Në botën e politikës gjuha seksiste po lulëzon, si nga burrat ashtu edhe nga gratë. Cak kësaj here ka qenë deputetja Saranda Imeri Stafai nga koalicioni VLEN. Ajo deri te “Mollëkuqja” ka paraqitur disa qëndrime seksiste të publikuara kundër saj në rrjete sociale. Deputetja shumë shpesh ka qenë e vënë në qendër të ofendimeve për shkak të profesionit të saj si këngëtare, si pasojë e një mentaliteti seksist që rolin e gruas nuk e sheh në sferën publike.
“Ti veç për Big Brother je, një shtyllë të metalit në mes aty dhe tamam. I kënaq shikuesit se për tjetër s’je”, ka shkruar në Facebook Valon Haskaj që paraqitet si aktivist i BDI-së. “Mollëkuqja” nuk ka arritur të gjejë dëshmi që i njëjti ka mbajtur ndonjë post zyrtar deri tani, përveç angazhimit në Sekretariatin për Çështje Evropiane. Ai postimit i ka bashkangjitur fotografinë e Sarandës dhe një qëndrim të sajin për punësueshmërinë e shqiptarëve.
Gra të tjera të koalicionit VLEN i kanë dalë në përkrahje deputetes Imeri Stafai, duke dhënë qëndrimet e veta nëpër rrjete sociale. Megjithatë, mbështetja publike nga burrat në këtë drejtim mungon.
Një gjuhë e tillë seksiste që vë në pah pamjen fizike të grave është mjaft prezente në sferën publike në Maqedoninë e Veriut. Ndryshe, ky qëndrim “konstaton” që gratë nuk kanë çka japin në politikë dhe roli i tyre është thjeshtë për të kënaqur sytë e burrave.
Nga ana tjetër, vetëm pak muaj më parë deputeti Rijad Shaqiri nga koalicioni VLEN përdori gjuhë seksiste dhe denigruese ndaj grave, duke ju drejtuar deputetes së atëhershme nga Fronti Evropian, Ilire Dauti, me shprehjen: “Po të ishe burrë, ndryshe kishim folur”. Kjo ndodhi në Komisionin parlamentar për arsim në Kuvend, gjatë debatit për amendamentet për ligjet e reja të propozuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nga ana tjetër, burrat politikanë nuk janë të vetmit që përdorin gjuhë seksiste. Deputetja Saranda Imeri nga koalicioni VLEN ka përdorur të njëjtën gjuhë në një status në facebook, ku duke dashur të “lartësojë” zëvendës-kryeministrin Izet Mexhiti, u është referuar grave në kuvend si “mace që bëjnë zhurmë”.
LEXO EDHE KËTË: VAZHDON SAGA E DEKLARATAVE SEKSISTE NGA POLITIKANËT: KRYETARI I ALTERNATIVËS ZEQIRJA IBRAHIMI KONSIDERON QË “BURRAT S’DUHET TË QAJNË SI GRATË”
Skena publike, e sidomos politike në Maqedoninë e Veriut, është bërë një arenë lufte pa rregulla, ku gratë janë cak kryesor si nga gratë, si nga burrat dhe të njëjtët “shpëtojnë” gjithmonë të pandëshkuar. Theksojmë që një atmosferë e këtillë politike ndikon në tërheqjen e grave nga politika dhe moskyçjen e tyre në poste vendimmarrëse.
„Mollëkuqja” bën thirrje që personat e përfshirë në politikë pa dallim të jenë të kujdesshëm me gjuhën të cilën e përdorin, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten më. Politikanët kanë ndikim të madh te publiku dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si ju drejtohen.
LEXO EDHE KËTË: “MOLLËKUQJA” PËR DEKLARATËN SEKSISTE TË ZËVENDËSMINISTRIT LUÇI: MËNYRA E TILLË E KOMUNIKIMIT PËRFORCON DALLIMET DHE ROLET GJINORE