zatvor-hapsenje-zatvorenik-foto-shutterstock1-872x610-1.jpg

Dënime minimale për 13 persona që abuzuan seksualisht me një të mitur në Veles: Çfarë ndodhi në RMV?

PASOJA

November 27th, 2024

Pak ditë më parë opinioni në mbarë Maqedoninë e Veriut u shokua nga vendimi i Gjykatës Penale në Shkup për të dënuar vetëm me 33 vjet burg, 13 persona të akuzuar për trafikim të fëmijëve, sulm seksual dhe përdhunim, si dhe prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve. Të rinjtë nga Velesi, nga mosha 22 deri në 32 vjeç, u shpallën fajtorë nga gjykata dhe ju shqiptuan dënimet si më poshtë:

  • Kundër 13 personave pesë vjet e gjysmë për të akuzuarin e parë

  • 4 vjet e 6 muaj për dy nga të akuzuarit

  • 4 vjet për dy tjerë të akuzuar

  • 1 vit e 6 muaj për pesë të akuzuar

  • 2 vjet burg me kusht për të akuzuarin e fundit, i cili do të ekzekutohet vetëm nëse personi në fjalë kryen një vepër penale në pesë vitet e ardhshme.

“Kjo nuk është një betejë e burrave kundër grave, por një betejë e gjeneratave të ardhshme”, tha gjyqtarja Daniela Dimovska, duke e shpallur aktgjykimin në rastin në fjalë. Për gjyqtaren ky aktgjykim është leksion për mbarë shoqërinë, e cila duhet të pyesë se çfarë po ndodh me të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi dhe një detaj të procedurës, duke zbuluar se ngjarjet për të cilat akuzohen të dënuarit kanë ndodhur nën ndikimin e drogës.

Edhe përkundër se dënimet ishin mjaft të ulta për grupin e përdhunuesëve të të miturës, mbrojtja ishte e pakënaqur me vendimin. Para mediave, avokati Valentin Stefanov veprën penale e arsyeton me komente seksite për një të mitur të dhunuar e cila në periudhën kur ka ndodhur krimi ka qenë vetëm 14 vjeç.

“Ne do ta ankimojmë aktgjykimin, vendimi për të është marrë pa dëshmi dhe bazohet vetëm në deklaratat e viktimës. Hulumtoni dhe interesohuni për të kaluarën e saj dhe do të shihni se personaliteti i saj nuk është pikërisht ashtu siç paraqitet këtu në gjykatë”, tha Valentin Zafirov.

Gjykimi që u zhvillua pas dyerve të mbylluara filloi më 19 shtator dhe si për ironi epilogu u shpall në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve më 18 nëntor, kjo ditë është shpallur si ditë kushtuar parandalimit të abuzimit seksual të fëmijëve. Ditë kjo që u shënua dhe nga Qeveria e RMV-së me mbajtjen e një seancë qeveritare nën moton “Dëgjoni të ardhmen”. Sipas OKB-së 18 Nëntori nuk është një ditë që duhet kremtuar, por që duhet të shërbejë si një përkujtim se viktimat e dhunës duhet të dëgjohen që ta dinë se nuk janë vetëm.

Gjykim i mbyllur për publikun, çfarë thuhej në aktakuzë?

Sipas njoftimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që u publikua në janar të vitit 2023, i akuzuari i parë, një 25 vjeçar nga Velesi, përmes aplikacionit “Instagram” ka filluar të komunikojë me vajzën e cila atëkohë ende nuk i kishte mbushur 14 vjet. Ai i ka premtuar se do të fillonin një lidhje dashurie, por që në takimin e parë ai e ka filmuar me telefonin e tij.

“Në takimin e parë është bërë material pornografik, të cilin i akuzuari i parë e ka përdorur si kërcënim për ta detyruar vajzën që të vijë në takime të tjera, duke e kërcënuar atë se nëse nuk do pranonte një gjë të tillë, ai do i publikonte dhe shpërndante materialet me përmbajtje intime në rrjetet sociale, gjë që do ta dëmtonte nderin dhe reputacionin e saj”

Prokuroria për Ndjeken e Krimit të Organizuar

Pas kësaj, në periudhën nga fundi i dhjetorit të vitit 2021 dhe gjatë vitit 2022 duke përdorur kërcënime ndaj fëmijës dhe duke i përdorur filmimet që i ka pasur në posedim ai u ka mundësuar të akuzuarve të tjerë dhe personave të tjerë të panjohur të kryejnë akte seksuale, me çka ajo është bërë viktimë e trafikimit me njerëz, nëpërmjet aktiviteteve seksuale, shfrytëzimit seksual dhe pornografisë.

Sipas prokurorisë festat janë bërë në banesa të cilat janë marrë me qira enkas për ato në disa lokacione në Veles. Në takime kanë marrë pjesë më shumë persona të cilët fillimisht kanë konsumuar drogë dhe pije alkoolike dhe në një gjendje të tillë kanë kryer akte seksuale ndaj fëmijës.

Akuza u ngritën për 15 persona, por dy persona nga Tetova bënë ujdi me prokurorinë dhe morën dënime me kusht. Në fillim të gjykimit njëri prej të pandehurve u deklarua fajtor dhe u dënua me tre vjet burg.

Vendimet e tilla gjyësore mundet të ndikojnë në përsëritjen e rasteve të ngjajshme

Për “Platformën për barazi gjinore”, aktgjykimi që Gjykata Themelore Penale në Shkup e dha kundër 13 personave për trafikim të fëmijëve, sulm seksual dhe përdhunim, si dhe prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve është një zhgënjim i madh dhe nuk pasqyron në mënyrë adekuate peshën e krimeve të kryera. Këto akte nuk janë vetëm një shkelje e rëndë e të drejtave të viktimës. Dënimet me burgim nën minimumin e përcaktuar ligjërisht për vepra të tilla të rënda të krimit të organizuar minimizojnë seriozitetin e këtyre veprave dhe në këtë mënyrë amnistojnë përgjegjësinë penale të autorëve.

“Dënime të tilla të reduktuara, në vend që t’i pengojnë ata nga kryerja e veprimeve të njëjta ose të ngjashme, mund t’i inkurajojnë burrat që të kryejnë përsëri forma të tilla të dhunës seksuale në të ardhmen. Banalizimi i vuajtjeve të viktimave në publik dërgon gjithashtu një mesazh shqetësues se si shoqëria jonë vlerëson sigurinë dhe mirëqenien e vajzave dhe grave”

Platforma për Barazi Gjinore

Gjithashtu, sipas Platformës, gjykata edhe pse kishte detyrim të vendoste lidhur me kërkesën për kompensimin e dëmit nga ana e viktimës, e refuzoi të njëjtën gjë dhe viktima e drejtoi të drejtën e tij për ta ushtruar atë në procedurë civile.

“Çdo vonesë e mëtejshme në drejtësi përbën viktimizimin për viktimën dhe e bën të pamundur shërimin dhe riintegrimin e të njëjtës. Akoma më shqetësues është rrëfimi i mbrojtjes që fajësonte në mënyrë indirekte viktimën e mitur, – ndaj në vend që të fokusohej tek krimet e autorëve, karakteri dhe e kaluara e viktimës u evidentuan si arsye që justifikonin cenimin e integritetit trupor, sigurisë dhe mirëqenies. Një diskurs i tillë publik vetëm përforcon stereotipet e rrezikshme, përjetëson diskriminimin sistemik dhe mund të dekurajojë viktimat e tjera të dhunës nga kërkimi i drejtësisë”, thuhet në reagim.

Theksohet edhe mungesa e ndonjë reagimi publik të Prokurorisë Publike për krimin e organizuar në lidhje me sanksionet e përcaktuara në këtë mënyrë për këto krime të rënda dhe deklaratat e gjykatës dhe të mbrojtjes.

“Ky rast nënvizon nevojën urgjente për reforma sistematike, duke përfshirë dënime më të ashpra për krimet ndaj vajzave dhe grave. Ne mbetemi të përkushtuar në përpjekjet dhe presionin për të hequr narrativat mizogjene nga procedurat ligjore dhe inkurajojmë publikun që të monitorojë me vigjilencë punën e institucioneve dhe të kërkojë drejtësi. Dhe drejtësia duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe e qartë në dënimin e atyre që dëmtojnë më të pambrojturit”, thuhet në reagim.

Trafikimi i fëmijëve dhe shfrytëzimi seksual janë fenomente në rritje në RMV

Një studim i mbështetur nga veprimi i përbashkët i Bashkimit Evopian dhe Këshillit të Evropës alarmon se Trafikimi i fëmijëve, shfrytëzimit seksual, trafikimi i fëmijëve me qëllim shfrytëzimi për punë, martesat e detyruara ekspolatimi i punëtorëve dhe lypja janë në rritje në Maqedoninë e Veriut. Në studim thuhet se numri më i madh i viktimave të zbuluara në 5 vitet e fundit janë fëmijët viktima të martesave të detyruara.

“Shfrytëzimi seksual dhe abuzimi seksual i fëmijëve mund të ndodhë në shtëpi, në shkollë, gjatë aktiviteteve ekstrakurrikulare, në rrugë, përmes telefonit, përmes një kamere interneti ose në përgjithësi në internet. Në shumicën e rasteve (70 deri në 85%) shkaktohet nga dikush që fëmija e njeh, brenda rrethit të tyre të besimit, dhe shkakton dëme të përjetshme në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijës. Në 90% të rasteve dhuna seksuale nuk raportohet në polici”, thuhet në raport.

Bëhet fjalë për fëmijë nga familje të varfra, familje jofunksionale në të cilat ka dhunë, fëmijë nga familje të cenueshme veçanërisht nga familje rome, fëmijë migrantë të pashoqëruar, fëmijë pa prindër dhe/ose kujdes prindëror, fëmijë të përkujdesur në institucion, fëmijë pa identitet, dokumente ose fantazma, fëmijë jashtë procesit arsimor, fëmijë në rrugë, fëmijë me aftësi të kufizuara zhvillimore.

  • Në vitin 2019 janë zbuluar 6 viktima, nga të cilat 4 fëmijë. Prej tyre, 2 janë fëmijë viktima të martesës së detyruar, një fëmijë është viktimë e shfrytëzimit për punë, 1 për punës dhe shfrytëzimit seksual. Në të njëjtin vit u zbuluan 124 viktima të supozuara (nuk ka informacion për llojin e shfrytëzimit).

  • Në vitin 2020 u zbuluan 7 viktima, nga të cilat 6 fëmijë. Prej tyre, 1 është viktimë e lypjes dhe 5 janë viktima të shfrytëzimit seksual.

  • Në vitin 2021 u zbuluan 48 viktima, nga të cilat 6 fëmijë, 4 viktima të martesës së detyruar të mitur, 1 viktimë e lypjes dhe 1 viktimë e shfrytëzimit seksual.

  • Në vitin 2022 u zbuluan 9 viktima nga të cilat 7 fëmijë, 5 viktima të martesës së detyruar të mitur, 1 fëmijë viktimë e shfrytëzimit seksual dhe 1 fëmijë viktimë e shfrytëzimit seksual kibernetik. U zbuluan edhe 13 viktima të supozuara, nga të cilat 8 fëmijë. Prej tyre 3 janë viktima të lypjes (një djalë), 1 viktimë e martesës së detyruar të mitur, 1 viktimë e shfrytëzimit seksual, 1 emigrant i huaj ilegal, për 2 nuk ka të dhëna për llojin e shfrytëzimit.

  • Në vitin 2023 u zbuluan 7 viktima, nga të cilat 6 fëmijë. Prej tyre 1 është viktimë e lypjes, 1 viktimë e shfrytëzimit për punë, 1 viktimë e shfrytëzimit dhe lypjes së punës dhe 4 fëmijë janë viktima të shfrytëzimit seksual.

Është shumë e vështirë të vlerësohet me saktësi shtrirja e fenomenit, sepse trafikimi i fëmijëve është i lidhur ngushtë me punën e fëmijëve, punën e detyruar, martesat e detyruara mes të miturve, lypjen e detyruar, kidnapimin, megjithëse këto dukuri mund të ekzistojnë pavarësisht nga trafikimi i qenieve njerëzore.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori."

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani

Shefkije Alasani Dika ka kryer studimet në Universitetin e Evropës Juglindore në drejtimin "Komunikim Ndërkombëtar". Tre vite ka punuar si gazetare në sektorin e informimit online në Televizionin Alsat, kurse nga viti 2019 punon si gazetare e pavarur në projekte të ndryshme mediatike. Shefkija është edhe verifikuese e fakteve dhe recensente.

donor image

Përmbajtja e kësaj ueb-faqeje është përgatitur nga Mollëkuqja me mbështetje të popullit Amerikan përmes Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID). Pikëpamjet e autorëve të shprehura në këtë ueb-faqe nuk reflektojnë medoemos pikëpamjet e Agjencionit për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Platforma mollëkuqja.mk është projekt i Qendrës për Mundësi të Barabarta "Mollëkuqja". Nëpërmjet kësaj platforme ne synojmë të krijojmë një hapësirë të sigurtë për gratë dhe burrat, ku të njëjtët jo vetëm mund të informohen për problemet aktuale që kanë të bëjnë me diskriminimin gjinor, por edhe të mund të ndajnë mendimet dhe eksperiencat e tyre.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara © 2024 / Mollëkuqja.mk | Made by LuckyMedia