kiber-terror-1-scene-8.jpg

Fuqia është larg vetëm një hap

SEEN

September 24th, 2021

Shekulli XX së bashku me zhvillimin industrial dhe ekonomik solli kompjuterin dhe internetin në jetët tona. Këto të fundit bënë që jeta e njeriut të rrotullohet mes numrit 0 dhe 1. Edhe pse në fillim patën një rol shumë më primitiv, me kohë u kthyen në patjetërsueshmëri e jetës tonë. Nëpërmjet kompjuterit dhe internetit, njeriu padyshim se u njoftua me botën që nuk e ka parë dhe nuk e ka dëgjuar. Por, si Jin Jangu, ky zbulim do të sillte edhe dëme të mëdha në jetën e njeriut. Magjia e të njoftuarit me botën e jashtme ia theu kufijtë njeriut. Ai u ndje i pa prekshëm dhe i fuqishëm për të paragjykuar, gjykuar dhe ofenduar çfardoqoftë objekti ose organizmi që ka përballë.

Filmi Cyberbully i regjisorit Ben Chanan, ashtu si edhe vet titulli reflekton mbi bullizuesin duke e bullizuar.  Ashtu si edhe fjalët kryesore të filmit, karakteri kryesor i filmit, dhe i vetmi vizual, Casey (Maise Williams), ndjehet "Vetë. E frikësuar. Online.".  Skena hyrëse e filmit paraqet Caseyn në dhomë duke folur me shoqen e saj të ngushtë me web camera. E rëndësishme është të theksohet se kjo dhe përcjellja e filmit me vetëm një lokacion ( madje vetëm këndin e komjuterit në dhomë), duket si një metaforë cilësore rreth asaj se sa njerëzit janë bërë të varur dhe të vetmuar me ardhjen e internetit. Filmi është i ndarë në disa pjesë duke treguar bullizimin që i bëhet Caseyt, hakmarrjen e saj, por edhe atë që ajo është vetë një bullizuese. Në fund, nëpërmjet besimit që merr nga shoqëria, merr edhe shpresë për të jetuar.

Filmi një ashtu përcjell frikën dhe vetminë e Caseyit, me kuadrot si ato nga lartë, dhe me shumë afër. Edhe pse ka vetëm një aktor në film, nëpërmjet tre të tjerëve që vetëm u dëgjohet zëri, evitohet mërzitja e shikuesit gjatë filmit. Duhet treguar se përzgjedhja e muzikës dhe përdorimi i shpeshtë i saj, ndoshta për të ndihmuar shikuesit në arritjen e nivelit të ndjenjës së Caseyit më shpejtë, është i tepërt dhe shumë raste edhe pa vend.

Cyberbully, ashtu siç edhe titulli i tij, trajton temën e ngacmimeve online duke iu dhënë, sidomos adoleshentëve, një horizont më të gjërë rreth asaj se diçka që ty mund të të duket qesharake, për dikë mund të sjell deri në përfundimin e jetës. Po ashtu filmi arrinë të triumfoj në fund duke iu dhënë kurajo secilit që është ose ka qenë i ngacmuar, se jeta vazhdon dhe ka njerëz që gjithmonë do i besojnë ata. Duhet vlerësuar plani i fundit i filmit ku Casey e mbyll llaptopin, një protestë që tregon se njeriu është më i fortë se gjithçka tjetër, madje se edhe vetë njeriu (njerëzit tjerë) që e ka përballë. Filmi mbet i vakët në atë se nuk është inkurajues në aspektin e  raportimit të rastit por lë hapsirë për të kuptuar se kjo e fundit do të ndodh sapo Casey të dal nga dhoma e saj.

Ngacmimi online më së shumti ndodh në moshën e adoleshencës por jo vetëm. Si fillim, secili person individualisht, më pas edhe në shoqëri duhet edukuar për të pasur respekt ndaj mendimeve dhe veprimeve të tjetrit. Jo të gjithë shohim nga prespektiva e njëjtë, prandaj edhe bota është e larmishme. Ky është mesazhi që përcjell filmi pa anashkaluar forcën e secilit për t’i thënë jo ngacmimit dhe për mos t’u ndjerë i pa fuqishëm ndaj këtij të fundit. 

Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për Mollekuqja.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Mollekuqja.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi.