me të cilat përballet si shofere vajzë.

Ajo tash pesë vite e ka patentën e shoferit, por thotë se gjithnjë ka pasur paragjykime kur është në timon vetëm për shkak se është vajzë dhe se “nuk di të vozis” aq mirë sa djali i axhës së saj i cili është shumë më i vogël se ajo madje nuk ka as patentë shoferi.

Por në të vërtetë.. a dinë gratë të vozisin?

Për këto paragjykime janë të vetëdijshëm edhe auto shkollat të cilat bëjnë trajnimin e shoferëve dhe shofereve të reja. Por realiteti sipas auto shkollës “Golf-D” është diçka tjetër, ata thonë se sot ka vajza që vozisin shumë më mirë se djemtë, “e mos të bisedojmë për sjelljen dhe edukatën që kanë vajzat në komunikacion”.

Sipas statistikave më të reja vajzat aksidentohen shumë më pak se meshkujt ndërsa për sa i përket mësimit teorik vajzat janë më të rregullta në ligjërata dhe më të suksesshme në dhënien e provimit të testit

thanë nga autoshkolla “Golf-D”

Ata shtuan se zakonisht vajzat kërkojnë të vozisin me instruktore gra sepse ndjehen më të lira gjatë vozitjes, por jo gjithmonë.

Më të kujdesshëm në vozitje janë vajzat por nuk ngelin shumë pas edhe djemtë”, thanë nga auto shkolla "Golf-D".

Statistikat zyrtare përgenjështrojnë stereotipet se gratë përbëjnë rrezik për komunikacionin

Se gratë janë shofere më të kujdesshme e thotë edhe publikimi i Entit Shtetëror të Statistikës (EShS) i Republikës së Maqedonisë së Veriut (2023) “Gratë dhe burrat në Maqedoninë e Veriut”.

Gratë janë shofere më të kujdesshme dhe rrezikojnë sigurinë e trafikut rrugor dukshëm më pak se burrat, përkatësisht 7% e grave kundrejt 93% e burrave që ishin dënuar për kryerjen e kësaj vepre penale në vitin 2021

thuhet në publikimin e EShS-së.

Megjithatë, numri i vajzave/grave që janë të pajisura me patentë shoferi të vlefshme në Maqedoninë e Veriut sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme është thuaj se sa gjysma e numrit të burrave/djemve të pajisur me të njëjtat.

Sipas të dhënave ekzistuese, patentë shoferi të vlefshme) kanë aktualisht 1.190.479 persona, nga të cilët 791.709 janë djem/burra dhe 398.770 vajza/gra”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së.

Ndërkaq shumë më i vogël është numri i automjeteve të regjistruara në pronësi të grave.

Sipas numrit të automjeteve të regjistruara në RMV, nga gjithsej 634.461 automjete, 447.229 automjete janë regjistruar në emër të djemve/burrave, dhe 91.688 automjete janë regjistruar në emër të vajzave/grave. Në të njëjtën kohë, vërejmë se pjesa e mbetur e automjeteve të regjistruara janë të regjistruara në emër të personave juridikë

sqaruan nga MPB.

Ndryshe edhe një publikim në prestigjiozen New York Times thekson se sipas një studimi, në timon gratë janë shofere më të sigurta se burrat. Aty sqarohet se krahasuar me gratë, shoferët burra të makinave dhe furgonave janë përfshirë në dy herë më shumë aksidente me fatalitet.

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia