Foto ilustrim. (Fotoja në prapavi: Doidam10 në Canva)
Foto ilustrim. (Fotoja në prapavi: Doidam10 në Canva)

Rast i rëndë në Sllupçan: E mitura u abuzua seksualisht dhe u shantazhua me muaj, dy persona në paraburgim

Një vajzë e mitur nga fshati Sllupçan i rajonit të Kumanovës është abuzuar seksualisht dhe është shantazhuar me muaj nga disa burra.

Lidhur me këtë rast, më 10 janar 2026 Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Kumanovë ndaj N.A. (31) nga f. Sllupçan, Komuna e Likovës, për veprat e kryera penale “sulm seksual dhe përdhunim” dhe “shantazh”, si dhe kundër Q.M. (28) nga fshati Sllupçan, për veprën e kryer penale “sulm seksual dhe përdhunim”.

“N.A., në kundërshtim me vullnetin e shprehur në mënyrë të qartë, kreu akte seksuale ndaj një vajze të mitur në rrethinë të Likovës, ndërsa e detyroi për akte seksuale edhe me Q.M. Më pas, N.A. i është kërcënuar të miturës se gjoja do t’i publikojë fotografitë e saj eksplicite nëse ajo nuk i pagonte 20.000 euro”, informoi Ministria e Brendshme.

Sipas njoftimit, vajza ishte e detyruar të marrë para nga shtëpia pa dijeninë e prindërve dhe të huazonte nga persona të tjerë, kështu në disa raste ia ka dhënë paratë personit N.A.

Prokuroria Publike njoftoi se do të hapë procedurë hetimore dhe do të propozojë masën e paraburgimit për 2 persona për veprën penale ‘sulm seksual dhe përdhunim” sipas nenit 186 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, ndërsa njëri prej tyre dyshohet edhe për veprën penale ‘shantazh’ sipas nenit 259 të Kodit Penal.

“Prokurori publik, duke vlerësuar se janë përmbushur bazat ligjore, i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Kumanovë propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit, të cilët janë privuar nga liria”, informoi Prokuroria Publike.

Prokuroria theksoi se vazhdojnë veprimet hetimore lidhur me rastin.

Në interes të hetimit dhe nevojës për mbrojtjen e viktimës së mitur, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike apeluan për raportim të kujdesshëm dhe etik lidhur me ngjarjen, si dhe përdorimin e burimeve zyrtare.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe organizatat civile dhe aktivistët duke e cilësuar rastin si skandaloz dhe kanë bërë thirrje që institucionet të zbardhin rastin dhe dhunuesit të marrin dënimet e duhura.

Друго