Vështirësitë institucionale të viktimave të dhunës në familje: Bisedë me avokaten Marta Gusar

Procedurat e paraqitjes së dhunës në familje në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë sfiduese për viktimat e kësaj forme të krimit. Dhuna psikike, ekonomike dhe sociale nuk njihet nga institucionet, dhuna seksuale nuk raportohet për shkak të turpit e me riviktimizimin viktimat përballen përgjatë tërë procedurës. Më shumë detaje nga procedura e dhunës në familje na sjell biseda e “Mollëkuqja” me avokaten Marta Gusar.

Që nga raportimi fillojnë peripecitë, e fillon tregimin Gusar, sepse, thekson ajo, pos që viktima duhet të paguaj 150-200 den (varësisht nga stacioni policor) për të marrë vërtetim nga raportimi, ajo për këtë vërtetim pret deri në 1 muaj, gjë që pamundëson që avokati të paraqet në kohë propozim për shqiptimin e masave urgjente.

Marta Gusar

“Fatkeqësisht ende nuk kemi një praktikë të tillë ku institucionet menjëherë pas raportimit të dhunës të japin vërtetim përkatës, siç ndodh rasti me vërtetimin mjekësor të cilin na e japin menjëherë pas trajtimit. Në Qendrën për punë sociale na e japin menjëherë vërtetimin pas raporimit, por ky nuk është rasti me stacionet policore. Si rrjedhojë na vështirësohet puna në shqiptimin e masave urgjente.”

Masat urgjente kanë karakter preventiv, pra kanë për qëllim të mbrojnë viktimën nga dhuna në periudhën për të cilën ato shqiptohen. Kohëzgjatje e masave mund të jetë 1 muaj, 3 muaj, 6 muaj dhe 1 vit, varësisht nga nevoja e viktimës dhe niveli i rrezikut në të cilën gjenden. Sipas Marta Gusar, në shumicën e kohës këto masa në mënyrë efektive zbatohen ndaj kryerësit sepse tash më e dijnë që mos zbatimi i tyre është vepër penale, por Ministria e Punëve të Brendshme çalon në kryerjen e kontrolleve.

“Masat janë efektive por pjesa kur Ministria e Punëve të Brendshme duhet të kryen kontroll nëse masat po respektohen apo jo, nuk realizohet siç duhet sepse Ministria nuk kryen kontrolle të rregullta. Nga Qendra për Punë Sociale janë të sigurtë që këto kontrolle kryhen por jo siç e parasheh ligji, në mënyrë të vazhdueshme. Kontrollet duhet në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme e jo një herë në 3 apo 4 muaj. Kjo periudhë është shumë e gjatë dhe viktima në disa raste mund as të mos jetë e vetëdijshme që po shkelen masat.”

Dhunën psikike nuk e njohin institucionet

Fatkeqësisht këto nuk janë sfidat e vetme me të cilat përballen viktimat. Kur Gusar mbron viktima të cilat kanë përjetuar dhunë psikike, financiare apo sociale, zyrtarët policor refuzojnë t’i trajtojnë këto viktima, situatë që më rallë ndodh me dhunën fizike.

“Nëse viktima ka lëndime trupore procedura për të gjithë është më e lehtë sepse ka gjurmë të dukshme dhe nuk ka anjë problem, por kur bëhet fjalë për dhunë psikike, kur viktima raporton se ndihet e frikësuar, se është e mbyllur në shtëpi, se i është marrë kartela bankare ku e merr rrogën, se tërë kohën është e kontrolluar, kjo nuk njihet nga zyrtarët policorë dhe nuk e llogarisin si dhunë në familje apo dhunë në bazë gjinore. Ata konsiderojnë që vet çifti duhet t’i zgjidhin këto probleme dhe se nuk i takon policisë. Dhuna psikike nuk njihet as nga Prokuroria për shkak se me të vërtetë është e rëndë që të identifikohet.”

Marta beson se të gjithë të cilët punojnë me dhunë me bazë gjinore apo dhunë në familje duhet të trajnohen në mënyrë që të njohin të gjitha format e dhunës, si atë psikike, sociale, ekonomike dhe jo vetën dhunën fizike.

Riviktimizimi i viktimave nga institucionet

Procedura e dhunës në familje është mjaft e rëndë për viktimën e cila duhet të përballet me kryerësin e dhunës por edhe me institucionet të cilat jo gjithmonë janë të sensibilizuara. Gusar thotë që në këtë drejtim mundohet t’i mbështet viktimat psikologjikisht por edhe t’i përgadis për të gjithë procedurën. E pyetur nëse përgjatë fazave të ndryshme të procedurës viktima përjeton riviktimizim, ajo thotë se riviktimizimi është evident në çdo institucion ku viktima paraqitet.

“Ka riviktimizim të viktimave të dhunës në familje në çdo nivel. Nga zyrtari i parë e deri në gjykatë. Jo vetëm përqeshja por edhe vetë fakti i i sensibilizimi për bisedën me viktimën, forma në të cilën duhet të bisedojë me të, pyetjet të cilat duhet t’ia parashtrojë, ndodh riviktimizim. Prandaj po them se nga kontakti parë e deri te sjellja e aktgjykimit mund të ndodh riviktimizimi.”

Personat që punojnë me viktimat e dhunës nuk janë të sigurtë

“Nuk dimë se kë të mbrojmë më parë, veten apo viktimën”

Marta Gusar rrëfen se gjatë mbrojtjes dhe përfaqësimit të viktimave të dhunës në familje përballet me kërcënime dhe rryshfet që të tërhiqet nga lënda. Si rrjedhojë ajo jo vetëm që duhet të mbrojë viktimën, por duhet ta mbrojë edhe veten nga dhunuesi.

Përballemi me shumë sfida, duke u munduar që ta mbroj viktimën bëhem edhe unë palë e vetvetes duke i raportuar kërcënimet, vazhdon bisedën Gusar.

Nuk di se kë të mbrosh më parë. Është e vështirë por ne si avokat jemi mësuar dhe është e pritshme që të marrim kërcënime por sërish nuk është e lehtë. Me marrjen e kërcënimeve nuk nënkupton që unë më pak do ta mbroj viktimën, pikërisht është e kundërta, unë edhe më shumë do ta mbroj viktimës sepse kur ai është në gjendje dhe ia lejon vetes që të më kërcënojë mua si avokat, që jemi të mbrojtur me Kodin Penal si persona zyrtar, ai është në gjendje që ndaj viktimës të kryejë vepra edhe më të rënda e mund të presim edhe femicid”.

Ju them të gjitha viktimave që të mos friksohen pavarësisht se në çfarë situate janë, thotë Gusar. Ka mënyrë për të ju ndihmuar, shton ajo, pavarësisht që unë po i kritikoj institucionet, kritika gjithmonë është e mirëseardhur që gjërat të përmirësohen por kjo nuk nënkupton që edhe në këto situata viktima nuk do të jetë e mbrojtur.

“Prandaj shumë i inkurajoj që të raportojnë dhe të mos e durojnë asnjë formë të dhunës”.

"Овој материјал е целосно или делумно финансиран од UK International Development и Фондацијата Kvinna till Kvinna, кои не мора да се согласуваат со мислењата изразени во него. За содржината е одговорен авторот."

Друго