DSC07616.jpg

Fushata “SEEN”: Gratë dhe vajzat t’i raportojnë ngacmimet në rrjete sociale

CEO

September 14th, 2021

Të shtunën më datë 11 shtator, Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” realizoi në Gostivar punëtorinë “Ngacmimet në rrjete sociale”, aktivitet ky që është pjesë e fushatës “SEEN”.

Gjuha e urrejtjes, ngacmimet, ofendimet dhe kërcënimet në internet janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumë vajzave që përdorin rrjete sociale. Sipas hulumtimit të realizuar nga “Mollëkuqja”, 65.8% e vajzave të anketuara kanë marrë mesazhe nga djem ose burra që përmbajnë forma të ndryshme të ngacmimit seksual, gjuhë të urrejtjes, kërcënime dhe ofendime. 32.2% e tyre nuk kanë marrë përmbajtje të tilla në rrjetet sociale, ndërsa 1.9% preferojnë mos ta thonë.

Duke pasur parasysh këto të dhëna, në punëtorinë e organizuar u diskutuan: përkrahja psikologjike e viktimave që pranojnë mesazhe që përmbajnë ngacmime, gjuhë të urrejtjes, kërcënime ose ofendime; përkrahja juridike dhe forma se si kjo rregullohet me ligjet pozitive në vend; dhe procedura e denoncimit të rasteve të tilla deri në ndërmarrjen e masave nga autoritetet kompetente.

Si qëndron situata me ngacmimet në rrjete sociale në RMV?

Rast eklatant i shqetësimeve seksuale në rrjetet sociale në shoqërinë tonë është rasti me grupin në platformën Telegram, “Dhoma publike”. Në këtë grup me 6 mijë e 500 anëtarë, u shpërndanë më shumë se 10 mijë fotografi dhe video me përmbajtje eksplicite të vajzave të mitura dhe grave. Ndonëse u mbyll njëherë nga autoritetet, një grup i tillë u rishfaq përsëri në janar të këtij viti. 

Sipas hulumtimit të “Mollëkuqja”, ndonëse 65.8% e vajzave të anketuara pranojnë mesazhe ngacmuese në rrjete sociale, 42.7% i injorojnë të njëjtat, duke i lënë kështu të pa raportuara.

Nermine Izairi, inspektore e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thekson se ngacmimet e natyrës seksuale në përgjithësi, si ato virtuale po edhe ato të jetës reale janë prezente dhe bëhet fjalë për vepra penale shumë të rënda, ku informohet prokurori publik edhe merren masat e nevojshme. 

“Merren më seriozisht se ndoshta edhe krimet e mallit. Policia patjetër e ka ta dorëzojë lëndën në prokurori pavarësisht, varet vetëm sa ka dëshmi. Kur kemi dëshmi të mëdha shkojmë me vepër penale, direkt kundër personit që ka kryer veprën. Kur kemi më pak dëshmi ose elemente atëherë shkojmë me njoftim deri te prokuroria, po dalje patjetër”,

Nermine Izairi

Kodi penal në Maqedoninë e Veriut nuk e njeh ngacmimin në rrjetet sociale si vepër specifike penale. Sipas ekspertes për çështje juridike, Arta Selmani, ngacmimi seksual nëpërmjet internetit parashihet në Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje, i cili nënkupton se ngacmim seksual nëpërmjet internetit llogaritet “çdo veprim verbal, joverbal ose çdo veprim tjetër i natyrës seksuale, që ka për qëllim ose pasojë, cënimin e dinjitetit ose krijimin e një mjedisi, qasjeje ose praktike kërcënuese, armiqësore, poshtëruese ose frikësuese komunikim.

Çfarë pasojash psikologjike shkaktojnë ngacmimet seksuale te viktimat?

Shumë prej vajzave të anketuara janë shprehur se nuk kanë pasur pasoja pas ngacmimeve në rrjetet sociale. Numri i tyre është 43.7%. Disa prej tyre e kanë manifestuar periudhën pas ngacmimeve me frikë (16.8), ankth (14.9), mbyllje të vetvete (11.06%) dhe depresion (6.2%). 

Sipas psikologes Valdete Adili ngacmimet seksuale qofshin ato të botës virtuale apo të asaj reale bartin pasoja psikologjike mjaft të rënda te viktimat, ku një ndër pasojat më të mëdha është presioni dhe mentaliteti shoqëror që ushtrohet ndaj viktimave duke vënë fajin mbi ta.

“Pasojat e ngacmimeve seksuale mund të paraqiten në mënyra të ndryshme edhe atë: kujtime intruzive (kujtime të padëshiruara, ëndërra shqetësuese, ankthe lidhur me ngjarjen, reagime fizike për diçka që përkujton ngjarjen), shmangie e gjithçkaje që përkujton ngjarjen, ndryshime negative (mendime negative për veten dhe të ardhmen, të qenurit i pashpresë, probleme me memorjen), zvogëlim e vetëbesimit, imazh negativ për veten dhe të tjera. Viktimat e dhunës seksuale shumë shpejtë bien pre e fajit dhe ngacmuesit manipulojnë me këtë, pasi viktima ka tepër ndjesi faji dhe kjo e ndal të shkojë të raportojë”

Valdete Adili

Ndryshe, Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”, në kuadër të fushatës “SEEN” do të vazhdojë të organizojë aktivitete për ngritjen e vetëdijes dhe informimin e vajzave dhe grave. Kjo fushatë ka për qëllim fuqizimin e grave për t’i raportuar mesazhet që të njëjtat pranojnë online, e që janë ngacmuese, ofenduese, kërcënuese apo përmbajnë gjuhë të urrejtjes. 

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili

Fisnik Xhelili është i diplomuar në degën e Komunikimit Ndërkombëtar. Aktualisht punon si gazetar dhe moderator në portalin "Portalb.mk". Njëkohësisht ai vijon studimet e masterit në degën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë. Fisniku është bashkëthemelues i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja".

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia