Untitled-design-(4)-1649956285.png

Dilema e Tinder Swindler, dashuri, miqësi apo mashtrim i radhës?

SEEN

April 14th, 2022

Dilema mes rrëshqitjes djathtas apo majtas (The Dilemma of Swiping Right or Left)

*SPOILER

Çdo veprim ka një reagim!

Në një faqe në internet sipas një studimi të bërë është theksuar se shkarkimi i aplikacioneve për takim (dating app) ka arritur kulmin në fillim dhe gjatë pandemisë. Në një tjetër faqe të internetit është veçuar se aplikacionet më të përdoruara për takim janë Tinder dhe Bumble, ashtu që Tinder përdoret më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurse Bumble në shtetet europiane dhe aziatike. Më pas thuhet se  Bumble është aplikacion i cili në bazë të preferencave mundëson martesa kurse Tinder, ashtu si kuptimi i emrit që mban,  material i ndezshëm, është aplikacion që mundëson më së shumti por jo vetëm-lidhje më të shkurtëra ose një natëshe. Njëashtu sipas një statistike të bërë në prill të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Tinder përdoret më shumë (me 19%)  nga grupmosha 30-44 vjeçe shumica e të cilëve janë të divorcuar, single ose të ve, duke u pasuar me 15% nga grupmosha 18-29 vjeçe . Kështu duke kaluar nga një faqe në tjetrën, interneti ofron një gamë të gjerë hulumtimi, por a ekziston mundësia që të gjithë të jemi mashtruar nga ai ndonjëherë?!

The Tinder Swindler

Kjo është çështja që trajtohet në dokumentarin “The Tinder Swindler”(Mashtruesi i Tinder-it), prodhim i vitit 2022 i Netflix. Me regjisor Felicity Morris, kinematografi të Edgar Dubrovsky dhe montazh të Julian Hart, ky produksion i Britanisë së Madhe shtjellon dashurinë dhe miqësinë moderne. Ky dokumentar tregon mashtrimin që djaloshi izrailian i cili prezantohet me emrin Simon Leviev, si djali i Lev Levier dhe CEO i kompanisë LLD Diamonds, ua bënë protagonisteve të dokumentarit Cecilie Fjellhoy dhe Pernilla Sjöholm. Më saktësisht mashtrim fillon në Tinder, vazhdon me një takim të parë në një hotel super luksoz, me vizita të papritura jashtështeti dhe gjeste romantike që theksojnë se Simoni, s’mund të ishte gjë tjetër veçse një dëshirë e plotësuar nga Aladini. Duke krijuar një lidhje romantike me Cecilian dhe një miqësore me Pernillan, ai me po të njejtat foto por në kohëra të ndryshme arrin t’ua mbush mendjen të dyjave se është në rrezik dhe kërkon ndihmë financiare nga to. Të dyjat por sigurt jo vetëm këto, të sigurta që do ua kthenë të hollat pikërisht përshkak të bujarisë që ai kishte trguar më herët marrin kredi për Simonin. Simoni ua kthenë të hollat, por asnjëherë prej së vërteti. Një mashtrues duhet t’a bëjë punën e tij mirë, e pikërisht kështu vepronte ai. Ai në fillim me lëvizjet, gjestet, rrobat që veshte e ushqimet që hante i bënte gratë të besonin që ishte multimiliarder. Për të eliminuar kapjen e këtij mashtrimi, udhëtonte vazhdimisht nëpër botë dhe kështu në secilin shtet kishte një viktimë dhe më pas trillonte historinë se për pak do të vritej dhe kërkon të holla...Dhe nëse pyetni për çfarë? Përgjigjja është e thjeshtë: për të nisur ciklin e ri, për të njoftuar viktimën e rradhës, pra për të jetuar më gjatë si multimiliarder...

Emri i dokumentarit përkon me artikullin që është nxjerrur në gazetën norvegjeze VG[1] për Simon Leviev, ndryshe i njohur edhe si Shimon Yehuda Hayut. Ndryshe nga artikulli, dokumentari tregon vazhdimin e stories duke na njoftuar me një tjetër vajzë: Ayleen. Një tjetër e dashur e Simonit, e cila bie pre e mashtrimit të tij por ndyshe nga dy të fundit ajo arrin të merr dy-tre valixhe me rroba nga ai “sikur do t’a ndihmojë” dhe i shet për veten. Dokumentari n’a njofton se Shimon  i cili ka ndërruar emrin në Simon pasi është dënuar për mashtrim të tre grave findlandeze, në storien tonë është burgosur me vetëm 15 muaj burg por është liruar menjëherë pas 5 të parëve. Thuhet se  përgjatë viteve 2017-2019 Simon ka fituar  rreth 10 milion dollar nga viktimat. Më e keqja është se ai vazhdon jetën luksoze në Tel Aviv dhe se nuk është dënuar për dëmet që ua ka shkaktuar Cecilie, Pernillës, Ayleen apo edhe kush e di sa e sa grave të tjera që janë ushqyer me pak shpresë se sapo kanë gjetur një mik të mirë apo dashurinë e jetës së tyre.

Dokumentari karakterizohet me reportazh të incizuar në dekor restoranti luksoz nën dritë të zbehtë. Përveç kësaj sekuenca hapëse e tij është një telefon, vazhdon duke n’a familjarizuar me atë, Tinder dhe Whatsappin. Ky dokumentar ka shijen e njejtë sikurse teknologjia moderne dhe të bën shumë shpejtë sikurse me storien ashtu edhe me veprimet, pjesë të saj.

Cecilie në fillim të dokumentarit e konsideron veten si eksperte e Tinder.  Ajo poashtu është pjesë e tij për të gjetur dashurinë. Tani ajo frikësohet, por ashtu sikurse policët izraelit që thonë se jo të gjithë izraelitët janë hajdut e mashtrues në dokumentar, ashtu edhe Cecilie beson se përshkak të një lidhje të tmerrshme nuk duhet të shkatërrojë dashuritë e radhës.

Shumë llogari false, shumë mundësi për të zbuluar vetën, për të gënyer, për të dashur e urryer...ky spektër i madh i internetit: në fillim një lojë, tani shumë më shumë – një rrezik që duhet analizuar mirë.


SHKRIMI ËSHTË SHKRUAR EKSKLUZIVISHT PËR MOLLEKUQJA.MK. TË DREJTAT E PUBLIKIMIT I KANË VETËM MOLLEKUQJA.MK DHE AUTORI, SIPAS MARRËVESHJES MES TYRE.

Besa Tusha

Besa Tusha

Besa Tusha aktualisht është studente e vitit të fundit në universitetin e Arteve të Bukura "Mimar Sinan" në Stamboll. Ajo ka punuar si asistente e regjisë në disa filma studentor atje. Përveç kësaj ka qenë pjesë e stafit në Festivalin e Filmave të Shkurtë dhe Dokumentar "DokuFest" në Prizren. Besa ka qenë edhe pjesë e jurisë në edicionin e tretë të Festivalit të Filmave të Shkurtë "KFYD" në Turqi.